Lajmet e fundit

Fjalimi i Visar Ymerit, Interpelanca me Kryeministrin Isa Mustafa për kodin telefonik të​ ​Kosovës

visar-ymeri

29 Shtator 2016 - E enjte 11:41

Shprendaj me te tjeret

Le ta themi që në krye të herës se:

Kodi telefonik sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Isa Mustafa me Vuçiçin, nën patronazhin e Hashim Thaçit, i ndahet Serbisë, sepse Kosova nuk është anëtare e ITU-se e Serbia ia cakton këtë kod Kosovës. Pra, Serbia do të ishte pronare e kodit telefonik. Për këtë fakt u pat rënë dakord që mos të bëhet publike. Publikisht do të thuhej vetëm teksti i paraqitur në Marrëveshje. Pra që Austria do të aplikonte për këtë kod. Pa saktësuar se cila palë do të ishte pronare e kodit tonë telefonik.

Duket absurde qe pas kaq vitesh përpjekje shkëputjesh nga Serbia dhe pas 8 vitesh nga shpallja e Pavarësisë së vendit tonë të ketë hije dyshimi se Serbia do të jetë pronar i kodit tonë telefonik .

Në këtë absurditet na kanë futur qeveria Thaçi II dhe e ka finalizuar Qeveria Mustafa.

Çfarë  ndodhi 1 vit  më parë:

Qeveria e Republikës së Kosovës, njoftoi se me 25 gusht 2015 Kryeministri Isa Mustafa kishte nënshkruar midis të tjerash në Bruksel dhe Planin e Përbashkët të Veprimit për Telekomunikacionin[1] midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Komisioneres për Politikë të Jashtme Federica Mogherini[2].

Sipas marrëveshjes International Telecomunication Union  do t’i alokonte kodin telefonik shtetëror +383, ndërsa aplikimin do ta bënte Austria siç thuhet në marrëveshje. Citoj nga teksti i marrëveshjes:  “…kam nderin të kërkoj, në emër të Serbisë dhe Kosovës, që Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve të filloj procesin e alokimit të kodit thirrës 3 shifror për Kosovën…”(Aneksi 2: Teksti i letrës austriake për ITU.)

Ndërsa sa i takon vënies në përdorim të kodit telefonik,  pra botimit në buletin e ITU thuhej se “Teksti i buletinit të ITU- Me pajtimin e Administratës së Republikës së Serbisë, Drejtori i Telecom Serbia  i cakton Kosovës kodet ndërkombëtare si në vijim…” (Aneksi 1)

Paralelisht me këtë hap Mustafa pati rënë dakord me Kryeministrin e Serbisë që  Qeveria e Kosovës në kundërshtim me ligjin të urdhëronte ARKEP-in që të lejonte brenda territorit të Kosovës operimin e një kompanie të re që do të regjistrohej deri në hapjen e tenderit ndërkombëtar për operatorin e radhës. Ai operator është Telekom Srbija.

Marrëveshja për Telekomunikacionin ka kaluar nëpër fshehtësi të mëdha nga Qeveria e tanishme. Dhe nga ky fakt nënshkruesit e marrëveshjes në emër të Kosovës kanë kaluar nëpër një vështirësi të madhe për të fshehur fakte nga publiku në Kosovë, ndër të tjera edhe për vetë BE-në dhe administratën austriake.

Kjo dallohet qartë kur shihen dhe deklarimet e ditëve të fundit për negociata të reja për të njëjtën çështje në Bruksel dhe ku haptazi flitet për Serbinë pronare të kodit telefonik.

Ne si lëvizje por edhe opozita në përgjithësi, menjëherë pas nënshkrimit kemi bërë thirrje për zmbrapsje nga kjo marrëveshje. Midis të tjerash këtë marrëveshje e kanë kundërshtuar dhe 205 mijë firmëtarët e Peticionit të mbajtuar para 1 viti në Kosovë.

Po ashtu kemi mbajtur dhjetra konferenca e tryeza përgjatë viteve 2011-2015 me theks të veçantë këtë rrezik për kodin telefonik të Kosovës. Të gjithë specialistët e telekomunikacionit në Kosovë siç e pamë gjatë tryezës së mbajtur më 27 janar 2016 në Prishtinë e kundërshtonin haptaz këtë marrëveshje.

 

Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur nga 111 vende të botës, ose më shumë se gjysma e anëtarësisë së ITU-së. Serbia jo vetëm që nuk e njeh, por kushtetuta e saj e konsideron Republikën e Kosovës të jetë territori i saj. Ky fakt e përjashton Serbinë për të pasur ndonjë rol në caktimin e numrave ndërkombëtarë për shërbimet telefonike për Republikën e Kosovës.

Me marrëveshjen me Serbinë, kësaj të fundit i njihet kompetenca në qeverisjen me sektorin e telekomunikimit në Kosovë. Posta dhe Telekomi i Kosovës është ndarë nga Serbia 55 vjet më parë. Tani për herë të parë, pas 55 viteve me nënshkrim të Qeverisë së Kosovës, operatori shtetëror serb kthehet në Kosovë. Dhe kjo bëhet kinse për kodin telefonik, për të cilin aplikon Austria me pëlqimin e Kosovës dhe Serbisë. Tek kodet, kemi aplikuesin, titullarin (pronarin) dhe shfrytëzuesin. Aplikuesi është Austria, shfrytëzuesi është Kosovës ndërsa titullari (pronari) sipas marrëveshjes i bie të jetë Serbia.

Operatori i ri në Kosovë do të jetë një operator që është regjistruar në dhjetorin e vitit të kaluar, dhe që quhet “Telefonia Mobile e Serbisë”. Marrëveshja për telekomunikacionin, fazat e saj, si dhe forma e aplikimit për kod, kanë qenë jotransparente dhe në kundërshtim me interesin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Në kundërshtim me këtë duke pranuar rolin e Serbisë në këtë proces, në mënyrë të pashmangshme do të interpretohet, nga ana e Serbisë, se dhe ITU e ka pranuar qëndrimin e Serbisë në lidhje me Republikën e Kosovës.

Pasojat e përfshirjes së Serbisë në këtë proces shihen në “Planin e Zbatimit” të cilin e ka nënshkruar Kryeministri Mustafa, për këto kode.

Ky dokument e tregon qartë çmimin e rëndë që Republika e Kosovës ka për të paguar, për shkak të autoritetit të dhënë në Serbi për të caktuar kodet. Serbia përdor një autoritet të tillë që ta diktojë politikën e telekomunikacionit, funksionet rregullative dhe operacionale në sektorin e telekomunikacionit të Republikës së Kosovës, të tilla siç janë licencimi, tarifat, etj. Kjo është një tjetër arsye pse kodet ndërkombëtare duhet të caktohen nga ITU direkt me Republikën e Kosovës dhe jo të Serbisë.

Sipas kësaj marrëveshjeje Kosova betonohet në një rajon që formalisht gjendet nën sovranitetin e Serbisë (të paktën në sektorin e telekomunikacionit), ngase kodi merret me leje të Serbisë dhe Kosova vetëm do ta shfrytëzojë atë.

Me keto negociata vetëm se është komprementuar mundësia e aplikimit vetanak të Kosovës ose bashkëpunimit me Shqipërinë.

Praktikisht dhe politikisht edhe lobimi me këtë platformë do të kishte qenë më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm, që ishte kompensuar me përfitime nga marrja (e pakushtëzuar) e kodit.

Plani i numeracionit i Kosoves, sot e në të ardhmen, rrezikon, nëse nuk ndërrojmë kurs si shtet, të mbetet peng i marrëveshjeve me Serbinë.

 

 Pretendimet false të Serbisë për minoritetin serb dhe zgjidhja që duhet të jipte vetë Kosova për këto raste:

Paralelisht me këtë do të duhej që të vijohej  largimi i operatorëve ilegal, kudo në territorin e Republikës së Kosovës. Diçka e tillë është bërë me shumë sukses vite më parë, me operatorët e telefonisë mobile, pra është e mundshme. Pastaj, këto zona do t’i kaloheshin në shërbim operatorëve legal, me një kalim të paralajmëruar dhe pa ndërprerje, veçanërisht për shërbimet e emergjencave shëndetësore.

Argumenti bazë i Serbisë në keto negociata ka qenë që vetëm Telecom Serbia mund t’i sigurojë minoritetit serb në Kosovë shërbime të telekomunikacionit – që janë (bashkë me ato postare) pjesë e të drejtave elementare njerëzore.

Por kjo nuk qendron, pasiqë në ato zona ku nuk operon mobili i Telecom Serbia, popullata shërbehet fare mire nga Vala apo Ipko. Vala edhe Ipko për thirrjet në Serbi kanë vendosur rata shumë të volitshme, si dhe ju japin mundësi operatorëve nga Serbia të sjellin trafik tek Vala/Ipko me çmime të priveligjuara, për çka përballojnë ata vetë humbjet. E njëjta ka mundur të vazhdoj edhe me telefoninë fikse dhe posta.

 

Duhet ta kemi parasysh që Republika e Kosovës ka mundur të aplikojë vetë në ITU, sipas nenit 2 pika C të Kushtetutës së ITU-së. Po ashtu, Republika e Kosovës ka mundur ta shfrytëzojë kodin +355 të Republikës së Shqipërisë, duke e zbatuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës. Republika e Kosovës ka pasur mundësi të aplikojë nëpërmjet Republikës së Shqipërisë në ITU nëse për dy mundësitë e para paraqiteshin pengesa.

Pra, Kosova i ka pasur së paku tre mundësi të tjera. Në vend të tyre po insistohet në një kod nga Serbia.

Rreziku më i madh që i kanoset Kosovës është se duke bërë marrëveshje të tilla, duke dhënë kaq shumë nga sovraniteti në aspektin e telekomunikacionit, të përfundojmë duke u “integruar” gradualisht në sistemin telefonik të Serbisë.

Ky është padiskutim një kapitullim sa i dëmshëm aq dhe i padrejtë karshi të drejtave të cilat në këtë fushë janë fituar praktikisht edhe shumë vite para se shpallej Pavarësia e Kosovës.

[1] http://www.kryeministri-ks.net/repository/docs/Plani_i_perbashket_i_veprimit_per_Telekomin_FINAL_-_25_Gusht_-_2015_-_perkthimi_zyrtar_Shqip.pdf

[2] http://eeas.europa.eu/statements-eeas/docs/facilitated-dialogue/150825_02-joint-action-plan_telecoms_en.pdf