Paraqitja e 26 Zotimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Pejës

11 Oct 2017

Qeverisjet e ndryshme në Pejë e kanë shndërruar këtë qytet të bukur e me potencial të shumëfishtë në çerdhe të krimit e korrupsionit dhe e kanë lënë pa zhvillim e përparim. LDK dhe AAK, herë njëra e herë tjera, në bashkëqeverisje me PDK-në, kanë promovuar mendësi të njëjtë qeverisëse. Me qeverisjet e tyre, Peja ka stagnuar, kurse pejanët në vazhdimësi e kanë humbur shpresën.

Peja që ka qenë qytet i bujqve i fabrikave dhe i dijes e kulturës, nuk mund të qeveriset nga ata që e lanë pa fabrika e pa prodhim e që nuk kanë dije e program për ta zhvilluar. Në krye të Pejës duhet ekip që e ka vullnetin, dijen e guximin që ta kthejë dinjitetin e zhvillimin në këtë komunë, e ky ekip ekziston vetëm në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila e ka edhe programin për ta bërë këtë. Në ballë të këtij ekipi është kandidati për kryetar të Pejës, profesori Bashkim Nurboja.

Nurboja sot paraqiti 26 zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Pejën. Ndërtimi i 40 banesave në lagjën “Sahat Kulla” dhe shpërndarja e tyre për familjet e pastreha, rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta brenda 4 viteve; regjistrimi i bujtinave dhe EtnoParku në Rugovë; rikthimi i parkingjeve publike; rrjeti i ndriçimit në çdo lagje dhe fshat; transparenca radikale në prokurim, subvencione, shpenzime komunale; rritja e subvencioneve bujqësore dhe ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i ndërtimeve që nuk janë në konflikt me planin urbanistik; janë disa nga zotimet që ka shpjeguar para publikut kryetari i ardhshëm i Pejës.

26 Zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Pejës
 
1. Qendra të mjekësisë familjare të rinovuara dhe të funksionalizuara me qasje të lehtë për të gjithë qytetarët.

2. Riparimi dhe funksionalizimi i Ambulancës në Rugovë me kujdestari 24h për banorët dhe turistët.
 
3. Hapja e 5 çerdheve të reja brenda 3 viteve në 7 shtatori, Rrokaqielli, Zatra, Lugë të Baranit dhe Qyshkë.
 
4. Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave me pjesëmarrjen e komunitetit. 

5. Vizita sistematike shendetësore në shkolla dhe shujta për nxënësit deri në klasën e 5-të.
 
6. Kabinete, laboratore, kënde leximi dhe kurse me mësim plotësues për çdo shkollë.

7. Pajisja e institucioneve publike dhe shkollave me aparaturë për shuarjen e zjarrit.
 
8. Ndërtimi i 40 banesave në lagjën “Sahat Kulla” dhe shpërndarja e tyre për familjet e pastreha, rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta brenda 4 viteve.
 
9. Banim me kosto të përballueshme për punëtorët e sektorit publik me mundësi pagese pa kamatë.
 
10. Regjistrimi i bujtinave të turizmit në Rugovë, ndërkombëtarizmi dhe regjistrimi i tyre në platformat turistike botërore (Smart Tourism).
 
11. Linjë turistike e rregullt  Pejë-Rugovë.
 
12. Ndarja e hapësirës publike për ndërtimin e EtnoParkut në Rugovë.
 
13. Ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i ndërtimeve që nuk janë në konflikt me planin urbanistik.
 
14. Krijimi i ndërmarrjes publike banesore për mirëmbajtjen e ashensorëve, pastrimin e korridoreve, mirëmbajtjen e sistemit të ndriçimit dhe ngjyrosjen e objekteve.
 
15. Rikthimi i parkingjeve publike në menaxhim të Komunës dhe organizimi i tyre me çmim të përballueshëm për qytetarët.
 
16. Çdo lagje dhe fshat në Komunën e Pejës do të ketë rrjet të ndriçimit brenda 4 viteve.
 
17. Transparencë radikale në prokurim, subvencione, shpenzime komunale, punësim si dhe digjitalizim i shërbimeve komunale (e-Prokurimi, e-Denoncimi, e-Rekrutimi).

18. Rritja e subvencioneve bujqësore për projektet me iniciativa grupore dhe ndarja e pronave bujqësore komunale për shfrytëzim nga bujqit.
 
19. Mbështetja e bujqve dhe fermerëve nga Drejtoria e Bujqësisë me trajnime dhe konsulencë.
 
20. Rregullimi i problemit me qentë endacak duke bërë kastrimin dhe aktivizimin e qendrës për mbajtjen e kafshëve.
 
21. Angazhimi i Komunës për moslejimin e privatizimit të Kinemasë së qytetit.
 
22. Rritja e hapësirës së bibliotekës së qytetit dhe pasurimi me tekste shkencore.
 
23. Organizimi i Festivalit të artistëve të rinj për krijimin e filmave të shkurtër.
  
24. Largimi i zyrtarëve të subjekteve politike nga menaxhimi i klubeve sportive të qytetit, ndarje e ndershme e subvencioneve dhe organizim i tribunave për sponzorim.
 
25. Organizim i ligës sportive të shkollave fillore dhe të mesme.
 
26. Mbështetje për teatrin duke krijuar një kalendar të plotë artistik dhe promovim të shfaqjeve.

Image
Image
Image
Image

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera