Qendra Pejë: Dështimet dhe keqpërdorimet e Gazmend Muhaxherit

24 Dec 2016
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Pejë ngritë shqetësimin e saj dhe të qytetarëve të Pejës për vazhdimësinë e keqqeverisjes nga kryetari Gazmend Muhaxheri. Kjo qeverisje lokale erdhi ne pushtet me premtimin për ndryshim, por a është ky ndryshimi që qytetarët e kanë kërkuar? Qeverisja komunale në këto 3 vite ka dëshmuar që nuk i ka prioritet interesat e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, por përfitimet personale të zyrtarëve të saj, rehatinë e militantëve të LDK-së e PDK-së dhe shpërblimin e klaneve të afërta me ta. Qytetarëve të Pejës vazhdon t’iu rëndohet gjendja ekonomike e sociale, ndërkohë që zyrtarëve të qeverisjes lokale u rritet luksi, drekat e darkat zyrtare. Kompanitë e lidhura me pushtetin kanë vjelë buxhetin e qytetarëve pamëshirshëm përmes tenderëve të improvizuar në zyrat e prokurimit politik e aspak publik. Dhe kjo gjendje ka vazhduar edhe pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm për eliminim të konkurrencës në tender. Për të mbuluar këto manipulime Komuna e Pejës ka ndërruar disa herë shefat e prokurimit. Përveç tenderëve, Peja karakterizohet për gjendje të rëndë në çdo sektor që mbulohet nga kryetari Gazmend Muhaxheri, me stafin e tij drejtues. Drejtoria e Arsimit ka vazhduar edhe këtë vit, sikurse viteve të kaluara me praktikën e punësimit të mësimdhënësve sipas kritereve partiake, nepotike e klienteliste. Investimet e bëra në infrastrukturën e shkollave kanë qenë pa asnjë standard; shembull i keq në këtë drejtim është edhe objekti i shkollës së muzikës që ka filluar të ndërtohet në afërsi të parkut të qytetit “Karagaq”. Themelet e dëmtuara si pasojë e neglizhencës së zyrtarëve komunal, nuk do t’i paguajnë përgjegjësit por qytetarët e Pejës. Hiç më mirë nuk qëndron puna as në sektorin e shëndetësisë, ku përveç punësimeve të personelit mjekësor mbi baza partiake, ka mungesë të furnizimit me barna esenciale për pacientët në nevojë. Keqpërdorimet nuk kanë munguar as në sektorin e sportit dhe të kulturës, me ç’rast Komuna ka përkrahur vetëm klubet sportive, me ngjyrime të tyre partiake. Sektorin e Bujqësisë në Komunën e Pejës e karakterizon shpërndarja e gjedheve me probleme shëndetësore. Për këtë arsye, disa nga fermerët që kishin paguar gjysmën e çmimit, refuzuan të pranojnë lopë të sëmura. Subvencionet në bujqësi nuk ndahën për fermerët e suksesshëm por për militantet e LDK-së e PDK-së, madje militantët e zellshëm mund të përfitojnë edhe pa qenë fare bujq e fermer. Investimi në infrastrukturën rrugore është një tjetër formë presioni që u bëhet banorëve të fshatrave. Nëse nuk je përkrahës i pushtetit, nuk mund të kesh rrugë. Kemi raste sikur në fshatin Çyshk, ku rruga është asfaltuar me ndërprerje, varësisht nga përkatësia partiake e banorëve. Mungesa e infrastrukturës është problem edhe i shumë fshatrave të tjera të Pejës e sidomos atyre që nuk u nënshtrohen kushteve partiake të Qeverisë Komunale LDK-PDK. Raste si këto janë tregues se qeverisja lokale e Gazmend Muhaxherit nuk është në shërbim të komunitetit lokal dhe qytetarëve, por në shërbim të klaneve klienteliste e në funksion të jetëgjatësisë në pushtet. Që kjo qeverisje komunale punon vetëm për interesat e zyrtarëve të saj, tregon edhe distancimi i saj nga qytetarët. Ende nuk është bërë asnjë zgjidhje për mbeturinat dhe qentë endacakë që vazhdojnë të mbeten rrezik për qytetarët. Hallka tjetër e kaosit në komunën tonë është urbanizmi. Brenda qytetit janë evidentuar 28 ndërtime pa leje për të cilat akuzohen zyrtarët komunal për keqpërdorim detyre me qëllim përfitimi material. Për këto raste drejtori i Inspekcionit është arrestuar dhe mbahet në arrest shtëpiak, ndërkohë që kryetari Gazmend Muhaxheri nuk ka dhënë asnjë sqarim. Devijime të theksuara ka pasur edhe me shfrytëzimin e hapësirave publike. Kompania që ka privatizuar hapësirat publike për parkingje ka ngritur çmimin pa ndryshuar vlerën e kontratës. Pra, qytetarët paguajnë më shumë, pronari fiton më shumë ndërsa komuna njëjtë. Me gjithë këto dështime e keqpërdorime, në secilën fushë, e pa asnjë sukses qeverisja lokale LDK-PDK dhe kryetari Gazmend Muhaxheri nuk gëzojnë aspak legjitimitet për të qëndruar në krye të udhëheqjes komunale të Pejës. Dështimet dhe keqpërdorimet e kësaj qeverisje lokale, mungesa e vullnetit dhe aftësisë tek zyrtarët komunalë po ua humbin shpresën qytetarëve për një jetë më të mirë. Ne do të vazhdojmë në mënyrë më të intensifikuar opozitarizmin në Kuvendin Komunal dhe jashtë tij, duke mos kursyer asnjë veprim demokratik. Por, ndryshimet e mëdha nuk bëhen pa një angazhim qytetar në jetën publike e politike. Lëvizja VETËVENDOSJE, në bashkëpunimi me qytetarët dhe organizatat e ndryshme joqeveritare, do të merret në mënyrë të veçantë me secilin dështim e keqpërdorim të këtij pushteti, në mënyrë që Peja të ketë qytetari aktive, një udhëheqje të përgjegjshme, për të mirën e përgjithshme. peja2 12

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera