Deklarimi në Kuvendin e Kosovës lidhur me krimin e organizuar në institucionet e sigurisë

08 Feb 2018

Rexhep Selimi 

Dy hallkat ndër më kryesore të strukturave së sigurisë në Kosovë, Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, aktualisht jane diskretituar deri në themel, jo pse nuk ka oficerë e inspektorë të mirë aty por për shkak të krerëve të instaluar në udhëheqje të atyre institucioneve.  

Çfarë kemi parë dhe dëgjuar këto ditë për Inspektoratin e Policisë së Kosovës dhe për Departamentin e Hetimit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës janë modeli i qartë i krimit të organizuar dhe kapjes së institucioneve të shtetit.

Ka kohe që në opinion e kemi ngritur problematikën Inspektoratin të Policisë së Kosovës dhe po ashtu edhe për probleme të tjera në Policinë e Kosovës që tashmë po duket që këto ishin problematika kronike. 

Nga problemi në problem, së fundi kemi një skandal që ka rezultuar në shkaktimin e një vepre penalë nga ana e Kryshefit të IPK-se dhe disa bashkëpuntorëve të tij në IPK.  Ka rezultuar po ashtu edhe me suspendimin e protagonistit kryesor të këtij skandali – Kryshefit të Inspektoratit. 

Por, me gjithë atë çfarë kemi parë e dëgjuar në IPK  dhe në Departamentin e Hetimeve te Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, këtu kemi të bëjmë me një rrjet të organizuar.

Ky rrjet, për fat të keq nuk është i izoluar vetëm brenda këtyre dy mekanizmave të sigurisë por ashtu siç ka shtrirje deri në majat e Policisë së Kosovës është i shtrirë edhe në segmente tjera të shtetit ku e ka kapur edhe majat në Prokurorinë e Kosovës.

Shteti i kapur (state capture) e ka këtë pamje dhe këtë zë, pra si këto incizime që kemi dëgjuar e sikur ato raportime të medias që kemi parë këto ditë. 

Herë një Kryeshef i IPK-se, herë një Drejtor i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës , herë një prokuror e herë një gjykatës, herë veç e veç e herë të gjithë së bashku, e prapa tyre gjithmonë disa politikanë të fshehur që i kanë emëruar aty, përbëjnë një rrjet joformal të organizuar brenda institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë. 

E vlerësojmë masën e suspendimit të Kryeshefit të IPK-së pas publikimit të skandalit, por gjithesi kjo s’është asgjë përderisa kryerësi i veprës penale është zëvendësuar me bashkëkryeresen tjetër të veprës si Ushtruese e Detyrës së Kryeshefit të IPK-së. Pra, është zëvendësuar me një bashkëpunëtore të kapur po ashtu nga media në të njëjtën vepër.

Ky gabim duhet të korrigjohet menjëherë nga ana e Ministrit të Brendshëm dhe të shkarkohet kushdo që është përfshirë në vepra të tilla në mënyrë që t’i hapet rrugë një hetimi të pa penguar nga ana e prokurorisë. 

Tashmë eshte gjithçka e qartë, në një vend ku Kryeprokurori i shtetit kapet falsifikator i provimit të jurisprudencës, ku Drejtori i Departamentit i Hetimeve të Krimeve Ekonomike rreh Drejtorin e institucionit publik në mes të Prishtinës dhe nuk suspendohet, në një vend ku shohim në media qindra mijëra euro duke u numëruar në llogari të oficerëve të lartë të Policisë së Kosovës dhe nuk suspendohet protagonisti, në një vend ku dëgjojmë në media skandale sikur ai i Kryeshefit të IPK-së duke i kërcënuar vartësit e tij për të kryer punësime të paligjshme, e në fund kur të gjithë këta rezulton të jenë në bashkëveprim dhe në mbrojtje të njeri-tjetrit, atëhere s’kemi se si ta quajmë këtë ndryshe përveç se një rrjet i sofistikuar i krimit të Organizuar që i ka kapur mekanizmat vitale të shtetit. 

Kështu duket, pra, shteti i kapur. Kjo nuk është një fantazi.

Ministri ka rastin, ka mundësinë dhe do ta ketë mbështetjen tonë që të merr masa të menjëhershme. Tani!

Në perputhje me kompencat e tij, Ministri menjëherë duhet të marrë masa edhe ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë kryesore për gjithë këtë gjendje në Policinë e Kosovës. 

Drejtori i Përgjithshëm do të duhej të merrte masa ndaj vartësve të kapur në kryerje të veprave penale e jo t’i mbrojë ata.

E dimë që këto probleme i ka trashëguar Ministri por kjo nuk e justifikon atë nese nuk vepron menjëherë. 

Në të kundërtën, nëse nuk merr masa, ne mund ta bëjmë përgjegjës për gjendjen e institucioneve me të cilat ai udhëheq.

Në cilëndo situatë, ne kësaj pune tashmë do t’i shkojmë deri fund.

 

8 shkurt 2018

Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera