20 Zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Vitisë

04 Oct 2017

20 Zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Vitisë

 

1. Administratë të përgjegjshme, transparente dhe efikase nëpërmjet riorganizimit dhe dixhitalizimit të  shërbimeve (E-kiosku qasje 24 orë për marrjen e dokumenteve, e-prokurim, e-rekrutim). Transparencë radikale të shpenzimeve – publikimi i çdo shpenzimi të parasë publike në faqe zyrtare. Ristrukturim të zyrës së prokurimit dhe funksionalizim e konsolidim të zyrës së projekteve dhe zyrës ligjore.

 

2. Komunitet të organizuar dhe të përfshirë në vendimmarrje, përmes komunikimit të rregullt dhe funksionalizimit të plotë të këshillave të fshatrave dhe të lagjeve. Adresimi i çdo kërkese në afat ligjor (kutia e ankesave të qytetarë do të hapet çdo javë).

 

3. Depolitizim i plotë i arsimit, përmes përzgjedhjes publike të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave me pjesëmarrje të drejtpërdrejt të komunitetit. Rekrutimet e personelit arsimor me konkurs publik dhe publikimi i rezultateve të konkursit dhe poentimit të të gjithë pjesëmarrësve në konkurs në faqen zyrtare të Komunës.

 

4. Bibliotekë dhe kënde leximi dhe fusha sportive në çdo shkollë fillore. Dollapë për libra për të gjitha klasat e ciklit parafillor dhe të mesëm të ulët. Java sportive në shkolla dhe gara të klubeve shkollore në nivel të komunës. Forcimi i bashkëpunimit të mësimdhënësve dhe prindërve nëpërmjet Këshillave të shkollës, aktivizimi i psikologut si dhe linjë telefonike në çdo institucion arsimor. Përmirësimi i plotë i nyjeve sanitare dhe kushteve higjieno-sanitare në shkolla.

 

5. Shujta për nxënësit nga klasa e I-V, duke filluar nga 1 shtatori 2018 si dhe vizita sistematike mjekësore dhe ligjërim edukativ mbi shëndetin në shkolla.

 

6. Zgjerimi i kapaciteteve dhe përmirësimi i kushteve të çerdhës publike në Viti, hapja e një çerdhe në Pozheran dhe përfundimi i objektit të shkollës fillore në Pozheran.

 

7. Përmirësim rrënjësor i kushteve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare. Funksionalizim i plotë shërbimit të Emergjencës në Viti dhe Pozheran. Sigurimi i analizave bazike me qëllim të parandalimit dhe identifikimit të sëmundjes dhe orientimin e saktë të pacientëve.

 

8. Programe të edukimit të personelit të emergjencës si dhe pagesa e kujdestarisë sipas ligjit në fuqi. Funksionalizimi i shërbimit të Stomatologjisë, mbështetje për fushën e gjinekonologjisë/obstetrikës dhe sigurim të kushteve për shërbime të ndihmës së lindjes.Vizita shëndetësore të pensionistëve dy herë në vit dhe sigurimi i infrastukturës për mobilitet të lehtë (shtëpi-institucion) për të gjithë personat me nevoja të veçanta.

 

9. Organizimi sipas standarteve e kushteve adekuate për prodhuesit vendor, të cilët do t'i plasojnë produktet e tyre shtatë ditë të javës. Mbështjetje intensive e bujqëve lokal me buxhet dhe ekspertizë, konsolidimi i zyrës së ekspertëve në ndihmë të prodhuesit vendor. Mbështetje të grave fermere, ekonomive familjare/bujqësore dhe nxitje zhvillimit të turizmit rural.

 

10. Rritje të sipërfaqeve bujqësore me ujitje - hartimi i projektit të detajuar për sistemin e ujitjes dhe angazhimi për sigurimin e mjeteve për jetësimin e tij.

 

11. Zgjidhja e problemit të deponive me mbeturina të ngurta – program për mbrojtjen e  mjedisit, pyllëzim, mbrojtje e lumenjve dhe tokës bujqësore.

 

12.  Ujë të pijshëm 24 orë në ditë, për të gjitha vendbanimet e Komunës së Vitisë.

 

13.  Qytet dhe fshatra të pastra - Së paku 1000 drunjë/fidane të reja për çdo vit dhe zgjerim të hapësirave të gjelbërta. Rregullimi i gjithë rrjetitit të kanalizimit në tërë territorin e komunës së Vitisë. Zgjidhje e problemit të grumbullimit të mbeturinave (Kompani publike lokale ose kontraktim të grumbullimit të mbeturinave).

 

14.  Zgjerim të qendrës urbanistike të Vitisë me lokalitetet përreth si dhe urbanizim të lokaliteteve të mëdha si: Pozheran, Smirë, Skifteraj. Qendra e Vitisë do të transformohet në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytatarëve të Vitisë, përmes një projekti të hartuar dhe mbikqyrur nga profesionistë të Vitisë.

 

 

15.  Rrugë, trotuare dhe ndriçim publik në të gjitha vendbanimet e Vitisë - prioritet i lartë për 

rrugët në drejtim të shkollave. Plan të qëndrueshëm të mobilitetit, duke përfshirë shtegun për bicikleta Viti-Letnicë; Viti-Shushtë. Vendosje e pasqyrave në kthesat e rrezikshme në rrugët e komunës së Vitisë dhe kamerat e sigurisë në të gjitha rrugët kryesore të Vitisë.

 

16.  Pikë (bankinë) të grumbullimit të veshjeve për familjet në nevojë për veshmbathje.

 


17.Përfundim i ndërtimit të Palestrës së Sporteve dhe përkrahje e vazhdueshme të klubeve, sporteve kolektive e individuale. Fusha me kushte e standarde për KF Vllaznia dhe KF Vitia dhe organizmi i ndeshjeve në Viti.

 

18.  Kalendar vjetor kulturor dhe program i strukturuar për mbështetjen e projekteve nga shoqëritë artistike - përkrahja e grupeve letrare.

 

19.  Rritja e kapaciteteve shërbyese për mërgimtarët çdo sezon veror. Hapja për projekte investive të mërgatës - lehtësim i procedurave e lirim nga pagesat komunale për projekte investimi. Kordinim me mërgatën për binjakëzimin me qytete evropiane të Komunës së Vitisë.

 

20.  Shërbime të varrimit falas për familjet në nevojë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera