Lajmet e fundit

Fjala e Aida Dërgutit, nënkryetares së Kuvendit të Kosovës lidhur me kodin telefonik dhe shpifjen e ministres Edita Tahiri

Aida Derguti

16 Shkurt 2017 - E enjte 9:28

Shprendaj me te tjeret

Javën e kaluar gjatë seancës, hapësirën e pyetjeve parlamentare ku unë nuk mund të përgjigjesha, Edita Tahiri e shfrytëzoi për shpifje lidhur me letrën time që para një viti ia kam dërguar ITU-së.

Kjo  ministre u përpoq ta gënjejë opinionin publik ashtu siç është mësuar të gënjejë shpesh rreth dialogut me Serbinë.  Të gjithëve ju kujtohet kur Brukseli u detyrua ta demantoj (me 9 shtator 2016),  me rastin e deklarimeve të saj lidhur me marrëveshjen për tabelat e regjistrimit të automjeteve.

Paragrafi i dytë i letrës sime shtron kërkesën e qartë që kodi telefonik duhet t’i ndahet drejtpërdrejt Republikës së Kosovës shtrohet në paragrafin e dytë të letrës, dhe jo nëpërmjet Serbisë siç ka ndodhur. Pronar i këtij kodi telefonik  që na e solli Edita është Serbia gjë që dëshmohet edhe në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ITU-së drejtuar zëvendëskryeministrit të Serbisë Rasim Lajic. Në këtë letër Republikës së Kosovës i referohet si regjion gjeografik i Krahinës Autonome të |Kosovës dhe Metohisë. Pra me këtë emërtim është dhënë kodi e që për pronar e ka Serbinë. Prandaj, komunikimi zyrtar është me Serbinë dhe jo me Kosovën. Le të na tregoj së paku një komunikim zyrtar mes ITU-së dhe Qeverisë së Kosovës. Ky kod që legalisht është në pronësi të Serbisë,   në rend të parë cënon sigurinë kombëtare.

Përveç kësaj, letrën të cilën ia kam dërguar ITU-së nuk e kam dërguar në emër të Kuvendit sepse e di që shumica parlamentare përfaqësohet nga kjo ministre, por në emër të opozitës dhe peticionit të nënshkruar nga 200.000 qytetarë të Kosovës. Kjo letër është shkruar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë vendor, të cilët kanë punuar në ITU që nga vitet ’80 e që fatkeqësisht Edita nuk i ka konsultuar asnjëherë për këtë çështje gjatë dialogut.

Edita Tahiri nuk përtoi të më akuzoj se paskam keqpërdorur logon e Kuvendit. Ajo harron se unë jam nënkryetare e Kuvendit dhe nga ky pozicion më lejohet përdorimi i logos në çdo korrespondencë zyrtare.  Logoja e Kuvendit mund edhe të mos i pëlqej sepse në të shkruan Republika e Kosovës dhe nuk e ka fjollën e Editës që tashmë është shndërruar në ortek, e që rrezikon ta rrënojë shtetin e brishtë të Kosovës.

 

Kjo ministre madje shtirej si  e painformuar kinse vetëm gjatë seancës e kuptoi se unë e kisha dërguar atë letër. Letra ime ka qenë publike që nga 24 marsi 2016. Të njëjtën e kam lexuar në seancën e Kuvendit më 22 shtator 2016.

 

Për hir të sqarimit të opinionit po e rilexoj letrën, të cilën e kam lexuar në seancën e 26  shtatorit të vitit të kaluar.

 

Letra drejtuar Sekretarit të përgjithshëm të Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve

 

Titulli: Kodet ndërkombëtare për shërbimet telefonike në Republikën e Kosovës

I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm,

Po ju shkruaj, me përzemërsi, për të sjellë në vëmendjen tuaj shqetësimet lidhur me zgjidhjen e papërfunduar të burimeve ndërkombëtare të numrave për Republikën e Kosovës.

(1)   Është bërë e ditur se një proces është duke u zhvilluar për caktimin, nga ITU-ja, të kodeve ndërkombëtare për shërbime telefonike për vendin tonë . Ajo çka nuk i është thënë publikut të vendit tonë është fakti që këto do të jenë “kode gjeografike” që do t’i caktohen Republikës së Serbisë, për të vazhduar të shpërndahen nga Serbia, tek ajo çfarë Serbia konsideron të jetë krahina e saj e Kosovës. Iniciatorët e këtij procesi kanë kaluar nëpër vështirësi të mëdha për t’i fshehur këto fakte nga publiku, ndër të tjera, duke e përfshirë BE-në dhe Administratën Austriake. Nga ajo që është bërë publike, është e qartë se qëllimi i tyre është edhe ta përdorin ITU-në duke parashkruar njoftime dhe lajmërime të ITU-së lidhur me këtë proces. Shpresoj dhe pres që ITU-ja të refuzoj të jetë pjesë e këtij konspiracioni për ta mashtruar popullin e Republikës së Kosovës dhe të reflektojë të vërtetën e plotë në të gjitha dokumentet dhe njoftimet lidhur me këtë proces.

(2)   Republika e Kosovës është vend i pavarur, i njohur nga 111 vende të botës, apo më shumë se gjysma e anëtarësisë së ITU-së. Serbia, jo vetëm që nuk e njeh, por Kushtetuta e saj e konsideron Republikën e Kosovës të jetë territor i saj. Ky fakt i vetëm e përjashton Serbinë për të pasur ndonjë rol në shpërndarjen e numrave ndërkombëtarë për shërbime telefonike për Republikën e Kosovës. Duke pranuar rolin e Serbisë në këtë proces, në mënyrë të pashmangshme do të interpretohet si ITU-ja pranon qëndrimin e Serbisë lidhur me Republikën e Kosovës. Ne besojmë se ky nuk është, në asnjë mënyrë, qëllimi i ITU-së dhe për këtë arsye ITU-ja duhet të caktojë kodet ndërkombëtare drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës.

(3)   Pasojat e përfshirjes së Serbisë në këtë proces mund të shihen më së miri në “Planin e Zbatimit” për këto kode (http://eeas.europa.eu/statements-eeas/docs/facilitated-dialogue/150825_02-joint-action-plan_telecoms_en.pdf). Ky dokument tregon qartë çmimin e lartë që Republika e Kosovës duhet të paguajë për shkak të autoritetit dhënë Serbisë për të shpërndarë kodet e caktuara nga ITU-ja. Serbia përdor një autoritet të tillë për të diktuar politikën e telekomunikacionit, funksionet rregullative dhe operacionale në sektorin e telekomunikacionit të Republikës së Kosovës, siç janë licencimi, numrat, interkoneksioni, tarifat, etj. Kjo është një tjetër arsye pse kodet ndërkombëtare duhet të caktohen nga ITU-ja drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës dhe jo në Serbi. Nëse ka qëllim të vërtetë për të zgjidhur çështjen e kodeve të vendit, atëherë kjo nuk duhet të paraqes problem. Por, nëse Serbia ka një agjendë tjetër, siç është minimi i sovranitetit të vendit fqinj, atëherë ne shpresojmë dhe presim që ITU-ja do të refuzoj të jetë pjesë e saj.

(4)    Në dokumentet e bëra publike deri tani, është propozuar emërimi antikushtetues për vendin tonë në të gjitha dokumentet e ITU-së dhe njoftimet lidhur me këtë proces. Ne shpresojmë dhe presim që ITU-ja nuk do të pranojë një propozim të tillë, sepse kjo do të thotë pranim, nga ITU-ja, i qëndrimit të Serbisë lidhur me Republikën e Kosovës.

(5)   Për shkak të të gjitha të lartpërmendurave, ekziston një kundërshtim i fortë publik për qasjen e marrë për caktimin e burimeve ndërkombëtare numerike për vendin tonë, e shprehur, ndër të tjera, në një peticion të nënshkruar nga më shumë se 200 mijë qytetarë. Në emër të tyre dhe në emër të 30 anëtarëve të Parlamentit, unë, me përzemërsi, po i sjellë këto shqetësime në vëmendjen tuaj, me shpresën se ITU-ja do të marrë ato në konsideratë.

Ju falënderoj për kohën dhe kuptimin tuaj.

 

aida1 aida2