Lajmet e fundit

Dërguti flet në Strasburg për antikolonializëm

IMG_0599

26 Janar 2017 - E enjte 5:37

Shprendaj me te tjeret

Fjalimi i mbajtur në Strasburg nga nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Znj. Aida Dërguti, në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

26 janar 2017

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin të flas sot para jush, dhe do të doja të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për shumë prej anëtarëvë të këtij Komiteti, të cilët kanë dhënë një mbështetje dhe kontribut të madh për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Kosova është një rrëfim kolonizimi që zgjati gati një shekull, dhe i përpjekjës së vendosur të popullit të saj për çlirim nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Shteti serb, gjatë luftës së fundit në Kosovë, vrau më shumë se 12,000 njerëz. Mbi 95% e tyre ishin civilë të pambrojtur – kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar. Më shumë se 3,000 janë rrëmbyer, dhe 1,600 persona janë ende të pagjetur. Ka pasur 20,000 gra dhe vajza të dhunuara. Mbi 740,000 persona janë dëbuar me forcë nga vendi, ndërsa 120,000 shtëpi janë shkatërruar nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.

Pavarësisht këtyre krimeve, Serbia ka refuzuar të kërkojë falje dhe ende e pretendon Republikën e Kosovës si pjesë të territorit të Serbisë, pndërkohë që financon në mënyrë të drejtpërdrejt strukturat paralele kriminale të saj brenda Kosovës, që mbajnë nën kontroll të armatosur një të katërtën e territorit. Serbia nuk e ka tejkaluar të shkuarën e saj koloniale. Përkundrazi, ajo është duke u përpjekur për të ringjallur atë nëpërmjet taktikave të reja politike dhe ekonomike, dhe me anë të kërcënimit të vazhdueshëm të një lufte të re.

Vetëm në javët e fundit, ka pasur tri zhvillime të ndryshme të nisura nga Serbia: ndërtimi i murit ndarës në veri të Mitrovicës, arrestimi i Ramush Haradinajt, liderit të një partie politike, si rezultat i një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia, një udhëheqës i cili u shpall i pafajshëm dhe si rezultat u lirua nga Tribunali i Hagës, dhe në fund, përpjekja për të drejtuar trenin nga Beogradi përmes Kosovës. Treni rus megjithatë u ndalua për shkak të mesazhit që mbante nga jashtë, të shkruar në 20 gjuhë të ndryshme, duke pretenduar se “Kosova është Serbi”.

Ky mesazh ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për pavarësinë e Republikës së Kosovës, që është njohur nga 113 shtete, e që sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008, nuk ka shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të ligjit ndërkombëtar. Këto njohje nuk janë arritur pa kundërshtimin e drejtpërdrejtë të Serbisë, e cila ka udhëhequr një fushatë gjithnjë e më negative ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

Përveç lobimit të pandërprerë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, Serbia vazhdon të pengojë mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo bëhet pavarësisht faktit se Serbia ka nënshkruar, nën marrëveshjen e Brukselit për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin rajonal, se nuk do të ndërhyjë në asnjë anëtarësim të Kosovës në të ardhmen.

Kjo, megjithatë, nuk është marrëveshja e vetme që nuk ka arritur të zbatohet nga Serbia. Pavarësisht kësaj situate, Serbia insiston në zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, diçka që nuk mund të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që thotë se marrëveshja nuk është në përputhje me Kushtetutën në 23 nene të ndryshme. Ka shumë çështje për të cilat kisha dashur të diskutoja më tej në lidhje me dialogun e Brukselit, por në vend të kësaj, do të përqendrohem në rendin e ditës.

Është për të ardhur keq që për një vit të tërë pas miratimit të Rezolutës 2094, ende nuk ka përparim të vërtetë në përmbushjen e paragrafit 13, në veçanti në intensifikimin e dialogut me Kuvendin e Kosovës. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka bërë detyrën e tij në këtë drejtim, duke caktuar një delegacion në përputhje me kërkesat.

Është e papranueshme që për shkak të kundërshtimit dhe refuzimit të delegacionit serb, Kuvendit të Kosovës t’i mohohen të drejtat minimale; përkatësisht e drejta që të ketë të caktuara ulëse në sallën e seancave plenare, dhe e drejta e fjalës. Përveç kësaj, këto të drejta njihen për të gjitha delegacionet e vendeve partnere, vendeve me status të veçantë mysafir, si dhe “përfaqësuesit e zgjedhur të komunitetit turko-qipriot”.

Argumenti i delegacionit serb që përfaqësuesit e Kosovës mund të marrin pjesë në punimet e Asamblesë nuk është i vërtetë. Nuk mund të konsiderohet si një e drejtë për të marrë pjesë në punën dhe procedurat e Asamblesë qëndrimi në korridor, aty ku qëndrojnë turistët që vizitojnë Strasburgun, apo nxënësit e shkollave!!! Në të njëjtën mënyrë, Asambleja mund të ndiqej edhe në webfaqe, direkt nga Interneti.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është krenare për statusin e saj si shtëpia e zgjedhur e gjithë hapësirës pan-evropiane. Megjithatë, është e papranueshme që delegacionit të Kosovës i është ndaluar e drejta për të folur për punën e tij, pavarësisht se ka një rezolutë të Asamblesë që bën thirrje për ta rritur nivelin e dialogut me Kuvendin e Kosovës! Prandaj, ne kërkojmë nga ky Komitet dhe nga Byroja e Asamblesë që të marrë vendim sa më shpejt që është e mundur, për t’i dhënë të drejtat legjitime delegacionit tonë.

Faleminderit për vëmendjen!