Aksione

8 Marsi – thirrje për angazhim

_MG_8832

08 Mars 2015 - E diel 1:11

Shprendaj me te tjeret

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një aktivitet simbolik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Në këtë ditë, në Kosovë, 55,5% e grave janë të papuna.

Aktivistja Teutë Rrusta tha se papunësia e gruas vjen si rezultat i një modeli neoliberal, i kombinuar me sistemin patriarkal të vlerave që kanë shtypur dhe shpronësuar gruan. “Vetëm 15% e grave në Kosovë posedojnë pronë, apo prona është e regjistruar në emër të tyre. Ndërsa nga privatizimi i ndërmarrjeve publike, shumë gra kanë mbetur pa punë dhe për pasojë kanë humbur pavarësinë ekonomike. Në anën tjetër, duhet vënë në spikamë llojin e punëve që e kryejnë gratë”, theksoi Rrusta.

Ajo ndër të tjera tha se seksualizimi dhe stereotipizimi i punës është njëra ndër arsyet pse sot gratë e gjejnë rehatinë e tyre në zymtësinë shtëpiake, në varësinë nga burri dhe në punët e rënda fizike në shtëpi. “Në fakt, punët e shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët janë punë të cilat rëndojnë mbi gruan edhe nëse ajo është e punësuar me pagesë. Pra, puna dhe e drejta formale e ligjore, nuk e ka çliruar gruan nga moralizimi mbi të dhe seksualizimi i vendit të punës. Duhet të themelohen vlera të reja, të tjera, si në sferën publike, ashtu edhe në atë private, ku ndarja e punëve është e barabartë mes grave dhe burrave”, shtoi aktivistja Teutë Rrusta.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se angazhimi për barazi shoqërore në përgjithësi është projekt politik që nuk kuptohet dot pa angazhim të njëkohshëm të gruas. Ne mendojmë që gratë punëtore dhe të papuna duhet të angazhohen konkretisht. Angazhimi politik shfaqet para së gjithash si pjesëmarrje dhe jo vetëm si përfaqësim.

9 mars 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!