Aksione

Aksioni pranë Ministrisë për Komunitete dhe Kthim “Këtu punon një fashist!”

_MG_6799

16 Janar 2015 - E premte 2:16

Shprendaj me te tjeret

Sot, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! protestuan para objektit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, duke kërkuar shkarkimin e ministrit Jabllanoviq.

Aktivistja Teutë Rrusta tha se u mblodhëm sot këtu për të treguar vendosmërinë tonë për rrëzimin e ministrit Jabllanoviq. “Deklaratat e tij të fundit, që i quan nënat e të zhdukurve dhe protestuesit në Gjakovë egërsira, nuk janë për tu habitur. Këto janë deklarata tipike të një kolonizatori, i cili përmes deklaratave të tilla, mundohet ta justifikojë pushtimin dhe të gjitha krimet që i ka bërë shteti i Serbisë në Kosovë”, theksoi Rrusta.

Përballë deklaratës së Jabllanoviqit, është e çuditshme deklarata e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, i cili përveç se nuk e shkarkoi Jabllanoviqin, e mbrojti dhe e arsyetoi atë. “Këtu po flasim për mbrojtjen që po i bëhet një ministër të Serbisë brenda Kosovës, ministrit të po së njëjtës Serbi që ende nuk i ka kthyer trupat e të pagjeturve, ministrit që thotë se nuk ka dëgjuar asnjëherë për masakrat që i ka kryer Serbia në Kosovë”, tha ndër të tjera aktivistja Teutë Rrusta.

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vendosën në derë të Ministrisë panon “Këtu punon një fashist!”, pikërisht për shkak të deklaratave fashiste të ministrit Jabllanoviq. Nëse Kryeministri Mustafa nuk është i gatshëm që ta shkarkojë atë, atëherë ne do t’i rrëzojmë të dy bashkë.

Me të përfunduar protesta, përderisa po shpërndaheshin aktivistët, policia filloi arrestimin e tyre pa kurrfarë arsye. Me ta marrë vesh këtë, aktivistët tjerë që kishin shkuar tashmë në zyrë, u kthyen pranë Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, ku u arrestuan aktivistët, për të kërkuar lirim e tyre. Me këtë rast, policia e Kosovës shtoi radhët e veta me njësitë speciale dhe intervenuan brutalisht duke arrestuar 22 aktivistë, dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë.

Endrit Shatri gjendet në emergjencë, me një brinj të çarë, kurse Florent Ramqaj ka këmbën e thyer.

Emrat e të arrestuarve të cilët i kemi marrë vesh deri më tani janë: Etleva Malushaj, Nora Fetoshi Egzon Balaj, Petrit Ademi, Agron Kabashi, Frashër Krasniqi, Boiken Abazi, Gëzon Kastrati, Bekim Gashi, Zgjim Hyseni, Alban Makolli, Flamur Pireva, Fatos Sahiti, Arianit Manxhuka, Imer Fejza, Rejhan Fejza, Egzon Azemi, Arbër Sejdiu, Pleurat Thaçi, Durim Elshani, Dritëro Çadraku dhe Adem Megjuani.

Dhuna ndaj aktivistëve po vazhdon edhe brenda stacionit policor. Kështu polici me numrin  9111 ka ushtruar dhunë ndaj Arbër Sejdiut, kurse policja civile Afërdita Jashari ka ushtruar dhunë ndaj Etleva Malushajt dhe Nora Fetoshit.

Përgjatë intervenimit të policisë së Kosovës, aktivistët që kanë shpëtuar nga arrestimi kanë hedhur vezë dhe domate mbi veturat e ministrit Jabllanoviq. Protestat për shkarkimin e tij do të vazhdojnë. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të na bashkohen në protestën e së shtunës, më 17 janar, të organizuar nga “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizja VETËVENDOSJE!. Protesta fillon në ora 14:00, në Parkun e Qytetit në Gjakovë.


16 janar 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!