Pafajësia e aktivistëve

Jep kontribut!

Lëvizja s’mundet pa ju.

26 May 2017

Përmbledhje e të gjitha fakteve që dëshmojnë pafajësinë e aktivistëve të VETËVENDOSJES, të akuzuar për terrorizëm, dhe motivet politike të këtij procesi gjyqësor

Më 5 nëntor 2016 vdiq në burg Astrit Dehari. Vetëm një muaj pas vdekjes së tij, pas një vonese 4- mujore, Agjencia Kosovare e Forenzikës solli rezultatet e krahasimit të ADN-ve të aktivistëve të arrestuar dhe gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes. Nuk kishte asnjë përputhje. Dy muaj pas vdekjes së tij e kuptuam se Astrit Dehari nuk ka qenë fare i identifikuar nga dëshmitari në të cilin bazohet Prokuroria. Arrestimi i tij ishte bërë thjesht ngase në profilin e tij në Facebook kishte foto me dy aktivistët tanë të tjerë të arrestuar. Kaq i kishte mjaftuar Policisë për të konkluduar që Astriti ka qenë i përfshirë.

Astriti vdiq ngase mbahej padrejtësisht në burg. Faktet e mëposhtme do ta vërtetojnë këtë konstatim. Për ne nuk është e rëndësishme se si do të vendosë gjykata rreth meje, Atdhe Arifit, Adea Batushës dhe Egzon Halitit. Për ne mjafton që publiku t’i shohë faktet e pamohueshme, të fshehura deri vonë nga Prokuroria, të cilat dëshmojnë pafajësinë tonë. Pra, pafajësinë e Astritit.

Rastin kundër nesh Prokuroria e ka mbështetur në katër shtylla kryesore:

  1. 1.   Një motor me dy pasagjerë që është parë nga dëshmitarët pas sulmit në Kuvend,
  2. 2.   Një dëshmitar që pretendon se motorin e njëjtë ua ka shitur 3 personave disa ditë para sulmit në Kuvend,
  3. 3.   Një dëshmitar që pretendon se ia ka shitur një vajze një telefon nga i cili Policia pretendon se është dërguar një email kërcënues të nesërmen e sulmit në Kuvend,
  4. 4.   Përgjimi i komunikimeve si dhe lokacioneve të nxjerra përmes regjistrimit të thirrjeve dhe SMS-ve.

Unë do ta trajtoj secilën prej këtyre shtyllave, duke u përpjekur që të mos shtoj asnjë interpretim subjektiv, por vetëm konstatime, duke iu referuar vetë dokumenteve të përgatitura nga Policia dhe Prokuroria. Aktakuza e Prokurorisë ndaj nesh bazohet në kallëzimin penal të Policisë, prandaj unë do ta dëshmoj paqëndrueshmërinë e aktakuzës ndaj nesh duke iu referuar dokumenteve bazike, “provave”, dëshmive etj., në të cilat bazohet kjo aktakuzë.

1.

Në lidhje me lëvizjet e motorit pas sulmit të ndodhur në Kuvend, Policia bazohet – ndër të tjera - në deklaratën e një dëshmitari të quajtur Egzon Metolli, i cili më 05.08.2016 deklaroi që pas sulmit kishte parë një motor që lëvizte në drejtim të rrugës së Taukbahçes, i cili kishte dy pasagjerë në të, njëri nga të cilët ishte qel, kurse tjetri kishte maskë [1].

Është shumë lehtë e vërtetueshme që asnjëri nga 6 ne të arrestuarit nuk kemi qenë qel. As para datës së sulmit, as në datën e sulmit dhe as pas kësaj date.

Por prokurori në vend që ta analizojë këtë fakt, përkundrazi, pati deklaruar në mënyrë qesharake se si të 6 aktivistët pas sulmit i kanë hipur motorit dhe kanë ikur!

2.

Pas kësaj, Policia pretendon se e ka gjetur personin që i ka takuar ai motor, dhe se ky person ka deklaruar që motorin ua ka shitur tre personave të gjatësisë 1.75cm, që kishin dialekt të të folurit të Rahovecit dhe që ishin prezantuar po ashtu që janë nga Rahoveci. Ky dëshmitar, Heset Ramadani, më 05.08.2016 ka deklaruar që “këta persona më kanë kontaktuar një natë më herët përmes telefonit, kurse më 17.07.2016, rreth orës 17:00 më kanë takuar, e kanë blerë motorin, dhe kanë shkuar në ETC”[2]. Në kërkesën për caktim të paraburgimit për 6 aktivistët e VETËVENDOSJES, të datës 30.08.2016[3], Prokuroria deklaron që “dëshmitari Heset Ramadani i ka identifikuar Atdhe Arifin, Egzon Halitin dhe Astrit Deharin si personat që e kanë blerë motorin”.Në anën tjetër, policia ka marrë videot nga kamerat e ETC-së, ku janë regjistruar tre aktivistët tanë duke hyrë aty dhe pastaj duke dalë.

Blerja ka ndodhur rreth orës 17:00, sipas dëshmitarit Heset Ramadani, kurse policia ka thënë që videot nga ETC-ja dëshmojnë që aktivistët tanë janë futur aty në orën 20:00[4]. Si është e mundur që për të shkuar nga vendi ku është blerë motori (që sipas prokurorisë dhe dëshmitarit është shumë afër me ETC-në) deri tek ETC-ja qenkan dashur 3 orë?!

Prokuroria e ka vërejtur këtë kontradiktë që do t’i përjashtonte automatikisht aktivistët tanë si të papërfshirë në këtë rast, dhe e kanë ftuar edhe njëherë dëshmitarin e njëjtë, 20 ditë pas deklaratës së parë, me ç’rast e kanë shtyrë ta ndërrojë deklaratën. Në deklaratën e ndërruar, ai tash thotë që tre personat janë takuar me të rreth orës 19:00[5]. Po ashtu, në deklaratën e parë, po ky dëshmitar thotë se këta persona e kanë thirrur në telefon një ditë para se të shkonin për ta blerë motorin, kurse në deklaratën e dytë e ndërron edhe këtë konstatim dhe thotë se këta persona e kanë kontaktuar po atë ditë kur është blerë motori.

Tutje, Prokuroria deklaron që ky dëshmitar i ka identifikuar të tre aktivistët tanë, ndërkohë që në deklaratat e tij dhe nga fotot që i janë paraqitur, dëshmitari asnjëherë nuk e ka identifikuar Astrit Deharin[6], kurse sa u përket edhe Atdheut dhe Egzonit, identifikimi i tij nuk mund të merret si kredibil, ngase ai vetë deklaron që “në bazë të fotografive nuk jam i sigurt t’i identifikoj (ata tre persona)”[7]. Dhe merreni me mend, për ta arrestuar Astrit Deharin, Policisë i ka mjaftuar fakti që e ka gjetur një foto të tij në Facebook, ku ai ka qenë bashkë me Atdheun dhe Egzonin, foto që nuk tregon asgjë përveç që Astriti ka qenë shok me ta[8].

Në anën tjetër, po ky dëshmitar, siç e pamë më lart, deklaron që 3 personat që e kanë blerë motorin kishin dialekt të të folurit nga Rahoveci dhe kanë qenë të gjatësisë 1.75cm. Asnjëri nga tre aktivistët tanë të arrestuar në këtë rast nuk flet me dialekt të Rahovecit dhe dallimi për nga gjatësia, në mes të Egzonit, Atdheut dhe Astritit, në anën tjetër, është shumë i vërejtur.

Pra, Astriti, Atdheu dhe Egzoni janë arrestuar e mbajtur në burg mbi bazën e kontradiktave të cilat në fakt flasin për pafajësinë e tyre. Prokuroria nuk ka asgjë më shumë për ta, sesa ato kontradikta që i përmenda më lart. Nuk ka asnjë foto ku shihet ndonjëri nga aktivistët tanë duke blerë motorin; nuk ka asnjë foto ku shihet ndonjëri nga aktivistët tanë duke e vozitur motorin; dëshmitari që pretendon që e ka shitur atë motor vetë ka deklaruar që nuk ka asnjë dokument të motorit[9], asnjë kontratë që e ka blerë apo shitur atë motor, asnjë faturë për këtë. Ai e pranon edhe vetë që nuk ka licencë pune, pra punon ilegalisht.

Si është e mundur që të gjykohen njerëz për terrorizëm – që është vepra më e rëndë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës - thjesht mbi bazë të disa deklaratave tërësisht kontradiktore të një shitësi ilegal që nuk ka asnjë dokument që do të dëshmonte se e ka blerë, poseduar dhe në fund shitur atë motor?!

3.

Prokuroria pretendon që një ditë pas sulmit, pra më 05.08.2016 është dërguar një email kërcënues nga adresa “rugovasit12@gmail.com” përmes së cilës dërguesit e kanë marrë përsipër sulmin e një nate më herët. Në Kallëzim Penal tregohet që Policia i ka shkruar kompanisë GOOGLE Inc. (dhe ky është një nga argumentet që Prokuroria e konsideron më të fuqishme dhe pakontestueshme) dhe ka kërkuar informacione për “Datën e krijimit të emailit, IP-në e përdorur kur është krijuar adresa, etj” dhe në përgjigjën e Google, Policia thotë se “kemi pranuar të dhëna për një IMEI (kod identifikues që e ka secila pajisje telefonike) dhe IP adresë që ndërlidhen me llogarinë e lartcekur”[10]. Kjo është e shënuar në Kallëzim Penal dhe bashkë me këtë është edhe përgjigjja nga GOOGLE, ku tregohet data e hapjes së llogarisë, “checkin-i” i parë dhe i fundit i llogarisë, si dhe IMEI dhe IP që janë përdorur për hapjen dhe përdorimin e kësaj llogarie[11].

Nëse i pamë me vëmendje konstatimet e mësipërme e vërejmë një kontradiktë tjetër absurde, e cila dëshmon në mënyrë absolute që as unë dhe as Adea Batusha nuk jemi të përfshirë në dërgimin e emailit kërcënues nga i cili merret përsipër sulmi i ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

Në dokumentin e pranuar nga GOOGLE thuhet qartë që email-adresa është hapur më 29.07.2016 dhe ka bërë “checkin”-in e parë po këtë datë, në IP-në dhe pajisjen telefonike me IMEI të njëjtë me atë prej të cilës është dërguar emaili më 5 gusht 2016[12].

A mund të na e shpjegojë Prokuroria se si është e mundur që unë dhe Adea e paskemi krijuar emailin më 29 qershor, në të njëjtën pajisje telefonike të cilën, sipas prokurorisë, Adea e paska blerë tek më 5 gusht?! Dokumenti i GOOGLE është shumë i qartë në këtë pikë dhe nuk lë fare hapësirë për interpretime të tjera.

Në anën tjetër, Prokuroria pretendon që telefoni nga i cili u dërgua emaili ka qenë në përdorim të një personi që quhet Mentor Krasniqi, i cili më 3 gusht 2016 ia ka shitur Naser Mustafës, dhe ky i fundit pretendon që të njëjtin telefon ia ka shitur më 5 gusht 2016 një vajze 25-26 vjeçare.

Por është shumë e çuditshme se si policia nuk e ka kontestuar fare deklaratën e Mentor Krasniqit. Si mund të jemi kaq të sigurt që ky i fundit ia ka shitur telefonin e njëjtë Naser Mustafës?! Çka nëse Mentor Krasniqi i ka pasur dy telefona “Samsung” të zinj?! Naser Mustafa askund nuk e ka mbajtur shënim IMEI-n e telefonit që e ka marrë nga Mentor Krasniqi. Në anën tjetër, asnjë foto apo videoincizim nuk dëshmon që ka ndodhur blerja nga vajza 25-26 vjeçare. E edhe nëse do të ishte ky rast, asnjë video apo foto nuk dëshmon që qenka blerë pikërisht ai telefon me atë IMEI. Dhe, për më tepër, Adea nuk është 25-26 vjeçare dhe kjo gjë vërehet qartë që në shikim të parë.

Më tutje, në kërkesën për zgjerimin e hetimeve ndaj meje, thuhet që “besohet se emaili është dërguar nga lokacioni i adresës së Frashër Krasniqit (rruga “Ndue Perleshi” – banesat e “Tregtisë”)[13]. Kjo është deklaruar edhe publikisht nga Fatos Makolli – drejtues i Njësitit Antiterror në Policinë e Kosovës, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, të datës 27.9.2016[14]. Prokuroria pra pretendon që ajo vajzë, e cila e ka blerë telefonin është Adea, dhe po kjo vajzë pas blerjes së telefonit është takuar me mua në banesën time, nga ku – sipas prokurorisë – ne të dy e kemi dërguar atë email. Në raportin njoftues të Policisë, të datës 27.9.2016, thuhet që “Adea Batusha ka blerë aparatin telefonik në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ dhe më pas ka vazhduar deri në lokacionin ku banon Frashër Krasniqi, në ndërtesat e “Tregtisë” dhe nga ky lokacion dhe nga i njëjti aparat telefonik më pas është dërguar emaili...”[15]. Ky konstatim është bërë edhe në aktakuzën e ngritur nga prokuroria.

Por, në kallëzim penal vetë Policia e hedh poshtë këtë pretendim ngase aty thuhet qartë që emaili është dërguar nga “zona e Rrugës B”[16]. Rruga B nuk është lokacion i njëjtë me banesat e “Tregtisë”. Por paradoks edhe më i madh në këtë rast është që, sipas vetë Policisë, në kohën kur është dërguar emaili, Frashër Krasniqi ka qenë në pjesën e “Bregut të Diellit”[17]. Si është e mundur që emaili qenka dërguar nga ne prej Rrugës B, kurse në të njëjtën kohë Adea ka qenë tek banesat e “Tregtisë” (sipas po këtij raporti të Policisë), ku qenka takuar me mua, në të njëjtën kohë që unë paskam qenë në “Breg të Diellit”!

4.

Prokuroria, përmes nxjerrjes së regjistrimit të thirrjeve dhe SMS-ve nga telefonat tanë, ka lokalizuar vendndodhjet tona gjatë kohës së sulmit në Kuvend. Në raportin njoftues të dt.27.9.2016 të dërguar nga Gjelbrim Isahu (hetues) për Prokurorinë, thuhet që të dyshuarit më 4.8.2016 "disa minuta para se të ndodhte sulmi ndaj objektit i kanë ndërprerë komunikimet”[18]. Ky është “fakti” kryesor në lidhje me lokacionet tona, që përmendet edhe në aktakuzë nga Prokuroria për të pretenduar fajësinë tonë.

Fillimisht pra çka ka bërë Prokuroria është nxjerrja e lokacioneve tona në bazë të regjistrimit të thirrjeve dhe përdorimit të telefonave tanë. Kur i ka nxjerrë lokacionet rezultati ka qenë qartësisht në favorin tonë. Sipas raportit njoftues të Policisë, të dt. 27.9.2016, në bazë të regjistrimit të thirrjeve[19], asnjëri nga ne nuk ka qenë afër vendit të ngjarjes në kohën e sulmit.

Në vend që Prokuroria ta pranojë këtë fakt që dëshmon alibitë tona, ajo vendos të ndërtojë skema të tjera duke thënë që nuk ka rëndësi lokacioni, por e rëndësishme është që të gjithë të dyshuarit “kanë ndërprerë komunikimet disa minuta para se të ndodhte sulmi”. Por, sipas vetë këtij dokumenti, Egzon Haliti thirrjen e fundit nuk e ka disa minuta më herët, por 1 orë më herët, Petrit Ademi thirrjen e fundit e ka 30 minuta më herët, Astrit Dehari më shumë se 3 orë më herët, Adea Batusha rreth 1 orë më herët, kurse Atdheu e ka në 22:43 nga antenat e Lagjes së Spitalit (pra shumë larg prej vendit të sulmit), si dhe unë thirrjen e fundit e kam nga antenat e lagjes “Medrese”, në orën 22:57, pra vetëm 3-4 minuta para sulmit (e nga lagjja Medrese deri te Kuvendi nuk ka kurrfarë mundësie të arrijmë për 3-4 minuta).[20]

Në anën tjetër, nëse Prokuroria e beson megjithatë këtë “fakt” të konstruktuar, atëherë pse i njëjti “fakt” nuk ka vlejtur edhe për Petrit Ademin, i cili është liruar si i pafajshëm nga ky rast?!

Në fakt, të dhënat e Policisë vërtetojnë që koha e “ndërprerjes së komunikimeve” nga ne është aq e paorganizuar saqë më shumë tregon se këto ndërprerje janë të rastësishme, sesa që i përmbahen një modeli sjelljeje të organizuar dhe të paramenduar. Unë jam i sigurt që së paku 2/3 e banorëve të Prishtinës nuk kanë pasur asnjë komunikim më 4.8.2016, në orën 23:03 – pra në kohën kur ka ndodhur sulmi në Kuvend.

Por, përveç lokacioneve, policia ka përgjuar edhe komunikimet tona. Madje në raportin njoftues të Policisë, të datës 6.9.2016, i cili dokument është pjesë e kallëzimit penal, thuhet që “disa nga bisedat e zhvilluara përmes telefonit në mes të të dyshuarve janë të natyrës inkriminuese dhe plotësojnë dyshimin se të lartcekurit qëndrojnë prapa veprës...”[21]. Më tutje, për ta “dëshmuar” këtë inkriminim, kallëzimit penal i janë bashkëngjitur 3 biseda inkriminuese sipas Policisë dhe të cilave u referohet Prokuroria edhe në aktakuzë. Është fjala për dy biseda të miat dhe një tjetër në mes të Adea Batushës dhe Petrit Ademit.

Prokuroria në aktakuzë bisedën time të parë e citoi kështu: “Në bisedën ndërmjet Frashër Krasniqit dhe një personi tjetër, ky i fundit e pyet Frashërin “a je në liri” dhe më pas i thotë “keni gju asi sene në RTK, mos gjuani asi sene, mos boni trazira pa lidhje”, Frashëri me sarkazëm i thotë “këto janë akuza të rënda, na në RTK gjujna vetëm fjalë e asi.... nuk flet” dhe pas kësaj fjalie bashkëbiseduesi qesh në mënyrë ironike”[22].

Por nëse e shohim transkriptimin e plotë të kësaj bisede, që i është bashkëngjitur kallëzimit penal (pra këtë transkriptim e ka lexuar prokurori, sepse është pjesë e kallëzimit penal), Frashër Krasniqi del t’i ketë thënë bashkëbiseduesit kështu: “Na në RTK kena gjujt veç fjalë, ksi bomba e ksine na jena plotsisht kundër”. Pse e ka fshehur Prokuroria nga aktakuza fjalinë time, ku them që “ne jemi plotësisht kundër bombave”?![23] A nuk është ky falsifikim i bërë nga Prokuroria?! Është interesante se si, sikur në çdo rast tjetër në këtë dosje, edhe në këtë rast, provat që tregojnë në mënyrë absolute pafajësinë tonë janë falsifikuar nga Prokuroria për t’i shndërruar në “prova” kundër nesh.

Përgjimi tjetër i komunikimeve të mia ka të bëjë me një bisedë timen me kryetarin e VETËVENDOSJES, z. Visar Ymeri. Prokuroria në aktakuzë thotë kështu “gjatë kësaj bisede Frashëri kërkon nga ky bashkëbisedues (fjala është për Visar Ymerin – vërejtje e imja) që të reagojë ndaj një shkrimi të kryeministrit Isa Mustafa për një shkrim të këtij të fundit të postuar në Facebook lidhur me sulmet e fundit ndaj Kuvendit dhe RTK-së, që sipas Frashërit ato i atribuohen si sulmet tona”[24].

Gjithçka është e qartë këtu. Unë pra e kam thirrur Visar Ymerin dhe i kam kërkuar t’i reagojë Isa Mustafës ngase ky i fundit përmes një postimi në Facebook kishte tentuar t’i lidhte sulmin në Kuvend dhe atë në RTK me “sulmet” ose aksionet tona me gaz lotsjellës brenda në Kuvend dhe gjatë protestave. Por, Prokuroria e ka falsifikuar bisedën dhe dosjen tonë nuk ia ka bashkëngjitur edhe CD-në e audioincizimit të kësaj bisede, ku do të zbulohej falsifikimi që ka bërë Prokuroria edhe në këtë rast. Në anën tjetër, po të donte prokurori ta zbardhte me të vërtetë ngjarjen, do ta analizonte statusin e Isa Mustafës dhe më pas statusin e Visar Ymerit, me ç’rast do ta kuptonte se për çka e kam pasur fjalën unë në telefonatë. Për më tepër, Prokuroria që deklaron në disa vende në dosje[25]që grupi i dyshuar ka vepruar në mënyrë shumë të kujdesshme dhe profesionale, si mund të besojë që unë paskam komunikuar me telefon timin personal me kryetarin e VETËVENDOSJES për një sulm që, sipas Prokurorisë, e paskam bërë unë dhe aktivistët e tjerë?!

Dhe krejt në fund, meqë me gjithë këto absurditete, Prokuroria prapë insiston që kjo është telefonatë inkriminuese, atëherë pse nuk e ka arrestuar edhe Visar Ymerin?! Sepse, sipas shpjegimit absurd të Prokurorisë, i bie që edhe Visar Ymeri ka qenë në dijeni për atë sulm.

Por në vend që ta analizojë siç duhet situatën, Prokuroria ka vendosur të bazohet në një transkriptim të falsifikuar, të pasaktë dhe të pakuptimtë të telefonatës sime me Visar Ymerin. Shiheni se sa i pakuptimtë është ky transkriptim: “Muj me ta... muj me ta ba lajmin e ka ba ni status ku i ka lidh jo bash krejt drejtperdrejt po i ka lidh sulmet tona me sulmet e atyne me sene tona sulmet e rtks e kshtu.”!

Dhe në fund e kemi bisedën në mes të Adea Batushës dhe Petrit Ademit. Në aktakuzë thuhet që “në bisedën e realizuar në mes saj dhe Petritit, Adea pohon se ajo ende nuk e ka rimarrë veten gati 2 apo 3 javë dhe është duke u shmangur daljeve dhe se gjatë kësaj periudhe kohore ka qëndruar tek e ëma e saj në fshatin Zllatar të Prishtinës”[26].

Por shiheni çka thotë në të vërtetë Adea në këtë bisedë, që nëse e lexojmë të plotë e shohim qartë që është bisedë rutinore në mes miqsh dhe pa kurrfarë referencash tjera. Adea në pyetjen e Petritit “Qysh je ti?”, i përgjigjet “paj qe nja dy-tri jav um ka shku diqysh si tu flejt ma shumë, po prej nesrit duhet me e marr veten nen kontroll”[27]. Askund në këtë telefonatë të shkurtër nuk thuhet që Adea nuk e ka rimarrë veten qe 2-3 javë, por qe 2-3 javë i kanë shkuar duke fjetur më shumë dhe ka nevojë ta marrë veten nën kontroll (pra të flejë më pak). Askund në këtë bisedë nuk thuhet që Adea u është shmangur daljeve gjatë kësaj periudhe, dhe askund në këtë bisedë nuk thuhet që Adea ka qëndruar gjatë kësaj kohe tek e ëma e saj. Unë nuk e di se nga i ka nxjerrë Prokuroria këto konstatime absurde. Në fund të fundit, siç mund ta shohim nga raportet e vëzhgimit[28], Policia raporton vetë se Adea ka lëvizur gjatë gjithë kohës duke shkuar në zyrë, duke takuar shokët dhe shoqet, duke shkuar në banesën e babait të saj në lagjen “Tophane”, etj.

Dhe krejt në fund, nëse kjo bisedë qenka inkriminuese për Adean, pse nuk paska vlejtur edhe për Petrit Ademin. Sepse nëse në këtë bisedë, sipas mendimit absurd dhe qesharak të Prokurorisë, Adea i qenka referuar sulmit në Kuvend, atëherë edhe Petriti e paska ditur këtë.

RAPORTET E AGJENCISË KOSOVARE TË FORENZIKËS

Prokurori Abdurrahim Islami më 24 nëntor 2016 kishte deklaruar publikisht, që Forenzika do të përcaktojë fatin e aktakuzës, pra nëse do të ngrihet ajo ose jo.

Në të njëjtën frymë, Policia në kërkesën e saj për urdhër-kontroll ndaj nesh, të datës 29.08.2016, deklaron që “për të ardhur te e vërteta në lidhje me grupin e dyshuar, është e domosdoshme të sigurohen dhe ekzaminohen pajisjet e tyre të teknologjisë informative”[29].

Këto dy deklarata flasin qartë që edhe Prokuroria, edhe Policia kanë qenë të vetëdijshme që nuk kanë prova kundër nesh dhe që montimet dhe falsifikimet e tyre nuk mjaftojnë për të ngritur aktakuzë, prandaj shpresat i kanë varur tek Forenzika dhe tek ekspertiza ndaj pajisjeve tona të teknologjisë informative.

Por të gjithë e dimë se në çfarë të vërtete kanë ardhur këto dy institucione pas raporteve të Forenzikës. Në raportin e Agjencisë Kosovare të Forenzikës, të datës 05.12.2016, thuhet që “nuk ka përputhje të mostrave të ADN-së të tërhequra nga vendet e ngjarjes nga ekipi i Forenzikës, me mostrat e ADN-së të marra nga të pandehurit”[30]. Kurse në raportin njoftues të po kësaj agjencie, të datës 10.11.2016, thuhet që “në të dhënat dhe pajisjet e sekuestruara të të pandehurve nuk është gjetur asgjë inkriminuese”[31].

MOTIVET POLITIKE PRAPA KËTIJ RASTI TË MONTUAR

Këto, pra, ishin dëshmitë që rasti është i montuar dhe “provat” e pretenduara nga Prokuroria nuk janë asgjë më shumë sesa falsifikime. Treguam, po ashtu, se si vetë analizat e ADN-së dhe pajisjet tona elektronike i hedhin poshtë pretendimet e Prokurorisë për përfshirjen tonë në këtë rast.

Por dikush që nuk e njeh mirë situatën politike në Kosovë, që nuk e di se si është i kapur sistemi i drejtësisë nga njerëzit në pushtet dhe se si përdoret ky sistem për nevojat e tyre politike dhe për të ruajtur privilegjet e tyre, do të pyeste me të drejtë se pse ka pasur nevojë prokurori t’i bëjë këto montime dhe falsifikime?! Cilat janë motivet e tij?

Kërkesat për zgjerim të hetimeve ndaj meje dhe ndaj Atdheut, Astritit, Egzonit dhe Petritit janë bërë më 23 dhe 26 gusht 2016[32]. Por prej fillimit të gushtit e deri më 16 shtator 2016, Policia ka zhvilluar hetime edhe për Adnan Bajramin, Mentor Krasniqin, Hasan Biçkajn, Heset Ramadanin dhe Sylejman Ramadanin, të cilët nuk kanë lidhje me ne dhe as me VETËVENDOSJEN. Këta të fundit gjatë gjithë kohës së hetimeve janë mbrojtur në liri, pra nuk kanë qenë as në paraburgim dhe as në arrest shtëpiak.

Këtu kemi dy pyetje të rëndësishme. E para, pse nuk janë mbajtur fare nën arrest të dyshuarit e mësipërm, dhe e dyta, pse u arrestuam ne, aktivistët e VETËVENDOSJES, vetëm 4-5 ditë deri 1 javë pas kërkesës për zgjerim të hetimeve. Pse p.sh. nuk priti Prokuroria që të na hetojë edhe 1 javë më shumë, ose edhe 2-3 ditë më tutje. Pse u arrestuam pikërisht më 30 gusht 2016?! Ku do të ishte dallimi nëse ne do të arrestoheshim 2-3 ditë më vonë, kur nga të gjitha vëzhgimet dhe përgjimet e Policisë vërtetohet që ne nuk kemi qenë duke u fshehur dhe as duke planifikuar të iknim. Kjo vërtetohet, po ashtu, nga fakti që të gjithë ne kemi qenë në vendbanimet tona, në momentin e arrestimit.

Përgjigjja është e qartë. Më 1 shtator 2016, Lëvizja VETËVENDOSJE do të organizonte protestë kundër demarkacionit me Malin e Zi. Protesta pritej të ishte madhështore dhe pushteti kishte nevojë për një ngjarje që do t’i frikësonte njerëzit dhe do t’i distanconte eventualisht nga Lëvizja VETËVENDOSJE. E çka do t’i shërbente më shumë këtij qëllimi sesa akuzimi i aktivistëve të kësaj lëvizjeje që gjoja kanë kryer vepër terroriste?!

Ditën e arrestimit tonë dhe ditëve në vijim, Policia kishte mbajtur disa konferenca për media, në njërën nga të cilat kishte prezantuar “provat materiale” të sekuestruara nga vendbanimet tona, të cilat, sipas Policisë, “tregonin se ne jemi të përfshirë në këtë sulm terrorist”. Si prova ishin paraqitur armët e gjetura në shtëpitë e disa prej nesh, pajisjet tona elektronike dhe një qese me substancë narkotike.

Një person me inicialet F.S. që banonte me qira në një pjesë të shtëpisë së Atdhe Arifit, dhe që nuk kishte lidhje fare me rastin dhe hetimet ndaj nesh, në orën 10:00 të ditës së arrestimit tonë, pra para konferencës së Policisë, i kishte treguar Policisë që qesja me marihuanë ishte e tij[33].Njësoj, po atë ditë, prindi i Atdhe Arifit, z. Ramiz Arifi, kishte treguar që armët e gjetura në shtëpinë e tij i takojnë atij dhe i ka nga lufta. Njësoj, për të gjitha armët e tjera është dëshmuar menjëherë nga familjarët tanë që janë pronë e tyre e mbetur nga lufta e fundit.

Pra, nga këto e kuptojmë që Policia e ka ditur mirë që në fillim, pra para konferencave të saj, se as substanca narkotike dhe as armët e paraqitura nuk kanë lidhje me rastin tonë, por, megjithatë, i ka paraqitur si prova, ngase qëllimi që nga fillimi ka qenë të mediatizohet ky rast në mënyrë që të arrijë efektin politik të dëshiruar për ta: frikësimin dhe distancimin e njerëzve për të mos marrë pjesë në protestën e 1 shtatorit 2016.

Në kallëzim penal thuhet që “të gjithë personat e dyshuar i takojnë një subjekti të caktuar politik”[34]dhe më tutje përmendet edhe emri i subjektit pra VV (që është shkurtesa për Lëvizjen VETËVENDOSJE)[35].

Nëse rasti nuk qenka i motivuar politikisht, atëherë pse është dashur të përmendej në kallëzim penal fakti që të gjithë ne jemi aktivistë të VETËVENDOSJES. Çka kanë dashur të dëshmojnë Policia dhe Prokuroria me këtë konstatim?!

Ata mund të na thonë që nuk kanë dashur të dëshmojnë asgjë tendencioze rreth VETËVENDOSJES, por se thjesht e kanë përshkruar një fakt, ose një karakteristikë të përbashkët, të 6 të arrestuarve. Por atëherë nëse kjo qenka thjesht konstatim pa tendencë i një karakteristike të përbashkët tonën, pse pra nuk i kanë paraqitur edhe karakteristikat tona të tjera që i kemi të përbashkëta, si p.sh. që të gjithë ne të arrestuarit jemi të një grupmoshe të njëjtë, të gjithë vijmë nga komuna e njëjtë, të gjithë i takojmë një kombi të njëjtë, të gjithë jemi studentë në universitetin e njëjtë, të gjithë banojmë në një zonë të njëjtë të qytetit etj.

Pse është vënë pra theksi te fakti që të gjithë ne jemi aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE. Sepse qartësisht Prokuroria ka dashur të lërë nënkuptime që sulmi në Kuvend është kryer nga disa persona të cilët kanë lidhje me një subjekt të caktuar dhe se sulmi është kryer si pjesë e strategjisë së tyre për të ndikuar në proceset politike. A nuk ka qenë arsyetimi i fundit i Gjykatës për vazhdimin e arrestit tonë shtëpiak i bazuar pikërisht në faktin që procesi i demarkacionit me Malin e Zi ende nuk ka përfunduar?!

Nuk duhet shumë vëmendje e madhe, e as njohuri e lartë juridike, për ta kuptuar – në bazë të vetë dosjes së Prokurorisë – që ky proces është i montuar për synime politike. Prokurori Abdurrahim Islami, në bazë të së kaluarës së tij - që përshkohet nga ngritje të paligjshme në detyrë, shkelje të ndryshme të ligjit, etj., si dhe në bazë të montimit që e ka bërë, është dëshmuar të jetë shërbyes i klanit “Pronto” dhe i Qeverisë Mustafa, dhe krejt çka ka dashur të bëjë përmes këtij rasti është t’i përndjekë politikisht kundërshtarët politikë të këtyre klaneve kriminale.

Montimi i tyre shkaktoi vdekjen e një studenti të shkëlqyer të mjekësisë, një aktivisti të palodhshëm dhe qytetari besnik të Republikës sonë. Prandaj ky rast nuk do të përfundojë lehtë. Edhe nëse Prokuroria dhe Gjykata vendosin të tërhiqen, ne nuk do të rreshtim asnjëherë përpjekjen tonë për drejtësi për Astritin. Kjo përpjekje do të kulmojë me një sistem të pavarur të drejtësisë, të çliruar nga klani “Pronto” dhe nga gjykatësit e prokuroritë e korruptuar, i cili sistem do t’i vërë para drejtësisë të gjithë ata që janë implikuar në këtë rast të montuar.

Frashër Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, është një ndër të akuzuarit për sulmin me granatë kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, më 4 gusht 2016. Ky shkrim është fjala e tij e mbajtur në seancën e javës së kaluar në procesin kundër tij)

 

[1]Procesverbal mbi intervistimin e dëshmitarit Egzon Metolli, dt. 05.08.2016

[2] Procesverbal mbi intervistimin e dëshmitarit Heset Ramadani, dt. 05.08.2016

[3] Kërkesë për caktimin e paraburgimit për Atdhe Arifin, Astrit Deharin, Frashër Krasniqin, Egzon Halitin, Petrit Ademin dhe Adea Batushën, dt. 30.08.2016

[4] Kallëzim penal, dt. 29.08.2016

[5] Procesverbal mbi intervistimin e dëshmitarit Heset Ramadani, dt. 26.08.2016

[6] Procesverbal mbi identifikimin e personit përmes fotografisë nga dëshmitari Heset Ramadani, dt. 26.08.2016

[7] Procesverbal mbi intervistimin e dëshmitarit Heset Ramadani, dt. 05.08.2016

[8] Kallëzim penal, dt. 29.08.2016

[9] Procesverbal mbi intervistimin e dëshmitarit Heset Ramadani, dt. 05.08.2016

[10] Raport informues mbi kërkesën e Policisë drejtuar GOOGLE dhe përgjigjjen nga kjo e fundit, pa datë

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Kërkesë për zgjerim të hetimeve ndaj Frashër Krasniqit, dt. 23.08.2016

[14] https://www.youtube.com/watch?v=JvhLcriZHaM

[15] Raport njoftues për regjistrimin e thirrjeve telefonike për identifikimin e trekëndëshit të komunikimeve – hartografisë, për Egzon Halitin, Frashër Krasniqin, Petrit Ademin, Adea Batushën, Atdhe Arifin dhe Astrit Deharin, dt. 27.09.2016

[16] Kallëzim penal, dt. 29.08.2016

[17] Raport njoftues për regjistrimin e thirrjeve telefonike për identifikimin e trekëndëshit të komunikimeve – hartografisë, për Egzon Halitin, Frashër Krasniqin, Petrit Ademin, Adea Batushën, Atdhe Arifin dhe Astrit Deharin, dt. 27.09.2016

[18] Po aty.

[19] Po aty.

[20] Po aty.

[21] Raport njoftues mbi implementimin e masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit të Astrit Deharit, Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit, Petrit Ademit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, dt. 06.09.2016

[22]Aktakuzë kundër të pandehurve Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egton Haliti, dt. 28.12.2016

[23] Tranksipta e bisedës telefonike në mes të Frashër Krasniqit dhe N.N. e realizuar më 25.08.2016, dt. 29.08.2016

[24]Aktakuzë kundër të pandehurve Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egton Haliti, dt. 28.12.2016

[25] Shih: Kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj 6 aktivistëve, dt. 30.08.2016 dhe kërkesat dhe vendimet për urdhër kontroll ndaj 6 aktivistëve, dt. 29.08.2016

[26]Aktakuzë kundër të pandehurve Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egton Haliti, dt. 28.12.2016

[27] Transkripta e bisedës telefonike të zhcilluar në mes të Adea Batushës dhe Petrit Ademit më 21.08.2016, dt. 29.08.2016

[28] Shih: Raportet e vëzhgimit të Adea Batushës, dt. 17.08.2016, 18.08.2016, 20.08.2016, 21.08.2016, 22.08.2016 dhe 23.08.2016

[29] Kërkesat dhe vendimet për urdhër- kontroll ndaj Adea Batushës, Astrit Deharit, Egzon Halitit, Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit dhe Petrit Ademit, dt.. 29.08.2016

[30] Akt përcjellës. Raporti i ekspertimit për ADN-të e 6 aktivistëve, dt.. 05.12.2016

[31] Raport njoftues mbi analizimin e pajisjeve elektronike të Astrit Deharit, Atdhe Arifit, Adea Batushës, Egzon Halitit, Frashër Krasniqit dhe Petrit Ademit, dt.. 10.11.2016

[32] Shih: Kërkesë për zgjerim të hetimeve ndaj Frashër Krasniqit, dt. 23.08.2016 dhe Kërkesë për zgjerim të hetimeve ndaj Atdhe Arifit, Astrit Deharit, Petrit Ademit dhe Egzon Halitit, dt.. 26.08.2016

[33] Procesverbal mbi intervistimin e dëshmitarit Flamur Syla, dt.. 30.08.2016

[34] Kallëzim penal, dt.. 29.08.2016

[35] Po aty.

Lajme

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera