Lajmet e fundit

Dëmi 30 milionësh mbi PTK-në gjobë e vëllazërisë Pronto

pronto

22 Dhjetor 2016 - E enjte 4:04

Shprendaj me te tjeret

Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit e ka obliguar Postë dhe Telekomin e Kosovës që t’ia paguaj kompanisë Z Mobile humbjen e pretenduar prej 30 milionë euro tashmë të konstatuar. Posta dhe Telekomi i Kosovës u padit për mos zbatimin e këtyre pikave të kontratës:

  1. Vonesat në liferimin e SIM kartelave nga ana e PTK-së për Zmobile,
  2. Mos alokimi i bllokut numerik shtesë prej 100 mijë numrave që fillon me 045 7XX XXX,
  3. Mos dhënia e shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe
  4. Degradimi i shërbimeve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar me kohë për kontratën mes PTK-së dhe operatorin “Z Mobile”. Kontrata e nënshkruar dhe tash dëmi i bërë lidhet me njerëz kryesorë të asaj kohe, veçanërisht me Hashim Thaçin si kryeministër dhe paraardhësin e tij Agim Çeku, me Ahmet Shalën si ministër i zhvillimit ekonomik dhe drejtuesve të ART-së e PTK-së, veçanërisht të Etrur Rrustemaj si drejtues i PTK-së dhe pasardhësit të tij Shyqyri Haxha.

Kjo kontratë që kur u nënshkrua kishte vetëm një qëllim: zhvatja e pasurisë publike dhe orientimi i saj në xhepat privat, në këtë rast vëllazërisë Pronto të Hashim Thaçit e Kadri veselit dhe të vëllezërve Devolli.

Asnjë nevojë, asnjë përfitim e asnjë arsye nuk kishte Republika e Kosovës e as PTK-ja e publikut që të hynte në një kontratë të tillë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht ka kërkuar hetime në lidhje me menaxhimin e kësaj ndërmarrje publike, ndërhyrjet e mafioze të klanit pronto në të, gjë që tash u konfirmua me humbjen 30 milionë eurove në arbitrazh nga Kompania Dardafone.net e njohur në treg si Z-mobile.

Historia e kontratës kriminale të bërë midis PTK-së dhe Dardafon.net është debatuar e adresuar në Kuvendin e Kosovës, e atë botë Ministri Shala, ose personazhi që i realizoi Hashim Thaçit gjithë punët e pista në ekonomi, deklaronte se gjithçka është bërë sipas ligjit, anipse  Dardafon, një kompani private do të përdorte të gjithë infrastrukturën e entit publik dhe do të merrte 73% të fitimit kundrejt 27 % që i lihej PTK-së.

Në këtë kuptim edhe ndërrimet e pronësisë nga Dardafon.LCC, në Dardafon.net/Z-mobile janë po ashtu të dhëna për komprometimin e kësaj kontrate.

Për këtë kontratë mafioze, EULEX pati hapur hetime dhe arrestoi drejtuesit e PTK-së. Ato hetime pas ndikimeve nga klani printo u heshtën, madje edhe u shuan.

Kudo, pra në çdo vend normal, me qeveri e institucione serioze, kjo kontratë do të ishte objekt i hetimit e më pas i anulimit të saj për shkak të shkeljeve të shumta që përmban. Por në qeverisjen e zaptuar nga krimi i organizuar u sajuan shkelje të qëllimshme të kontratës që duhej të hetohej, dhe si pasojë u ndërtua  një rast kundër kompanisë publike në Tribunalin ndërkombëtar të Arbitrazhit. Rast i cili rezultoi me një gjobë 30 milionëshe kundrejt PTK-së e si fitim nga një kontratë e paligjshme.

Nuk ka reagim të institucioneve shtetërore në këtë rast. Nuk tregohet se pse u pranua arbitrazhi në këtë rast, duke e ditur se dërgimi i një rasti në arbitrazh nuk mund të bëhet pa pajtimin e të dyja palëve. Për më tepër pse u pranua arbitrazh ndërkombëtar kur në sistemit juridik të Kosovës ka mekanizëm të arbitrazhit? Ende nuk kemi asnjë informatë nga institucionet shtetërore për atë se kush e ka përfaqësuar PTK-në në arbitrazh? Cila ka qenë strategjia e mbrojtjes? Pse nuk u padit ARKEP nga PTK-ja kur e obligoi këtë të fundit që ta zgjerojë bllokun numerik përtej kontratës fillestare në favor të Z Mobile? Pse ARKEP si rregullator i pavarur i tregut ia mirëmban me vendime të veta pozicionin zhvatës një kompanie private karshi publikut?

Menaxhmenti i tanishëm i PTK-së dhe Ministria e Zhvillimit ekonomik, madje dhe kryeministri sigurisht që nuk dërgojnë për ndjekje penale përgjegjësit për kontratën e dëmshme dhe nuk kërkojnë dëmshpërblimin për dëmtimin e kompanisë publike por dorëzohen para kompanisë private me të cilën sigurish që i lidh shumëçka e paligjshme.