Pushteti të japë përgjegjësi për mbajtjen në burg të aktivistëve dhe vdekjen e Astrit Deharit

23 Aug 2017

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media pas lirimit të katër aktivistëve të akuzuar për terrorizëm dhe të mbajtur përplot një vit në paraburgim, përkatësisht masën e arrestit shtëpiak. Gjatë saj u tha se aktivistëve Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi iu mohua liria për një vit nga një proces i montuar, si pasojë e të cilit humbi jetën aktivisti Astrit Dehari.

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi, theksoi se mbajtja e aktivistëve të pafajshëm në arrest është dëshmi se prokuroria e kapur dhe e kriminalizuar ka ndërtuar aktakuzë në formën e një kulle prej letre, që më pas u rrëzua me vetë provat e dëshmitë e paraqitura. Kurse, për dëshmitarët tha se s’mund të ofrojnë dëshmi të qëndrueshme për rastin sepse të tilla nuk ka.

“Arrestimi, zhurma e krijuar, mbajtja në paraburgim dhe arrest shtëpiak, kanë qenë vetëm veprime për të arsyetuar qëllimin madhor të pushtetit, nxjerrjen e VETËVENDOSJE!-s në terrenin e terrorizmit dhe dëmtimin e saj në aspektin shoqëror, politik e ekektoral”, u shpreh Kurteshi, veprime këto për të cilat tha se ishin pasojë e frikës së pushtetarëve nga humbja e pushtetit.

Më tej, Kurteshi deklaroi se beson që gjykata do të nxjerrë vendimin mbi pafajësinë e aktivistëve, dhe u shpreh se VETËVENDOSJE! nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për këtë rast dhe nxjerrjen e përgjegjësve që e montuan, dhe nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit. Ai shtoi po ashtu se beteja ligjore nuk ka përfunduar ende, duke theksuar se kjo betejë është pjesë e luftës politike që po i bëhet VETËVENDOSJE!-s, por u shpreh i bindur se fundi i kësaj lufte nuk është larg.

Ndërkaq, aktivistja Adea Batusha, tha se vendimi për lirimin e saj dhe tre aktivistëve të tjerë është i vonuar për plot një vit, edhe pse që nga fillimi i këtij montimi është ditur se nuk ka ekzistuar baza ligjore që aktivistët të qëndrojmë në arrest shtëpiak. Ajo e quajti gjithë rastin shkelje flagrante ligjore dhe proces kryekëput politik, që nuk ka asnjë shpjegim racional.

“Sikurse procesi në përgjithësi, edhe vendimet e gjykatës gjithmonë kanë qenë politike. Në fund të fundit, fakti që ne u liruam dje, edhe pse asnjë rrethanë nuk kishte ndryshuar prej para një viti apo gjatë muajve të kaluar, tregon që gjykata ka pasur bazë për të na liruar prej fillimit, por nuk e ka bërë këtë për arsye politike.

Në seancën e djeshme është kuptuar që ky prokuror jo që është totalisht jo profesional, por komplet i vetëdijshëm që aktakuzën që e ka ngritur. Këto dëshmi për të cilat ka dilema edhe vetë prokurori, janë futur në aktakuzë dhe shërbejnë për akuzimin tonë. Dëshmitarët dje në seancë konfirmuan se ky proces, madje edhe deklaratat e tyre, kanë qenë prej fillimit të montuara”, tha veç tjerash, Adea Batusha.

Tutje ajo shtoi se i gjithë rasti ka qenë shpikje e policisë, e për këtë shpikje është arrestuar dhe mbajtur Astrit Dehari.

“Për shkak të kësaj shpikjeje dhe këtij montimi ka vdekur Astriti. Kështu që ky rast nuk përfundon me kaq. Nuk do të ndalemi në përpjekjen për drejtësi për Astritin, deri sa përgjegjësit për montimin dhe vdekjen e tij të përfundojnë në burg”, tha në fund të konferencës Batusha.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera