Nis fushata e zgjedhjeve të brendshme: votimi për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbahet të dielën, më 21 janar 2018

11 Jan 2018

Nis fushata e zgjedhjeve të brendshme: votimi për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbahet të dielën, më 21 janar 2018

Mbrëmë ka përfunduar afati i dorëzimit të kandidaturave për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky afat qe shpallur publikisht në datën 21 dhjetor 2017. Në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) e ka shpallur të mbyllur procesin e pranimit të kandidaturave, marrë parasysh edhe faktin që pranë këtij Komisioni nuk është dorëzuar ndonjë kërkesë për të kërkuar shtyrje afati. Me përfundimin e afatit të pranimit të kandidaturave, në mbledhjen e mbajtur sot në Prishtinë, KZP-ja ka konstatuar se deputeti Albin Kurti ka qenë kandidati që ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëme për kandidimin si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe nuk janë dorëzuar kandidatura të tjera.

Marrë parasysh Statutin dhe Rregulloret, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dielën, më 21 janar 2018. Sipas parimit një anëtar - një votë, anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të kenë të drejtën të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit nëpër vendvotimet që do të hapen brenda dhe jashtë Kosove të dielën më 21 janar, duke shprehur vullnetin e tyre – “për”, “kundër”, ose “abstenim” – në lidhje me kandidaturën e Albin Kurtit si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Këtë praktikë normale votimi Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka ndjekur edhe në shumë procese të tjera të zgjedhjeve të brendshme.

Nga dita e sotme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka shpallur të hapur fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku kandidati Albin Kurti do të paraqesë platformën e tij për mandatin e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Fushata e zgjedhjeve të brendshme do të mbyllet 24 orë para ditës së votimit.

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i bën thirrje të gjithë anëtarëve të përfshihen në diskutimet dhe aktivitetet që do të mbahen në ditët në vijim gjatë fushatës së zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për fuqizimin e mëtejshëm të praktikave të demokracisë së brendshme që tashmë e kanë etabluar Lëvizjen VETËVENDOSJE! si subjektin politik më demokratik në Republikën e Kosovës.

Prishtinë, 11 janar 2018

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera