Lajmet e fundit

Fjalimi i Glauk Konjufcës lidhur me Kishën në oborrin e Universitetit

Glauk-Konjufca

29 Shtator 2016 - E enjte 9:35

Shprendaj me te tjeret

Kisha Ortodokse Serbe bashkë me Akademinë e Shkencave dhe Ushtrinë e Millosheviqit kanë qenë trinomi i prodhimit dhe ekzekutimit të doktrinës së supremacisë dhe hegjemonisë serbe.

Kjo doktrinë kulmoi gjatë periudhës së Millosheviqit dhe shkaktoi gjenocid në veçanti ndaj boshnjakëve e shqiptarëve.Kisha Ortodokse Serbe kishte rol të jashtëzakonshëm në indoktrinimin dhe mobilizimin e popullit serb në luftë për vrasjen e popujve tjerë.

Jam vetë dëshmitar i një dokumenti shumë të rëndësishëm të cilin nuk e ka publikuar dëshmitari i Hagës. Ky dokument është thirrje zyrtare që Kisha Ortodokse Serbe ia bënte për mobilizim në luftë të rinjve bashkë me bekimin.

Merreni me mend – një kishë që i bekon ushtarët me thirrje për vrasje e gjak.

Do të ishte mirë të botohej ky dokument zyrtar i Kishës Ortodokse Serbe, ashtu që ta sheh e gjithë bota mbarë se me çfarë kishe kemi të bëjmë. Një kishë e cila jo vetëm që drejtpërdrejt duhet të mbajë përgjegjësi për gjenocidin e shkaktuar, por që kësaj ligësie çnjerëzore ia dha përmasën hyjnore të shenjtërisë.

Dhe kurrë nuk denjoi asnjëherë të vetme ta thotë qoftë edhe një deklaratë pendese a distancimi për këto vepra makabre që ia mbajnë ende duart të lyera me gjak. Një prej veprave ogurzeza të doktrinës gjenocidale të Serbisë ishte edhe përpjekja për ndërtimin e një kishe në oborrin e Universitetit të Prishtinës. Më 27 janar të vitit 1999 këtij objekti ia vendosën edhe kryqin në maje.

Pra, pas dhjetëra e dhjetëra masakrave nëpër Kosovë që po I kryente ushtria, policia dhe grupet paramilitare, duke filluar nga Qirezi e Likoshani, te Prekazi, e Abria, dhe veç 12 ditë pas masakrës së Reçakut, Serbia në Kosovë po i festonte këto akte gjakatare përmes ndërtimit të një kishe politike.

Dhe ku se. Në mes të Universitetit të Prishtinës. Për Serbinë Universiteti i Prishtinës gjithnjë është parë si çerthull i rezistencës kombëtare shqiptare kundër pushtimit serb.

Me kaq popullatë sa kishin ata në Kosovë, dhe pas dëbimit të tërësishëm të shqiptarëve nga Universiteti, një kampus i tillë ishte shumë i madh dhe i panevojshëm. Prandaj vendosën ta serbizonin komplet fillimisht përmes ndërtimit të një kishe politike. Kurse sot, Vuçiqi po dëshiron që ta vazhdojë punën aty ku Millosheviqi e la më 27 janar të vitit 1999.

Prandaj, deklarata e Presidentit Thaçi për mbrojtjen e kësaj vepre monstruoze të regjimit të Millosheviqit, është më shumë se neveritëse. Është e mjerueshme se si nga frika se mos po përfundon në kthetrat e Gjykatës Speciale, njeriu i gjorë është në gjendje të përkulet edhe para pllakave të “terrorit shqiptar” e t’i del në mbrojtje kishave të Millosheviqit.

Ah sikur ta mbronte kështu edhe veriun e Kosovës, Kullën e Çakorrin, apo lapidarian e rrëzuar të UÇK-së në Preshevë.

Sa ndryshe do t’i kishim punët.