Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm shpall zyrtarisht Albin Kurtin kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

24 Jan 2018

Ditën e diel, pas numërimit të votave në zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) ka bërë shpalljen e rezultateve paraprake të votimit. Pas shpalljes së rezultateve paraprake, në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, KZP-ja ka lënë 24 orë afat në dispozicion për paraqitjen e letërankesave nga anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Sipas Rregullores, secili anëtar ka patur të drejtën e votës, ashtu siç ka patur edhe të drejtën për t’u ankuar pranë KZP-së për cilëndo pjesë të procesit zgjedhor. Gjatë afatit në dispozicion për pranimin e ankesave, pranë KZP-së nuk është paraqitur asnjë letërankesë për procesin zgjedhor.

KZP-ja ka konstatuar se procesi ka qenë i rregullt, dhe bazuar mbi rezultatet e bëra publike, shpall zyrtarisht deputetin Albin Kurti kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke i uruar punë të mbarë në mandatin e ri.

Prishtinë, 23 janar 2018

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera