Fushë Kosovë: Komuna shpërdoron paranë publike për të bërë fushatë elektorale me projektin e dështuar të shkollës - burg

Jep kontribut!

Lëvizja s’mundet pa ju.

20 Jul 2017

Në mars të ketij viti, Komuna e Fushë Kosovës solli në Kuvendin Komunal për miratim “Kërkesën për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e objektit të shkollës fillore në Fushë Kosovë” me nr.301. Sipas propozimit të ekzekutivit, shkolla do të ndërtohej në hapësirën e blertë te  “Kompleksi 300” në lagjen “Dardania”, në një hapësirë prej 12.45 ari, me kapacitet prej 1000 nxënësve dhe do të ishte, siç shkruhej në propozim, e tipit të mbyllur.

Ne, Lëvizja VETËVENDOSJE!, në Fushë Kosovë, vazhdimisht kemi kërkuar  ndërtimin e një shkolle të re,  por që i plotëson nevojat e banorëve. Ne e  kemi kundërshtuar këtë projekt mediokër që nuk ofron kurrëfarë zgjidhje të problemit por vetëm sa shkakton probleme të reja.

Asambleistja jonë, Trëndelina Duli, ka propozuar në Kuvend Komunal që shkolla të ndërtohet në një parcelë adekuate dhe vazhdimisht kemi kërkuar listën e pronave komunale. Një listë të tillë nuk e kemi marrë asnjeherë dhe ne konsiderojmë që një ndalesë e tillë nga ana e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Kadastrës, po bëhet për shkak të manipulimeve me pronat komunale.

 Ne poashtu kemi propozuar që shkolla duhet të ketë kapacitete prej 2000-2500 nxënësve, duke marrë parasysh rritjen e numrit të banorëve që po ndodh dita-ditës në komunën tonë. Për të qenë shkollë që mundëson proces mësimor cilësor e sipas standardeve, objekti duhet të ketë laboratore, kabinete, sallë të edukatës fizike, bibliotekë, e hapësira të nevojshmë për aktivitete kulturore. Të paktën kjo shkollë do duhej të plotësonte kërkesën më minimale të mundshme - oborrin!

Natyrisht, ekzekutivi i tillë siç është i korruptuar  e injorant nuk ka marrë parasyshë propozimet tona duke vazhduar me arrogancë këtë projekt  të gjymtë dhe  dje, me 19.07.2017, ka filluar punimet për realizimin e tij.

Përveç mangësive, kemi dyshime të bazuara edhe për procedurat e realizimit të projektit. Punimet kane filluar duke e ndërruar lokacionin nga ai fillestar që është propozuar dhe votuar ne Kuvend Komunal. Poashtu, kemi dyshime që në procedurat e tenderimit nuk janë respektuar të gjitha afatet ligjore dhe është përshpejtuar  procedura në mënyrë që ndërtimi i shkollës të bëhet në prag të fushatës zgjedhore lokale. Nuk ka pasur dëgjim publik për t`u marrë mendimi i banorëve të “Kompleksit 300” dhe  ata banorë të cilët kanë kërkuar përgjigje nga Komuna, na është thënë nga vet ata, se janë shantazhuar në mënyra të ndryshme.

Ne vlerësojmë se ky projekt, i tillë siç është, nuk i plotëson kriteret minimale për të ofruar arsim cilësor për nxënësit që do të vijojnë mësimet aty. Ajo i ngjanë më shumë një burgu se sa një shkolle. Nxënësit do  jenë të mbyllur brenda mureve të klasës me mësuesin, pa e provuar asnjëherë mësimin praktik në laboratore, ushtrimet në sallën e edukatës fizike, organizimet kulturore e as shëtitje në oborrin e shkollës të cilat i gëzojnë edhe të dënuarit në burgje. Gjithashtu, e dëmton rëndë infrastrukturën tek “Kompleksi 300”, i cili ka mbetur si një oazë e vogël me infrastrukturë të ndërtuar mirë, në mesin e katrahurës së betonit që e ka mbuluar pjesën tjetër të qytetit.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE, në Fushë Kosovë, i bënë  thirrje komunës që të ndalë shpërdorimin e parasë publike përmes projekteve të tilla vetëm për shkak të fushatës  elektorale dhe gjithashtu i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë rrjedhën e gjithë procesit të implementimit të projektit.

 

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fushë Kosovë

20 korrik, 2017

 

 

Lajme

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera