17 10 2016

FONDI PENSIONAL NUK DUHET TË JETË BURIM PËR HUAMARRJE TË QEVERISË

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me mbështetje të Komitetit për Politika financiare e tregtare dhe atij për Mbrojtje sociale, organizuan dëgjimin publik për ndryshimin e Projektligjit lidhur me Fondet pensionale të Republikës së Kosovës.

Në fjalën e tij, Drejtuesi i Komitetit prof. Besnik Bislimi, theksoi joseriozitetin e Qeverisë në trajtimin dhe organizimin e dëgjimeve publike për projektligjin e fondit pensional. “Qeveria e Kosovës nuk e ka organizuar asnjë dëgjim publik për projektligjin e fondeve pensionale dhe as që i ka konsideruar fare, ata që janë pala kryesore në këtë ligj, e që janë kontribuesit e këtij fondi”.

Duke përmendur mangësitë e projektligjit ai u foksua te pikënisja e gabuar për reformimin e ligjit ekzistues, që si pikënisje nuk i ka mangësitë e ligjit, por nevojën e Qeverisë për huamarrje. Nga ky qëllim parashihet që 30% e letrave me vlerë t’i shkojnë Qeverisë.

Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dardan Sejdiu në vazhdim nënvizoi se mendësia e qeverive të pasluftës sa i takon fondit pensional dhe sistemit pensional në tërësi është e gabuar. “Ka 15 vite që nuk është trajtuar si duhet ligji për fondet pensionale. Ajo çka kemi parë deri më tani janë disa ndryshime kozmetike. Po ashtu, duhet të dimë se këto fonde nuk janë pronë e Qeverisë, por vetëm e kontributdhënësve”.

Më tutje ai foli edhe për mundësinë e futjes në funksion për të mirën e përgjithshme të këtij fondi, duke kritikuar qëllimin e Qeverisë që këto fonde të përdoren për asfalt dhe shpenzime për paga e mëditje. “Fondet pensionale janë investitori më i madh institucional. Kësisoj fondi pensional mund të përdorej si fond për energji. Vendimet për fondet pensionale nuk duhet të koncentrohen,por shpërndahen. Ato duhet të shkojnë për industri e jo për paga e mëditje”, shtoi ndër të tjera z. Sejdiu.

Dilema kryesore, tha Sejdiu, është se fondet a do të jenë motor shtytës apo barrë për gjeneratat e tjera nga kjo Qeveri.

Drejtuesi i Komitetit për Mbrojtje Sociale dhe deputeti, Faton Topalli u fokusua te ndikimi i këtij projektligji në mirëqenien e pensionistëve dhe qytetarëve në përgjithësi. Ky projkektligj s’ka të bëjë aspak me pensionistët, por me nevojat e Qeverisë, në vend se të ishte i lidhur me masa për zbutjen e varfërisë.

Ndër të tjera, Topalli, dha edhe disa kritika direkte për projektligjin në lidhje me Komisioni për përzgjedhje me ç’rast ai propozoi se në përbërje përveç Ministrisë së Financave e Bankës Qendrore anëtarë duhet të ketë dhe nga opozita e përfaqësuar në Kuvend duke krijuar një mekanizëm kontrolli të mirëfilltë.

Në këtë debat morën pjesë edhe përfaqësues nga organizata që veprojnë në Kosovë. Selatin Kaqaniku, nga organizata ‘Konsumatori’ dhe njëkohësisht pensionist tha se për “borxhet dhe gabimet që i ka bërë dikush nuk duhet që pensionistët të paguajnë pasi që ata nuk janë fajtorë për një gjë të tillë, dhe se për këtë gjë dikush duhet të jep përgjegjësi”.

Kontribo