Mon Balaj

Mon Balaj

Jep kontribut!

Lëvizja s’mundet pa ju.

23 May 2017

Mon Balaj lindi më 25 mars 1980 në gjirin e një familje atdhetare. Familje kjo që, qysh nga viti 1912, kur vendet armiqësore ballkanike filluan pushtimin e trojeve shqiptare, dha djemtë saj për lirinë. Kadriu dhe Abdullahu ishin dy burra nga kjo familje që thirrja për lirinë dhe mbrojtjen e atdheut i gjeti në ballë të detyrës. Në luftë përballë me pushtuesit bullgar që depërtonte drejt Anamoravës, me nder ranë në altar të lirisë. Kadriu në shtëpinë e tij atëbotë kishte lënë vetëm gruan e tij të re, shtatëzënë e cila më vonë lindi një djalë, Ademin. Pra, la trashëgimtarin nga i cili më vonë do të dilte një familje e madhe e cila do të jetë gjithmonë qerdhe e patriotizmit. Fara e atdhetarisë e mbjellë nga gjyshi Kadriu, do mbinte, rritej e kultivohej nga kjo familje. Edhe përkundër, presionit të vazhdueshëm nga pushtuesit jugosllav, kjo familje nuk e ndaloi asnjëherë vaprimtarinë patriotike. Xhaxhai i Monit, Nexhmiu, ishte dënuar me 11 vite burg si organizator i demonstratave. Shtëpia e tyre në një anë u bë qerdhe e revolucionarëve të kohës e në anën tjetër gjithashtu nuk pushoi së trazuari nga pushtuesit me bastisje e arrestime. Xhaxhai tjetër, Nebihu, i arrestuar, izoluar dhe përndjekur gjatë viteve ’80 dhe atyre ’90 u detyrua të arratisej nga Kosova pasi ishte zbuluar nga policia, për t’u kthyer si ushtar i saj, në flakën e luftës, i rreshtuar në rradhët e UÇK-së që në fillim të marsit ’98, në Drenicë.

Vëllau i Monit, Fahriu, i cili që nga mosha e re u përjashtua nga shkolla për pjesmarrje dhe organizim të demonstratave në vitin ’89, më vonë u bë pjesmarrës aktiv në lëvizje. Bënte pjesë në LKÇK bashkë më Agron Rrahmanin. Pastaj u bë ushtar i UÇK-së, dhe bashkëluftëtarë i Zahir Pajazitit.

E Moni nga të gjitha këto vetëm sa kaliste më shumë atdhedashurinë e mbjellë nga nënë Hasimja dhe babai Kadriu. Tregimet për ngjarjet historike, historia e stërgjyshit të tij, rënia heroike e dajës Sami Rama, më 1989, nën torturat e UDB-së, si anëtarë i LPRK-së. Dajët Sejdiu dhe Aliu që të dy ushtarë të orëve të para të UÇK-së, të gjitha këto ndërtuan karakterin kryengritës të Monit.

Moni shkollën fillore dhe atë të mesme ekonomike i kreu në Besianë. Ishte i pasionuar pas futbollit dhe luante në klubin futbollistik “Besiana” në Besianë. I qetë e i dashur me shokët e tij, i vendosur të dhe i prerë kur e kërkonte nevoja. Demonstratat e viteve ’97, ’98 e gjetën gati, aty ishte. Lufta kërkonte përkrahje edhe në rrugët e Prishtinës.

Vitet e pasluftës, e hodhën gjithashtu shpesh në rrugë duke demonstruar kundër burgosjeve të ish pjestarëve të UÇK-së. Arrestimi i luftëtarëve të lirisë, e qartësoi shumë bindjen e tij për pushtetin aktual të UNMIK-ut, ndërsa rrjedha e kompromiseve e çelikosi këtë bindje. Ishte edhe në Merdare të ndalonte Koshtunicën me trupin e tij. Ishte pra edhe me 10 Shkurt. Rruga e nisur nga stërgjyshi duhej vazhduar. Do shkatërronte pakon që i zë frymën lirisë, që rrezikon të ardhmen. Të hapte kapitull të ri në histori. Ra, bashkë me Arbenin. U shndërruan në fanarë të rrugës drejt lirisë, bashkë me shumë fanarë nga historia e lavdishme e popullit tonë.

Ishte kudo, aty ku ishin edhe shumë bijë e bija të këtij populli përgjatë historisë. Dhe tani vazhdon të jenë përjetësisht aty ku janë dhe mijëra dëshmorë të kombit. Në zemrat tona.

Lavdi

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera