Në Prizren filluam fushaten me mendje dhe me zemër për komunën tonë

21 Sep 2017

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubimin e saj hapës të fushatës në qytetin e Prizrenit. Në këtë tubim madhështor përveç kandidatit për kryetar të kësaj komune, Mytaher Haskuka, i pranishëm ishte edhe kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja Aida Dërguti, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga VV, Mytaher Haskuka, në tubimin hapës në Prizren tha para qytetarëve se dikur Prizreni i ka bashkuar mendjet e ndritura për t’i dhënë drejtim dhe drejtësi kombit.

“Sot prapë jemi bashkuar me mendje dhe me zemër për ta kthyer shpresën, për ta bërë ndryshimin, të bashkuar me lëvizjen, për ta kthyer Republikën publikes, pra për ta kthyer Republikën qytetarëve të saj”, tha Mytaher Haskuka.

Më tutje mori fjalën deputetja Aida Dërguti e cila tha “Po e bëjmë besëlidhjen me qytetarët e gjithë Kosovës për ndryshimin e madh që fillon në nivel lokal e do të përmbyllet shumë shpejtë edhe në nivel qendror. Kësaj ngrehine të pushtetit të padrejtë e të korruptuar, duhet rrënuar themelet në bazë, në fshatra e qytete”.

Në këtë tubim foli edhe deputeti Albin Kurti i cili tha “Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë si neoni, edhe fisnike, edhe ndriçuese”, tha deputeti Kurti, duke shtuar se VV nuk bën ndriçim elektoral, por angazhohet që ta largojë terrin e përditshëm.

Ai më tej shtoi se deri më sot komunat kanë qenë perjashtuese, dhe se ato kanë diskriminuar popullin, ndërsa shtoi se me qeverisjen e VV-së  komuna do të jetë hapësirë që iu takon qytetarëve.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti u shpreh se modeli i qeverisjes së Prishtinës së shpejti do të përhapet jo vetëm në Prizren, por në gjitha komunat e Kosovës.

Ahmeti në Prizren ka prezantuar sukseset e Komunës së Prishtinës, por edhe sfidat me të cilat qeverisja e tij është përballur. Me këtë rast ai ka përmendur blerjen e autobusëve të rinj, shpërndarjen e shujtave për nxenës dhe strehimin e të varfërve.

Kryetari I Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri përmendi të gjithë kandidatët për kryetarë komunash nga VV, të cilëve iu urojë fitore nga Prizreni.

“Ne sot jemi subjekti më i madh politik në Kosovë. Jemi grupi i parë parlamentar në Kuvendin e Republikës, prijmë në vota në shumicën e Komunave të Kosovës. Jemi të parët në listat zgjedhore me numrin 10. Do të dalim të parët më 22 tetor. Grupet tona të asambleistëve do të jenë më të mëdhatë në Asambletë tuaja komunale. Kryetarët nga VETËVENDOSJE! do t’i qeverisin Komunat tuaja. Për këtë ju uroj dhe përgëzoj. I uroj dhe përgëzoj banorët e secilës komunë veç e veç. I uroj e përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës. Urime fitorja!”, tha në fund të fjalës së tij, Visar Ymeri.

Image
 
Image

 

Image

 

Image

 

Image

 

Image

 

Image

 

Image

 

 

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera