Debat parlamentar për rastin e katër aktivistëve të dënuar padrejtësisht

06 Dec 2017

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media në lidhje me dënimin ndaj Adea Batushës, Atdhe Arifit, Egzon Halitit e Frashër Krasniqit. Duke ritheksuar se dënimi ndaj tyre është i padrejtë dhe pa asnjë provë, deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi, paralajmëroi se në lidhje me këtë çështje dhe rastin e vdekjes së Astrit Deharit, do të kërkohet debat parlamentar.

Kurteshi tha se po bëhen 20 ditë nga vendimi i Gjykatës Themelore, duke shtuar se në mënyrë të kundërligjshme po vonohet Aktgjykimi. E, këto vonesa, Kurteshi i quajti po ashtu zvarritje të qëllimshme që synojnë ta tërheqin vëmendjen nga dënimi i pabazë ndaj katër aktivistëve.

“Dënimi është krejtësisht i pabazuar, por i motivuar dhe i nxitur thjesht politikisht. As prokurori e as gjykata nuk kanë pasur asnjë fakt, dëshmi për fajësinë e aktivistëve. Dënimi është bazuar vetëm në hamëndesime dhe perceptime krejtësisht të pabazuara, e kjo dëshmon për prapaskenë politike”, tha ndër të tjera Sami Kurteshi.

Ai shtoi po ashtu se dëshmitë e fabrikuara janë dëshmuar si të pavërteta edhe nga forenzika e Policisë së Kosovës, por edhe nga FBI, si dhe nga dëshmitarët e rastit. Kurse, Kurteshi potencoi gjithashtu se njëri nga të dënuarit, Frashër Krasniqi, përkundër që është deputet, gjykata asnjëherë nuk e ka informuar Kuvendin për asrsyet e dënimit të tij.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të pushojë asnjëherë për të kërkuar drejtësi për aktivistët e dënuar dhe për vrasjen e Astrit Deharit në burg. Lëvizja VETËVENDOSJE! sot e dorëzon në Kuvend kërkesën për debat parlamentar për rastin e dënimit të aktivistëve”, tha më tutje Kurteshi.

Në fund, ai tha se është momenti i fundit për gjetjen e kryerësve të gjuajtjes së Kuvendit, duke u shprehur se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk frikësohet e as nuk do të ndalet për ta vënë drejtësinë ligjore në vend, duke thënë se ky është përkushtim moral, ligjor e politik i yni.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera