Me Ibër Elezajn kryetar, Klina do të jetë vend i zhvilluar e jo moçal i krimit

12 Oct 2017

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sot tubim qendror në qytetin e Klinës. Prej aty u bë thirrje që të rritet angazhimi dhe të ketë mobilizim sa më të madh për ndryshime rrënjësore në zgjedhjet e 22 Tetorit.

Ne fjalën e hapjes, Kryetarja e Qendrës së Klinës dhe deputetja Shqipe Pantina, falënderoi qytetarët per mbështetjen që çdo ditë po i japin Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ajo theksoi se janë përzgjedhur njerëzit më të mirë për të udhëhequr me Klinën, të prirë nga kandidati per kryetar Ibër Elezaj. Pantina tha se në listën për Kuvendin Komunal ka profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët janë garancë për ndryshim dhe qeverisje të mirë. Ajo në fund të fjalës kërkoi që me 22 Tetor të votohet numri 10 dhe kandidati për kryetar, Ibër Elezaj.

Më pas, deputeti Albin Kurti përmendi veprimtarët e shumtë të kësaj komune, duke thënë më tej se Klina ka qenë përherë qendër e rezistencës dhe angazhimit kombëtar. Por, ai potencoi se pas luftës, pushtetarët e shndërruan Klinën në moçal të krimit e korrupsionit. Megjithatë, Kurti u shpreh i bindur se pas 22 Tetorit, do t’i jepet fund krimit e korrupsionit duke zgjedhur për kryetar Ibër Elezajn. Kurse, për Sokol Bashotën tha se nuk do ta ketë mundësinë që të luaj më ping-pong me tenderë.

Në anën tjetër, Kryetari Visar Ymeri tha se Klinës i duhet një kryetar që punon për të, për Komunën e jo që jeton në Prishtinë e punën në Komunë e ka hobi të pasdites. Ai shtoi se në Komunë duhet gjetur mundësitë dhe mjetet për t’i përmbushur nevojat ekonomike, dhe për të jetësuar të drejtat politike, shoqërore e mjedisore të qytetarëve.

“Duke e votuar numrin 10 e këta kandidatë keni zgjedhur përparimin, barazinë, rregullin, pastërtinë, gjelbërimin, ambulantën, shkollën, mjekun, mësuesin, punën, bujqësinë, shërbimin, publiken”, ishte porosia e Visar Ymerit në Klinë.

Në fjalën përmbyllëse, kandidati për kryetar të Klinës, Ibër Elezaj, numëroi problemet e shumta të kësaj komune, duke filluar nga mungesa e ujit të pijshëm dhe nevojave më elementare. Ai përmendi po ashtu edhe nepotizmin dhe qeverisjen jotransparente të kryetarit Bashota.

Elezaj tha se qeverisja e tij do të jetë bashkë me qytetarët dhe do t’i ketë prioritet ata, e jo luksin, siç e kishin qeverisjet e kaluara. Para qytetarëve të Klinës, ai prezantoi edhe 15 zotimet. Furnizimi me ujë të pijshëm i gjithë qytetit, hapja e çerdheve të reja, ndërtimi i Stacionit të Autobusëve e shujtat falas dhe vizitat e rregullta shëndetëtsore për nxënësit e shkollës fillore, ishin disa nga zotimet e prezantuara nga ai. E, fare në fund, Elezaj prezantoi edhe listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Klinës, të përbërë nga 29 kandidatë, të cilën e quajti listë të fitores. 

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image

 

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera