Fjalimi i Albulena Haxhiut në Tribunën për 10 Shkurtin

Fjalimi i Albulena Haxhiut në Tribunën për 10 Shkurtin

Jep kontribut!

Lëvizja s’mundet pa ju.

10 Feb 2018

Historia mund të jetë vetëm specialitet i dinjitetit.

Është e kuptueshme që ngjarje si 10 Shkurti i bezdisin pamëshirshëm mendimtarët e konsensusit.

Ato janë rrënimi i një filozofie të skllavit.

Ngjarje të tilla nxjerrin nga anonimati njeriun e pazëshëm për ta vënë në qendër të shënimit politik e historik.

Pa ngjarjen e jashtëzakonshme që prodhoi 10 shkurti nuk do të kishte dalë në pah kotësia e vrazhdë e një konsensusi që na pezullon të gjithëve ne si subjekte politike.

Dihet mirë, skllavi i konsensusit nuk është subjekt politik. Skllavi i konsensusit është legjitimues i formës policore në kurriz të së drejtës.

Kohët e dobëta janë ato kur njeriu shtyhet të braktisë përpjekjen për liri dhe dinjitet dhe të bëhet polic i vetvetes.

Themeli i politikës nuk quhet i tillë nëse në të nuk ka shenja drejtësie. Por themelet janë ashtu që nëpërmjet thellësisë e mbajnë peshën ku shkarkohen forcat.  Një shoqëri politike e vendosur jashtë themelit politik është një shoqëri e destinuar të rrëshqasë si këmbë ure në rërë.

Themeli i Republikës sonë është tjetërkund nga ku është vendosur pesha e shtetit tonë. Themeli ynë është përpjekja e pandalur për çlirim e bashkim, për të drejtën e vetëvendosjes.  Ndërsa Kushtetuta e shtetit tonë është përpjekja e pandalur për të na shtyrë drejt konsensusit të pathemeltë.

Ne për një çast mund të biem dakord mbi kapacitetin tonë për t’u ndërtuar por nuk ka asnjë çast ku na lejohet të besojmë se urat pa themele do të dërgojnë në bregun tjetër.

 

Në këtë kuptim do të doja sot të ndaja me ju disa nga momentet ku kushtetuta që buroi nga Plani i Ahtisaarit redukton lëndën tonë politike e kombëtare në një pamundësi ndërtimi afatgjatë.

 

Reduktimi i Kushtetutës në  Udhëzimin Administrativ për Planin e Ahtisaarit

 

Kushtetuta që buroi nga Plani i Ahtisaarit përshkruan mungesën e sovranitetit dhe demokracisë brenda Kosovës. Pas nenit 142 të saj thuhej se Plani i Ahtisaarit është mbi kushtetutën në fuqi, dhe që Prania Ndërkombëtare (EULEX) në Kosovë mban autoritetin përfundimtar ekzekutiv. Vetëm EULEX-i kishte të drejtën ta interpretonte Planin e Ahtisaarit dhe të marrte vendime për të.

 

Mohimi i identitetit tonë kombëtar

Kushtetuta prej Ahtisaari një nga qëllimet kryesore e kishte anullimin e identitetit kombëtar shqiptarë. Formalisht ajo  na e mohon identitetin tonë kombëtar:

Preambula e saj na e pezullon historinë. Nuk i referohet as viteve të luftës për liri, e as historisë sonë që prej vitit 1912.

Në të përcaktohet “flamuri i ri shtetëror”, duke bërë kështu një hap edhe përtej vet Ahtisaarit, duke e spostuar flamurin tonë në vetëm simbol kombëtar, të barabartë me atë të pakicave tjera). Përdorimi i këtij flamuri i nënshtrohet votimit nga shumica e dyfishtë dhe kjo mbulohet nga ligji që përcakton përdorimin e simboleve kombëtare.

Thuhet që Kosova është “shoqëri shumetnike” (Neni 3.1) duke e mohuar realitetin sipas të cilit mbi 90% e popullatës është shqiptare (Neni 3.1).

Kushtetuta zotohet që të jetë e përkushtuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës (Neni 9) dhe trashëgimisë kulturore të të gjitha “bashkësive” (Neni 58.5), por në fakt, sipas

Planit të Ahtisaarit, objektet e fesë dhe kulturës ortodokse definohen si “serbe”, prandaj ky është mohim i historisë së shqiptarëve dhe ndarje e Kosovës mbi mbështetje fetare.

Kushtetuta na e garanton të drejtën e lirisë së besimit, ndërgjegjes dhe fesë (Neni 38), kurse mbështetet në Planin e Ahtisaarit që e definon Kishën Ortodokse në Kosovë si Kishë Ortodokse Serbe. Sipas kësaj, çdo shqiptar që dëshiron t’i jepet besimit ortodoks i imponohet vetëpërcaktimi si serb, që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Nenin 57.2 të Kornizës Evropiane për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, i cili thotë që askush nuk mund t’i nënshtrohet deklarimit të imponuar të vetvetes si anëtar i bashkësisë.

Kushtetuta thotë që Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Kosovës të gjithë qytetarëve të ish Jugosllavisë të cilët qenë qytetarë të përhershëm të Kosovës më 1 janar 1998 (Neni 155.2). Ky nen ua mundëson të gjithë refugjatëve serbë nga Kroacia dhe Bosnja të sjellë në Kosovë nga regjimi i Milosheviqit gjatë luftërave të shkaktuara nga Serbia, që të bëhen qytetarë të Kosovës, kurse ua mohon këtë të drejtë shqiptarëve që në këtë kohë gjendeshin në azil jashtë Kosovës.

 

Mohimi i demokracisë dhe fuqisë ekzekutive

 

Kushtetuta thotë që Kosova është “demokratike” (Neni 1.1, dhe Neni 4.1), por në të njëjtën kohë konfirmon që një prani e pazgjedhur dhe jollogaridhënëse ndërkombëtare (EULEX) do ta mbajë fuqinë ekzekutive për një periudhë të pacaktuar kohore (Neni 143). EULEX-i është plotësisht mbi ligjin. Nuk ka organizatë brenda Kosovës e cila do të bëjë mbikëqyrje mbi veprimtarinë e EULEX-it. Edhe 10 vite prej që erdhi misioni ende nuk asnjë shenjë që do të largohet. Përkundrazi tash Gjykata speciale e ka betonizuar atë.

Në nenin 16 kushtetuta thotë që vetë kushtetuta është “akti më i lartë ligjor” në Kosovë dhe që fuqia për të qeverisur rrjedh nga ajo. Por më pas, në nenin 143.1 konfirmohet që nëse ekziston ndonjë kundërthënie ndërmjet kushtetutës dhe Planit Ahtisaarit, vlen kjo e fundit. Kjo do të thotë që Plani i Ahtisaarit dhe jo kushtetuta është akti më i lartë ligjor në Kosovë.

Kushtetuta potencialisht ia mohon popullit të Kosovës çfarëdo mekanizmi institucional për ta kundërshtuar Planin e Ahtisaarit sepse:

  • Plani i Ahtisaarit është mbi kushtetutën dhe ligjet (Neni 143).
  • Plani i Ahtisaarit mohon të drejtën e referendumit për dispozitat e këtij Plani (Neni 81).

 

Kushtetuta thotë që ne ushtrojmë sovranitetin në pajtim me referendumin (Neni 2.1), por neve na është mohuar referendumi për vetëvendosje, dhe ajo na e mohon të drejtën për ta shfrytëzyar referendumin si shprehje e vullnetit tonë për Planin e Ahtisaarit (Neni 81).

 

Mohimi i sovranitetit dhe integritetit territorial

Kushtetuta thotë që Kosova është "sovrane" (Neni 1.1), por na e mohon të drejtën që vjen me sovranitetin e vërtetë: dorëzimin e sovranitetit si e drejtë për t'u bashkuar me një shtet tjetër. (Neni 1.3). Për ta ndryshuar këtë klauzolë do të nevojitet pajtimi i pakicës serbe sepse çdo amandamentim i kushtetutës i nënshtrohet rregullës së votimit të dyfishtë: 2/3 e ulëseve të rezervuara për pakicat (Neni 65).

Kushtetuta thotë që integriteti territorial i Kosovës është "i paprekshëm, i patjetërsueshëm dhe pandashëm" (Neni 2.2) dhe që ajo ka institucionet të cilat do ta mbrojnë integritetin territorial dhe rendin tonë kushtetues, të gjitha këto duke vepruar nën autoritetin e institucioneve të Kosovës (Neni 4.7). Kurse vetë kushtetuta konfirmon që Kosova nuk do të ketë të drejtën e "ushtrisë" (aty nuk përdoret fjala "ushtri", vetëm "forcë"):

Ne ende nuk mundemi ta themelojmë ushtrinë tonë edhe 10 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe 11 vite nga arritja e Pakos së Ahtisaarit në Prishtinë.

Dispozitat e Planit të Ahtisaarit e ndajnë vendin tonë mbi decentralizimin etnik, legalizimin e strukturave paralele të Serbisë brenda Kosovës.

Kushtetuta thotë që policia duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të komunës në "kufijtë më të lartë të mundshëm". Kjo pasoi me sajimin e një policie etnikisht të ndarë me 100% të forcës policore serbe që do të veprojë nëpër komunat e veriut të Kosovës dhe komunat e reja të Parteshit dhe Ranillugut dhe me një shumicë etnike serbe në komunat e Graçanicës, Novo Bërdës, Kllokotit dhe Shtërpcës (Neni 128.4). Ky nen thotë që gjykatat themelore duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të juridiksionit territorial të asaj gjykate (Neni 107.3), prandaj nënkupton miratimin e një sistemi ligjor etnikisht të ndarë. Kjo gjë do ta shkatërrojë aftësinë e qeverisë qendrore për shtrirjen e kontrollit nëpër këto territore.

Dhe ne jemi dëshmitarë të gjallë të këtij fakti. Madje ne jemi dëshmitarë që sërish në 2015 u desh një marrëveshje edhe më ashpër se kjo pjesë e kushtetutës ku specifikisht u vendos në 2013 së bashku me qeveritarët serbe se vetëm nëse je i lindur serbë mund të bëhesh policë, prokurorë apo gjyqtar në veri të vendit tënd. Por jo edhe nëse je boshnjak apo romë. Dhe jo se jo nëse je shqiptarë.

 

Mohimi i gjyqësorit të pavarur

Kushtetuta thotë që gjykatat tona do të jenë të pavarura (Neni 4.5; dhe Neni 102.4), por ajo ia kishte dhënë fuqinë pranisë ndërkombëtare për t'i emëruar drejtpërdrejt tre gjykatës në Gjykatën Kushtetuese (Neni 152), dhe ua lejoi gjykatësve ndërkombëtar të emëruar më herët nga UNMIK-u që të mbanin pozitat e tyre (Neni 150.2).

Ne ende sot i kemi ata.

Madje ne sot kemi edhe më shumë, ne kemi gjithë një Gjykatë speciale, të specializuar në largimin fatal nga themeli i asaj çka jemi dhe përpjekur. 

 

Mohimi i barazisë para ligjit

17. Kushtetuta deklaron që Kosova do t'i trajtojë të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit (Neni 3.2), por në fakt nuk na konsideron si individë, por si "bashkësi" etnike. Ajo konfirmon dispozitat e Planit të Ahtisaarit i cili i jep pakicës serbe privilegje mbi të gjitha pakicat tjera, tërësisht jashtë përpjesëtimit të madhësisë së tyre reale dhe i cili i pajis ndërkombëtarët, që do ta qeverisin Kosovën në mënyrë jodemokratike, me imunitet nga përndjekja ndaj veprimeve të tyre:

Kushtetuta e bën gjuhën serbe gjuhë zyrtare të Kosovë jo vetëm nëpër komunat me shumicë serbe, edhe pse përafërsisht popullata e përgjithshme serbe brenda Kosovës është 6%.

Kushtetuta krijon potencialin për përçarjen e përhershme ndërmjet qeverisë qendrore dhe pakicës serbe duke e privilegjuar këtë të fundit nëpërmjet zotimit për decentralizim etnik të komunave, policisë dhe gjyqësisë.

Kushtetuta pajis pakicën serbe me aftësinë e bllokimit të funksionimit të Kuvendit nëpërmjet vetos së shumicës së dyfishtë mbi ligjet e rëndësisë vitale (Neni 81) dhe po të njëjtit parim mbi amandamentet dhe kushtetutën (65.2).

 

Dhe në të gjitha këto për 11 vite prej se erdhi Plani i Ahtisaarit i kem parë të na ndodhin para syve tanë.

 

Mohimi i të drejtës në pronë

Kushtetuta deklaron që mbrohet e drejta në pronë (Neni 46), por që toka e uzurpuar për qëllime "zonimi", nuk janë të përcaktuara për kompensim (Neni 46.2). Kjo do të thotë që ata që kanë toka të cilat gjenden përbrenda Zonave të Veçanta të Mbrojtjes përreth objekteve dhe kishave ortodokse nuk do të marrin kurrfarë kompensimi për mohimin që i bëhet të drejtës së tyre mbi pronën e tyre.

Dhe ato prona padrejtësisht do të përdoren për ta vatikanizuar Kishën e Serbisë brenda Kosovës teksa rrekeshin të impononin Zajednicën.

Ne nuk mund të ankohemi për çka po na ndodh sot, nëse heshtim për heshtjen që shumë e patën në kohën kur duhej folur.

Moni dhe Arbeni as nuk heshtën as nuk bën konsensus. Ata në Demonstratën e VETËVENDOSJE!-s lanë shenjën që do të na shërbejë përjetësisht për ta dëshmuar se konsensusi i padrejtë u prish.

Tash na takon ne të gjithëve që të mos ndalemi deri sa ta kthejmë kushtetutën kah e drejta, Republikën kah e vërteta.

Lavdi për Monin dhe Arbenin

Jetëgjatë qoftë Lëvizja

Për Kosovën e Dëshmorëve

Për fëmijët që do të thërrasim emrat Mon dhe Arben nën shenjën e një populli vetëvendosës.

 

 

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera