Besiana drejt kthimit të besës dhe nderit me Ajet Poteren

17 Oct 2017

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sot tubimin qendror edhe në qytetin e Besianës. Numrit të madh të qytetarëve pjesëmarrës në këtë tubim, iu bë thirrje për bashkim me Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për votë të ndryshimit në zgjedhjet e 22 tetort, ashtu siikurse me 11 qershor.

Ne fjalën e hapjes, para masës së madhe të përkrahësve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, deputetja e Kuvendit të Kosovës, që vjen nga kjo komunë, Saranda Bogujevci, tha se pushteti i Agim Veliut e ka burgosur qytetin dhe qytetarët, dhe se çlirimi vjen me 22 tetor nga çlirimtari Ajet Potera. Bogujevci u shpreh e bindur se ky i fundit do të jetë kryetar i Besianës.

Pas saj, deputeti Albin Kurti tha se me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s dhe Ajet Poteres, qytetarët nuk do të jenë të ndarë në të pambrojtur dhe të paprekshëm, por do të jenë të bashkuar në barazi e drejtësi. Ai vazhdoi tutje duke thënë se me 22 tetor duhet të pensionohen politikanët e moçëm, për të cilët tha se janë marrosur pas pushtetit, e t’iu jepet mundësia atyre që e duan Besianën me mendje e me zemër.

”Me Ajet Poteren kryetar, me fitoren e këtyre asambleistëve të mençur, punëtorë, të guximshëm e të ndershëm, ne do ta përmirësojmë cilësinë e jetës sepse do t’i rregullojmë shërbimet publike e do ta ngrisim mirëqenien sociale”, u zotua Kurti në Besianë.

”LDK është parti e frikësuar. PDK është parti frikësuese. Por me 11 qershor, edhe frikacakët, edhe të frikshmit, u zvogëluan e u rrudhën. Ndërsa, u rrit guximi e shpresa, u kthyen nderi e besa, me ballin lartë e kurrizin drejt”, tha poashtu Kurti.

Ndërsa, Kryetari Visar Ymeri, ka kritikuar pushtetin aktual në Besianë duke thënë që qytetarët e kësaj komune nuk e meritojnë një kryetar si Agim Veliu. Ai tha se duke e votuar Ajet Poteren, qytetarët e kësaj komune n duk do ta lejojnë të përlyerin nga korrupsioni ta ndotë qytetin, por ia hapin rrugën pastrimit e përparimit. Për qeverisjen e Poteres, tha se ajo do t’i japë fund klientelizmit, diskriminimit e monopoleve në bujqësi, dhe do e hap rrugën zhvillimit e modernizimit të bujqësisë.

“Me 22 tetor, lapsin në dorë, e dorën tek numri 10.  Me një të rënë lapsi me një vote kryeni dy punë: ndëshkojeni Agim Veliun dhe regjimin e tij despotik - autorizojeni Ajet Poterën të jetë bartësi i ndryshimit demokratik. Me 22 tetor, një votë më shumë brenda në kuti, është një hap për Agimin jashtë komunës. Me 22 tetor, një votë më shumë për Ajet Poteren është një ditë më pak për këtë klanin ‘Pronto’ të LDK-së”, ishte porosia e Ymerit në Besianë.

Në fjalën përmbyllëse, kandidati për kryetar të Besianës, Ajet Potera, foli për angazhimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në adresimin e problemeve, në demaskimin e keqqeverisjes së deritanishme dhe për platformën qeverisëse që ndryshon Besianën.

“Ne nxorëm para jush faktet e pamohueshme që inkriminojnë pushtetin aktual në veprime të jashtëligjshme, në ndërhyrje në secilën lëmi: punësim, ekskluzivisht partiak, investime të diferencuara sipas përkatësisë politike, subvencionime sipas lojalitetit ndaj njerëzve dhe grupeve të pushtetit, favorizim të individëve dhe grupeve të ngushta, krijimi i privilegjeve të pakufishme për vete dhe nëpërkëmbja e interesit të përgjithshëm”, tha ndër të tjera Ajet Potera.

Potera iu bëri thirrje qytëtarëve që përmes votës së tyre ta ndëshkojnë pushtetin aktual.

“Vota juaj më 22 tetor ndryshon gjendjen e tanishme, dërgon në pakthim injorimin që na është bërë deri më sot, ndarjen që po na bëhet sot, pengesat që po u lënë pa vende të punës, pa arsimim cilësor, pa shërbime shëndetësore cilësore, pa përkujdesjen sociale që u takon, pa drejtësinë para ligjit dhe pa trajtimin dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë. Vota juaj më 22 tetor e faktorizon qytetarin si subjekt vendimmarrës, e shndërron pushtetin në shërbyes të tij, e fuqizon drejtësinë ligjore, i kthen dinjitetin e nëpërkëmbur individit, i kthen vlerën profesionistit e talentit; e ngritë në piedestalin e duhur respektin për dëshmorët, përkushtimin ndaj familjeve të tyre dhe ndaj invalidëve e veteranëve të luftës që na sollën lirinë, të cilën e gëzojmë; kategori këto të përbuzura deri më sot”, tha më tej ai.

Krejt në fund, para publikut u prezantuan 38 kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kuvendin Komunal të Besianës.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera