20 Zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Kaçanikut

04 Oct 2017
20 Zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Kaçanikut
 
1. Depolitizimi i institucioneve arsimore, funksionalizimi i Këshillave të prindërve e të shkollave, dhe Këshillit Drejtues të Shkollës, përzgjedhja e drejtorëve me pjesëmarrje në komunitet, vlerësimi i punëtorëve të arsimit në bazë të performancës dhe mbështetje e plotë për mësimdhënësit.
 
2. Investime në pajisje shkollore për të lehtësuar çantat e fëmijëve. Krijim i kushteve për rritjen e cilësisë duke pajisur shkollat me kabinete të fizikës, kimisë e biologjisë, si dhe kënde leximi dhe biblioteka. Planifikimi e jetësimi i projektit të ri të dixhitalizimit të bibliotekave shkollore.
 
3. Planifikimi dhe kërkesa në Ministrinë e Arsimit për hapjen e profileve profesionale në përputhje me kërkesat e nevojat e ndërmarrjeve, shërbimeve dhe institucioneve lokale.
 
4. Mbështetje e nxënësve dhe barazi sociale.
 
5. Vizita sistematike shëndetësore për nxënësit në çdo shkollë dhe ligjërime mbi parandalimin dhe kujdesin shëndetësor.
 
6. Përmirësimi rrënjësor dhe riorganizimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe ambulancave, funksionim cilësor i laboratorëve të analizave dhe sigurimi i mbulueshmërinë së shërbimit në të gjithë territorin e Komunës.
 
7. Planifikimi dhe finalizimi brenda mandatit katër vjeçar i Hartës Zonale Komunale. Të gjitha zhvillimet e parapara, dhe pronat e ndara për to, të parapara sipas planeve të hartuara do të promovohen dhe bëhen publike për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm. 
 
8. Projektimim dhe rregullimi i qendrës urbane dhe i qendrave të mëdha rurale. Lidhje më mira për lëvizje dhe siguri për këmbësorë duke bërë shënjimin e trotuareve dhe vendkalimeve, parkingje publike në distancë të kënaqshme. 
 
9. Promovimi i turizmit, në veçanti turizmit mjedisor-malor dhe turizmit kulturor: panaire, festivale, konferenca e fushata. 
 
10. Subvencionim i OJQ-ve mjedisore e shoqatave rinore për organizimin e aktiviteteve apo projekteve që mbështesin turizmin.
 
11. Projekte kapitale të planifikuara mirë – duke kaluar nëpër 5 fazat e procesit, si identifikim e përzgjedhje, projektim e dizajnim, tenderim, zbatim e mbikëqyrje dhe analizë pas zbatimit.
 
12. Dëgjimet publike në të gjitha lagjet dhe zonat rurale me kalendar të rregullt mujor.
 
13. Ambient të pastër duke kërkuar llogari, përgjegjësi dhe transparencë të plotë në menaxhimin e të hyrave dhe çdo aktiviteti të Kompanisë Rajonale për pastrimin e mbeturinave. Adresimi i problemit të ndotësve industrial të lumenjve në nivel rajonal.
 
14. Mirëmbajta e rrugëve dhe hapësirave publike: shfrytëzuesit e pronave komunale mund ta mirëmbajnë hapësirën publike si kompensim për qiranë.
 
15. Ngritja e problemit të ujërave të zeza në qeverinë qendrore, planifikimi i hapave konkret në ndërtimin e kolektorëve në zona rurale dhe qytet, si dhe hartimi i projekteve për ndërtimin e impianteve për qytet dhe grupe fshatrash.
 
16. Do të marrim masa konkrete për ndalimin e prerjes së pyjeve dhe sidomos atë që mund që quhet ‘prerje institucionale’, duke i shtuar aktivitetet për ruajtjen dhe menaxhimin e tyre. Do të ketë aktivitete për ripyllëzim e regjenerim, jo vetëm nga buxheti komunal por edhe përmes Ministrisë së Bujqësisë e Pylltarisë dhe donatorë potencial.
 
17. Rikthimi i kinemasë në Kaçanik – plani për modernizimin e funksionalizimin e sallës ekzistuese. 
 
18. Krijimi i Teatrit të Qytetit – investimi në objektin e Shtëpisë së Kulturës për funksionalizimin e teatrit dhe salla të posaçme për çdo aktivitet teatral.
 
19. Sporti në shërbim të zhvillimit dhe promovimit të jetës së shëndetshme tek të rinjët– Mbështetja e të gjitha klubeve sportive shkollore dhe klubeve të qytetit dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre. Prioriteti ynë është funksionalizimi dhe pajisja me rekuizita sportive në palestrën sportive.  
 
20. Krijimi i hapësirave të vogla publike për aktivitete sportive nëpër lagje të qytetit dhe fshatrave.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera