Nga konferenca përkujtimore "Teqeja Bektashiane e Gjakovës - vatër e atdhetarizmit"

14 Jul 2017

I nderuari Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore të bektashinjve, baba Mondi,
I nderuari baba Mumin Lama,
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë Islame, Kishës Katolike të komunitetit hebrenj,
Zotëri Rexhepi,
Don Lush Gjergji, 
Zotëri Demiri
Të nderuar klerikë,
Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin dhe kënaqësinë që sot ndodhem këtu, mes jush, në këtë konferencë, e cila e tregon, e vërteton, e dëshmon edhe një herë që bashkëjetesa dhe bashkëveprimi i feve të ndryshme te shqiptarët është shembull jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë botën.

Janë shqiptarët ata të cilët e kanë theksuar gjithmonë të përbashkëtën e tyre përkundër dallimeve dhe nuk janë kufizuar tek toleranca, por janë avancuar te puna dhe jeta e përbashkët.

Prej universalitetit të krishterizmit tek umeti i myslimanëve, shqiptarët e të gjitha feve, klerikë ose vetëm besimtarë e kanë theksuar rëndësinë e bashkësisë, qysh prej Rilindjes sonë Kombëtare, në formimin e kombit tonë. Fetë kanë kontribuar me bashkimin e njerëzve me angazhmin e tyre për bashkësinë. Gjendja normale e njerëzve është bashkësia. Kur njerëzit janë të ndarë, të përçarë ose të vetmuar, kjo do të thotë se dikush prej lart i ka ndarë, i ka përçarë ose i ka izoluar për t’i sunduar më kollaj. Njerëzit janë të lirë, atëherë kur janë bashkë, dhe këtë gjë kombi ynë prej formimit e ka dëshmuar si askush tjetër.

Unë i falenderoj të gjithë përfaqësuesit e të gjitha besimeve për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë para luftës, gjatë luftës e pas luftës. E kanë ndihmuar popullin tonë në paqe e në luftë, në ditë të vështira me ndihma nga më të ndryshmet. Te rezistenca jonë gjatë okupimit, lufta jonë çlirimtare dhe ndërtimi i paqes e shtetit sot, kanë gjurmë të thella të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë. Prandaj, unë shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë ata dhe secilin prej tyre. 
Më lejoni që me ketë rast të përfundoj këtë fjalë përshëndetëse duke e përkujtuar thënien e famshme të Faik bej Konicës i cili thoshte se shqiptarët nuk ndahen në të krishterë dhe muhamedanë, shqiptarët ndahen në kombëtarë, ku ka prej të gjitha besimeve, dhe, në zuzarë. Ne jemi kombëtarë pavarësisht prej besimeve tona dhe le ta theksojmë të përbashkëtën tonë e cila është edhe mundësia, edhe garancioni, për përparimet e pandalshme të popullit dhe shoqërisë në Kosovë e më gjerë.

Ju falemnderit.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera