Basri Kodra është zgjedhja më e mire për Kaçanikun sepse është zgjidhja e problemeve për Kaçanikun

14 Nov 2017

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka filluar ditën e parë të fushatës me tubim zgjedhor në Kaçanik, prej ku kryetari Visar Ymeri dhe deputeti Albin Kurti, ftuan qytetarët e kësaj komune ta mbështesin kandidatin për kryetar të saj, Basri Kodrën.

Ishte vetë Kodra, ai i cili e hapi tubimin me fjalën e tij. Kurse, fjalën e filloi duke e quajtur këtë komunë vend të kulturës dhe historisë, të mikpritjes dhe dashamirësisë dhe të qëndresës e lavdisë. E, udhëheqësit e deritanishëm të saj, ai i quajti të paudhë, kurse i kritikoi për mungesë projektesh, teksa tha se në vend të tyre kanë sjellur vetëm dërdëllitje.

“Programi ynë qeverisës përmban projektin për zhvillimin e Kaçanikut me një arsyeshmëri të skajshme, ngase mbështetet në burime të patjetërsueshme të cilat posedon vendi e të që paraqesin përparësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Malet me fusha, lumenjtë me gryka, kodrat me suka, dhe historia me legjenda, i mundësojnë vendit tonë zhvillimin e turizmit malor/mjedisor dhe historik/kulturor”, u shpreh Basri Kodra.

Më tej, ai tha se gjatë qeverisjes së tij do të restaurohet çarshia e vjetër, për të cilën tha se bashkë me kështjellën e xhaminë mesjetare,  me dyqane artizanale, me muzeun historik/arkeologjik e rrugën e shtruar me kalldrëm, do të përbënte kompleksin e qendrës historike të qytetit. Kurse, në lidhje me zhvillim e bujëqisë, Kodra u zotua sedo ta ketë hapësirën e rezervuar në bazën logjistike/tregtare për të tregtuar me këto prodhime e po të njëjtat do t’i ofrohen edhe sheshit të qytetit në ditët dhe orët e caktuara nga vetë komuna.

“Kundërkandidati tim, nuk e shqetëson as historia kriminale e partisë, as gjendja e tanishme e rëndë e shoqërisë. Nuk e shqetëson as  e ardhmja e vendit kur vetëdeklaron në mënyrë pasive, se Kaçaniku do të shndërrohet në një varrezë masive. Nuk e shqetëson në urbanizëm gjendja kaotike, as në arsimsituata katastrofike. Kur u zu ngushtë, për shkatërrimet e bëra në një shkollë totalisht të pa menaxhuar nga drejtori servil i partisë së tij, paturpësisht fajësoi profesorin e përjashtuar për 6 vite politikisht”, tha ndër të tjera Kodra, teksa ka folur për kundërkandidatin e tij nga PDK’ja, njëherit kryetar aktual i Kaçanikut, Besim Ilazi.

“Ne, do të përqendrohemi në zbatimin e metodave më të avancuara të mësimit, nën kushte më të volitshme dhe moderne të ngrohjes, pastërtisë, estetikës, laboratorëve, fushave sportive, mësimit të programeve kompjuterike, e kështu me radhë, përderisa në nivel parashkollor do të kujdesemi për ushqimin dhe shëndetin e fëmijëve. Kështu, arsimin parashkollor do e vëmë në funksion të shëndetit, mësimin fillor në funksion të dijes, ndërsa arsimin e mesëm në funksion të dijes, zhvillimit, shëndetit dhe përparimit. Do hapen degë të reja në profilet profesionale si teknik medicinal e fizioterapi, ashtu sikundër për tregti, turizëm e bujqësi”, ishin disa nga zotimet në lëminë e arsimit, të cilat Kodra i shpalosi para kaçanikasve.

Kodra tha se VETËVENDOSJE!, LDK, AAK, Nisma, dhe aktivistë të shoqërisë civile e intelektualë të pavarur, të vetëdijshëm për burimin e së keqes në Kaçanik, janë bashkuar që këtë ligësi ta shkulin si dhëmbin e kalbur. Ai ftoi kaçanikasit të votojnë për ndryshim, duke e cilësuar këtë si të vetmen mënyrë për ta shpëtuar komunën.

“Jepini jetë Kaçanikut tonë! 19 nëntori është shansë. 19 nëntori është shpresë. Më 19 nëntor ne të gjithë të votojmë për ndryshim, për jetë e zhvillim, për rilindje e çlirim. Numri 10 është shpëtim. Numri 10 i jep jetë Kaçanikut tonë!”, ishte porosia e Basri Kodrës në tubimin qendror.

Pas tij, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, tha se ka një kohë shumë të gjatë që Kaçaniku është lënë pas dore.

“I nëpërkëmbur e i harruar, herë në kthetrat e korrupsionit e herë në dorën e krimit. Boll keni duru e keni prit. Këto zgjedhje ishin një proces i gjatë e i vështirë. Sikur ai guri i rumbullakët shumë i madh e i rëndë që e shtyejmë bregut përpjetë. Tash jemi në fazën e fundit.Gurin e kemi sjellur deri afër majës së bregut. Na duhet vetëm edhe një e shtyme. Që ta rrokullisim te poshtë. Pra, hajde ta rokullisim PDK-në teposhtë”, tha Ymeri para kaçanikasve.

Më pas, Ymeri ka thenë se është koha që Kaçaniku ta ketë në krye njeriun i cili është shuma e virtyteve më të larta që mund t'i ketë dikush. Ai tha se Basri Kodra është njeri i mirë e i ndershëm, i drejtë e i sinqertë, bujar e solidar, i guximshëm e i palëkundur.

Tutje, ai tha se Kodra është shembull me përkushtimin, angazhimin politik dhe konsistencën e tij, si dhe tha se duke qenë përherë me qytetarët, pranë qytetarëve e duke u angazhuar përditë në komunitet me ta, e njeh Kaçanikun, i di problemet e tij dhe i ka të qarta nevojat e qytetarëve të Kaçanikut. 

“Basriu ka qenë zëri i qytetarëve të Kaçanikut në çdo moment. Ndërsa, duke qenë i tillë, tash është momenti që ai të jetë kryetari i Kaçanikut. Basriu është zgjedhja më e mirë për Kaçanikun. Sepse Basriu është zgjidhja për problemet e Kaçanikut. Kaçaniku ka shumë probleme, por Basriu ka shumë përkushtim e vullnet që bashkë me qytetarët atyre t'iu japë zgjidhje”, shtoi më pas Ymeri.

“Kaçaniku ka shumë të papunë, por një kryetar punëtor si Basriu do të jetësojë politika që sjellin zhvillim e punësim. Kaçaniku ka shumë krim e korrupsion, por një kryetar i ndershëm e i drejtë si Basriu do ta çrrënjosë krimin e korrupsionin. Kaçaniku ka arsim të dobët e të kapur, por një profesor i shkelqyeshëm si Basriu do ta rrisë cilësinë e mësimit nëpër shkolla, ta përmirësojë infrastrukturën e tyre, dhe para se gjithash, ta departizojë duke e çliruar nga injorantët e pushtetit. Kaçaniku ka shërbime shëndetësore të dobëta, por një kryetar i vendosur që t'i shërbejë qytetarëve të tij, do ta rrisë kualitetin e këtyre shërbimeve. Kaçaniku ka mendje e e zemër. Ato janë te Basri Kodra. Ato janë te numri 10. Te Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka thënë në fund Visar Ymeri, në tubimin zgjedhor në Kaçanik.

Ndërsa, deputeti Albin Kurti ka ftuar qytetarët e kësaj komune që të bëhen bashkë dhe me 19 nëntor dhe t’ia japin besimin në garën e balotazhit Basri Kodrës. Ai ka thënë se qyteti, fshati e mërgata duhet të bëhen bashkë për ndryshimin në balotazh.

“Kurrë nuk ka qenë me e qartë, kurrë nuk ka qenë më kollaj. Ne besojmë në Basriun. Basriu është shpresa jonë. Basriu është besa jonë. Basriu është i pari. Basriu është kryetari”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Ai tha më tej se Basri Kodra ka plan se si të zhvillohet Kaçaniku, duke përmendur zotimet për subvencionimin e bujqësisë e blegtorisë, si dhe atë për zhvillimin e turizmit, me theks të veçantë turizmit shëndetësor. Kurti u shpreh i bindur se Basriu mund t’i bëjë këto, duke thënë se Basriu beson në qytetarët, teksa për kundërkandidatin e tij, Besim Ilazin e PDK-së, tha se mendjen e ka tek paraja.

“Kryetari Basri Kodra është shpresa dhe mundësia, është ideja dhe zbatimi, qëndresa dhe ndryshimi, që i duhen Kaçanikut. Basriu është puna dhe përpjekja, dija dhe shkathtësia, qytetari dhe atdhetari, në renditje i pari, në votime fitimtari”, ka thënë po ashtu deputeti Kurti gjatë tubimit zgjedhor në Kaçanik.

Ai shtoi më tej se këtë javë nuk duhet ta shohim si javë të rëndomtë, por ftoi për mobilizim mbarëkomunal për ndryshime me 19 nëntor. Kurti tha se gjatë kësaj jave duhet të punohet që të largohet frika, të kthehet dinjiteti e të rimëkembet besimi.

“Basri Kodra është i afërt me juve, e i paarritshëm për kundërkandidatin. Basri Kodra është kodra që s’mund ta shkelin. Është kodra që s’mund t’i ngjiten. Është kodra që ndalë stuhitë. Vëllëzër e motra, këta hajna i ndalë vetëm Basri Kodra”, ishte porosia e Kurtit në Kaçanik, me të cilën edhe u përmbyll ky tubim.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera