Lajmet e fundit

Çaushi: Qeveria e dorëzuar para sëmundjes gungore të lëkurës që po mbyt gjedhet e fermerëve

driton caushiiiiii

29 Shtator 2016 - E enjte 9:44

Shprendaj me te tjeret

Kanë kaluar mbi tre muaj që kur fermerët e Republikës së Kosovës po përballën me një krizë serioze, si pasojë e Sëmundjes Gungore të Lëkurës të Gjedhi, por mbi të gjitha për shkak të dështimit dhe papërgjegjësisë së plotë të institucioneve që kanë për detyrë menaxhimin e kësaj krize dhe mbështetjen e fermerëve në situata të tilla.

Derisa në të gjitha vendet fqinje vaksinimi filloi që nga muaji qershor, në Kosovë vaksinat u vonuan për tre muaj të plotë. Kjo mundësoi përhapjen e sëmundjes në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe shkaktimin e dëmeve të pariparueshme për shumë fermerë e familje kosovare që sigurojnë mbijetesën nga blegtoria.

Përveç kësaj, dëshmuam të gjithë një dështim të plotë në marrjen e masave tjera në parandalimin dhe kontrollin e kësaj sëmundjeje. Në vend të eutanazisë dhe asgjësimit të domosdoshëm të të gjitha kafshëve të infektuara dhe kompensimit të fermerëve, kafshët e infektuara vazhdojnë të jenë burim i infeksionit, ato të ngordhura nuk asgjësohen por thjesht hidhen në deponi mbeturinash, duke rrezikuar përhapjen edhe më të madhe të sëmundjes, derisa për kompensim as që bëhet fjalë.

Derisa fermerët kosovarë humbnin bagëtinë dhe rrezikonin mbijetesën, ekipet mobile nga Serbia vaksinonin gjedhët e fermerëve serb nëpër lokalitete të ndryshme në Kosovë.

Si është e mundur të ndodhë e gjithë kjo? Çka ndërmorën institucionet përgjegjëse gjatë gjithë këtyre muajve?

Natyrisht, nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur institucioni përgjegjës për menaxhimin e kësaj krize, Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinës është i kapur nga pushteti dhe udhëhiqet nga militantë të PDK, ku edhe ata pak profesionistë të mirëfilltë shpërfillen dhe injorohen e ku rrjedhimisht vendimet e gabuara për vite me radhë paguhen me dëme të vazhdueshme ekonomike, dëme në shëndetin e kafshëve por edhe atë publik. Kujtoj këtu që për 15 vite pacientët me brucelozë nëpër spitalet e Kosovës janë dukuri e zakonshme dhe fajtori kryesor këtu është AUV.

Nuk ka se si të ndodh ndryshe kur në kulmin e kësaj krize Ministri i Bujqësisë ndodhet në Brazil duke shijuar Lojërat Olimpike e kur Kryetari i Kuvendit nëpër fushata mediatike fyen fermerët duke ju thënë: Punoni, mos u zhgënjeni, e keni mbështetjen e institucioneve.

Qytetarë të nderuar, përgjatë këtyre tre muajve është kryer një krim ndaj fermerëve kosovarë. Ata po jetojnë në ankthin e përditshëm nga humbjet e reja të bagëtisë derisa një numër i tyre tanimë ka falimentuar. Janë mijëra kafshë të infektuara dhe qindra të ngordhura. Humbjet janë çdo ditë e më të mëdha pasi që në këtë fazë të përhapjes së sëmundjes efekti i vaksinimit është tepër diskutabil.

Në një shtet funksional dhe ku ekziston llogaridhënia, një skandal i këtillë nuk do të mund të kalonte pa dorëheqjen e krerëve të institucioneve përgjegjëse.

Kjo sëmundje ka treguar përfundimisht që fermerët tanë janë të braktisur dhe ballafaqohen të vetëm përballë vështirësive jashtëzakonisht të mëdha, pa mbështetjen e Qeverisë dhe Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës.