Qëndron Kastrati përfaqëson ndryshimin pozitiv, punën e mirë dhe qeverisjen e ndershme për Dardanën

14 Nov 2017

Me falënderime ndaj bashkëqytetarëve të tij për besimin që iu dha në rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati për kryetar të Dardanës, Qëndron Kastrati, e ka hapur tubimin zgjedhor qendror në këtë komunë. E, për mbështetjen ndaj tij, në këtë tubim ishte prezent Kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, si dhe përfaqësuesi i degës së AAK-së në Dardanë, Faton Jakupi.

“Është e vërtetë që në cdo balotazh garojnë dy kandidatë. Dy ide të ndryshme, subjekte apo grupe të caktuara politike. Mirëpo këtë herë, dallimi është shumë i madh dhe i qartë. Në njërën anë janë ata që i kemi provuar, ata që na kanë dëshpëruar, ata që i takojnë së kaluarës së Dardanës. Në anën tjetër jemi ne që po vijmë, jemi ne që po e sjellim ndryshimin në Dardanë, jemi ne që po u tregojmë atyre që Dardana di të qeveriset mirë e ndershëm. Dhe kur them ne, mendoj ne qytetarët e Dardanës. Ne që nuk e duam korrupsionin. Ne që e luftojmë nepotizmin. Ne që e duam zhvillimin e barazinë. E ne jemi shumica”, tha Qëndron Kastrati në fillim të fjalës së tij.

Ai shtoi me tej se takimet që po i zhvillojmë për cdo ditë nëpër lagje e fshatra, nuk po janë takime të rëndomta. Ai tha se këto takime janë takime solidariteti, mbështetje e fuqizimi për projektin e ardhshëm të Dardanës.

“Në këtë kohë kur Dardanës i referohen si zorrë qorre e Kosovës. Në këtë kohë kur papunësia në këtë Komunë është 77%. Në këtë kohë kur të rinjtë nuk kanë mundësi të angazhohen e punësohen. Bujqit nuk mund ta shesin rendimentin. Bizneseve u kërkohet haraq, e pengohen investimet. Në këtë kohë, të dashur qytetarë, e vetmja zgjidhje është ndryshimi. Ndryshimi jo vetëm i emrit të udhëheqësit, por ndryshimi i mendësisë udhëheqëse”, tha po ashtu Kastrati.

Tutje, ai ka folur edhe për partnerin e koalicionit, AAK-në, për të cilët tha se ndonëse kanë pasur ofertë dy herë më të lartë nga të tjerët, kanë vendosur të bashkohen për ndryshim.

“Programi ynë për Dardanën është vizion. Planet tona nuk janë intervenime, por investim afatgjatë. Drejtësia, barazia dhe zhvillimi janë parime të cilat do të na udhëheqin në vazhdimësi. Kështu arsimin, ne e shohim si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Komunës tonë. Secili nxënës do të trajtohet barabartë, e secili punëtor arsimi do të zgjidhet me meritë”, ishte zotimi i Kastratit për qeverisjen e tij.

Ai u zotua se gjatë qeverisjes së tij do të ketë shujta falas për nxënës, dollapë personal për secilin nxënës, kontrolla sistematike shëndetësore, kënde leximi e bibloteka, dhe bashkëpunim të rregullt mes shkollave e prindërve. Gjithashtu, ai u zotua se deri në përfundim të mandatit do të ketë ujë të pijshëm 24 orë, përmirësim të shërbimeve në shëndetësi, rregullimin e problemit me ujërat e zeza, transparencë radikale dhe rritje të subvencioneve në bujqësi, kulturë e sport.

Pas tij, Faton Jakupi nga AAK, parti kjo që zyrtarisht ka dalë në mbështetje të Qëndron Kastratit në garën e balotazhit të 19 nëntorit, ftoi elektoratin e partisë së tij dhe gjithë qytetarët e Dardanës që ta mbështesin ndryshimin. Ai tha se ky ndryshim është urgjent dhe i duhet gjithsesi Dardanës, duke shtuar se ky ndryshim vjen me qeverisjen e Qëndron Kastratit.

Më tej, Kryetari Visar Ymeri ka thënë para qytetarëve të Dardanës se atyre që deri dje njiheshin si figura, sot po u çjerren maskat, e të njëjtit po fshihen vrimave e po zvarriten në heshtje.

“Mrekullia që po i vjen Kamenicës, ajo që do ta sjellë zhvillimin e dritën, shëndetin e arsimin, rrendin e drejtësinë, solidaritetin e barazinë, është Qëndron Kastrati, kryetari i Kamenicës, mendja e zemra e komunës, zëri dhe puna e qytetarëve”, ka thënë Ymeri.

Ymeri tha po ashtu se Qëndroni e ka qëndrueshmërinë e vendosmërinë, në interes të qytetarëve e kundër krimit e degradimit. Ai tha se një kryetar komune duhet ta njoh dhe ta jetojë realitetin të cilin e jetojnë qytetarët, duhet ta ketë dijen e programin për ta zhvilluar komunën, duhet ta ketë guximin ta luftojë krimin e korrupsionin, nuk duhet të mendoj për vete por të jetë solidar me të tjerët, duhet ta sheh veten të barabartë me të tjerët, duhet ta ketë ndershmërinë në qeverisjen me të mirat publike. Ashtu siç e ka zemrën Qëndroni dhe duhet ta dhembshurinë për të varfërit dhe të punojë për ta. E, për gjitha këto, Ymeri tha se Qëndron Kastrati i ka, ndaj edhe është njeriu i duhur për ta qeverisur Dardanën, duke përmendur se Qendroni ka zgjedhur të punojë në komunën e Dardanës, duke e lënë pozitën komode të deputetit në Prishtinë.

“Dardana nuk pranon t’i riciklojë më figurat e vjetra, sepse nga gjiri i saj si ngahera po dalin djem e vajza që i dalin zot komunës dhe Kosovës. Gara në komunën tuaj është e tillë miq, midis të resë dhe të vjetrës.  Me Qendronin është përparimi, me Shaipin konservimi; me Qendronin është zelli e energjia, me Shaipin neglizhenca e babëzia; me Qendronin është barazia, me Shaipin është grykësia. Për Dardanën Qendroni është zgjidhje, për Qendronin Dardana është obligim. Për Qendronin Dardana është fillimi i një përgjegjësie të re. Për Dardanën Qëndroni është fundi i korrupsionit dhe pensionimi i  Shaip Surdullit”, tha ndër të tjera Visar Ymeri në tubimin zgjedhor në Dardanë.

Edhe deputeti Albin Kurti ka bërë thirrje që të mbështetet Qëndron Kastrati për kryetar, duke thënë se ai përfaqëson për Dardanën, atë që Shpend Ahmeti e përfaqëson për Prishtinën, e duke theksuar ndryshimin pozitiv, punën e mirë e qeverisjen e ndershme.

Kurti ka thënë se gjitha gjërat e mira që Shpend Ahmeti i ka bërë për Prishtinën, edhe Qëndroni mund t’i bëjë për Dardanën.

“Qëndroni përfaqëson edhe vazhdimin e idealit kombëtar. Ka pasur në politikën kosovare edhe familjarë dëshmorësh, edhe ish-luftëtarë, por pak prej tyre e kanë ruajtur me dinjitet të njëjtin parim e ideal të cilin e kanë pasur para e gjatë luftës”, tha Kurti, duke shtuar se Qëndroni është ndër ata që i ka ruajtur idealet e babait dëshmor, Isa Kastrati.

“Qëndroni ruan pastërtinë e idealeve të tij dhe të njëjtin angazhim kombëtar për bashkim, për zhvillim, për ruajtjen e vlerave shqiptare, gjithmonë duke i integruar edhe minoritetet e duke ia njohur gjitha të drejtat atyre”, ka thënë më tej Kurti.

Ai po ashtu tha se me Qëndronin do të ketë progres, kurse për kandidatin nga LDK, Shaip Surdulli, tha se përfaqëson regres.

“Qëndroni është njeriu që i duhet Dardanës, Dardana është komuna e duhur për Qëndronin”, ka thënë Kurti, duke përmendur se ai do ta lë Parlamentin e Kosovës për të kotribuar për Dardanën.

Në fund, Kurti u zotua se qeverisja e Qëndronit do të jetë me mendje e me zemër, me drejtësi e pa hakmarrje, me ç’rast ftoi gjithë qytetarët që të angazhohen pa u ndalur deri me 19 nëntor për ta bërë kryetar Qëndron Kastratin.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera