Lajmet e fundit

Është e mundur të bashkohemi dhe kur bashkohemi ia dalim

tirane2016

21 Shtator 2016 - E mërkurë 9:34

Shprendaj me te tjeret

“Është e mundur të bashkohemi dhe kur bashkohemi ia dalim!” Kjo shprehje e Visar Ymerit, kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ishte lajtmotivi i takimit që ai dhe deputeti i Lëvizjes Albin Kurti mbajtën me qytetarë të Tiranë në sallën “UNESCO” të Muzeut Kombëtar. Kryetema e takimit ishte bllokimi i ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, si pasojë e të cilit Kosova do të humbiste 8,200 hektarë të territorit të saj. Heqja e ratifikimit nga axhenda e Kuvendit për datën 1 shtator 2016 erdhi si rezultat i trysnisë popullore, përmes peticionit të nënshkruar prej më se 205,000 qytetarë, kundërshtimit të ekspertëve nga Kosova dhe Shqipëria, të protestave të banorëve pranë vijës kufitare, si edhe demonstratave të zhvilluara anembanë Kosovës dhe që u shtrinë edhe në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë.

 

Fjalën e hapjes në takimin e sotëm në Tiranë e mbajti pedagogu i filozofisë Elvis Hoxha, njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ai tha se ky demarkacion i kufirit të Kosovës me Malin e Zi ishte prova e korrupsionit qeveritar dhe i rezistencës së popullit. Përballë qindra mijërave njerëzve që nënshkruan peticionin dhe mbushën sheshet në mbrojtje të territorit dhe të publikes, u pa qartë cinizmi dhe logjika privatizuese koalicionit qeverisës. Duke u ndalur te jehona në Shqipëri e aksioneve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Elvis Hoxha theksoi që përtej gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, i cili përbën shpeshherë lajmin e vetëm që përcillet nga mediat e Tiranës, ekziston një angazhim i madh i përditshëm dhe kapilar i aktivistëve të Lëvizjes me qytetarët kudo nëpër Kosovë dhe që po bën ndryshimin e vërtetë politik në vend.

 

Pas tij e mori fjalën deputeti Albin Kurti, i cili marrëveshjen për demarkacionin kufitar me Malin e Zi e cilësoi si kapitullim të qeverisë së Kosovës në një luftë që nuk ka ndodhur. Ai tha se protestave të qytetarëve për 8,200 hektarë që do t’i shkonin Malit të Zi, qeveria e Kosovës iu përgjigj duke mobilizuar 8,200 policë më 1 shtator dhe përsëri u detyrua ta anulonte miratimin në Kuvend. Kosova po ndjek një orientim të gabuar, duke i bërë koncesione së jashtmi Serbisë e Malit të Zi dhe së brendshmi politikave privatizuese neoliberale. Më pas, Albin Kurti u ndal në situatën në rajon, duke vërejtur se armatimi dhe rivaliteti midis Kroacisë dhe Serbisë dhe gjeopolitika e trazuar e fuqive që ushtrojnë ndikimin e tyre në rajon, mund të ndezë sërish konflikte e kriza, prandaj edhe shqiptarët duhet të përgatiten për t’u përballur me to.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri e nisi fjalën e tij duke falënderuar të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë që kanë dhënë ndihmesë në përpjekjet për ndaljen e Zajednicës dhe të demarkacionit kufitar me Malin e Zi. Këto dy çështje, që kanë qenë prej më se një viti në qendër të jetës politike të Kosovës, kanë shfaqur hapur disa problematika themelore. Së pari, kanë treguar se qeveria e Kosovës karakterizohet nga mungesa e vetëdijes mbi sovranitetin dhe territorin. Nëse Zajednica është agresion ndaj idesë së sovranitetit të republikës, demarkacioni është agresion ndaj territorit të republikës. Së dyti, se qeveria e Kosovës ka një vetëdije privatizuese ndaj republikës, në vend që ideja e republikës të ishte rregulluese e marrëdhënieve private brenda shtetit. Së treti, këto dy çështje kanë shfaqur ekzistencën e vullnetit të popullit që i kundërvihet kapjes së shtetit nga interesat private e mafioze. Gjithashtu po vërtetohet ajo që Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte paralajmëruar qysh në fillim mbi Planin Ahtisaari, se  ai nuk mund të sillte stabilitet dhe zhvillim afatgjatë për shtetin dhe popullin e Kosovës. Kuadri ligjor i Kushtetutës së Kaçanikut, theksoi Ymeri ishte më largpamës dhe më i drejtë se sa Plani Ahtisari, për sa i përket sovranitetit popullor dhe orientimit për nga interesi publik, në dallim prej logjikës së veçimit të komuniteteve dhe sipëranisë së interesit privat që promovon kuadri ligjor i tanishëm i Kosovës që rrjedh prej Planit të Ahtisarit. Për rrjedhojë, u shpreh Ymeri, në Kosovën e pavarur nuk kemi shtet-ndërtim por shtet-rrënim dhe kjo bie në sy në dialogun asimetrik Beograd-Prishtinë që po e neutralizon vetë idenë e pavarësisë së Kosovës.

 

Përmes pyetjeve që publiku në sallë u drejtoi përfaqësuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe përgjigjeve të këtyre të fundit, u trajtuan tema të tjera, që nga koncesioni i Rrugës së Kombit, ndëshkueshmëria politike e ligjore ndaj qeveritarëve që tregtojnë interesat kombëtare e shtetërore, hemorragjia e braktisjes së atdheut nga rinia, kufizimet e kushtetutës ahtisariane të Kosovës, ndarjet artificiale Shqipëri-Kosovë, sjellja e shteteve fqinjë ndaj shqiptarëve e deri te strategjia e bashkimit kombëtar.

 

Në përgjigjet e tyre, Ymeri dhe Kurti theksuan se sovraniteti, zhvillimi e drejtësia nuk duhen parë të shkëputura, por në simbiozë me njëra-tjetrën, sepse sovraniteti është i nevojshëm për zhvillimin ekonomik dhe ky i fundit është i nevojshëm për drejtësinë sociale, e cila i paraprin drejtësisë ligjore. Në lidhje me strategjinë e Serbisë ndaj Kosovës, nëse më parë vetë serbët nuk i besonin formulës së tyre “Kosova është Serbi!”, tani sjellja e qeveritarëve të Kosovës po ua bën të besueshme e të realizueshme formulën alternative “Kosova si Bosnja!”. Ndërsa për bashkimin e shqiptarëve nevojitet më shumë vullnet e politikë idealiste, se planet ekzistojnë që nga koha e Rilindjes Kombëtare.

tirane12016 tiranee2016

Tiranë, 20 shtator 2016

Lëvizjes VETËVENDOSJE!