Lajmet e fundit

Klani Pronto ia vazhdon mandatin Maxhunit që të vazhdojë ta kontrollojë Policinë

maxhuni

08 Shtator 2016 - E enjte 4:19

Shprendaj me te tjeret

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e saj në lidhje me vazhdimin e mandatit të Shpend Maxhunit, në krye të Policisë së Kosovës, edhe për 5 vite të tjera. Kjo gjë është e qartë se po bëhet për t’i mundësuar klanit Pronto ta ketë tutje kontrollin total mbi Policinë, siç ka bërë me çdo institucion të shtetit.

Se Shpend Maxhuni është i kontrolluar nga pushteti, më saktësisht klani Pronto, dëshmojnë më së miri përgjimet ‘Pronto 2’, ku Adem Grabovci tregon vetë për ndikimin e tij të Maxhuni, të cilit i dërgon edhe lista me emra familjarësh e të militantëve partiakë për punësim.

Në këtë mënyrë, Shpend Maxhuni ka qenë në shërbim të klanit Pronto sa herë që i është kërkuar të luftohet Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe të shtypen e keqtrajtohen aktivistët e saj. Kjo ka ndodhur jo vetëm në protesta, ku urdhëri i tij me burim te klani Pronto, ka bërë që policia të jetë e dhunshme dhe çnjerëzore në shumë aksione e protesta publike.

Më pas, i njëjti ka zbatuar urdhëra e klanit Pronto për ta bastisur zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me 28 nëntor të vitit të kaluar, ku u tregua dhunë e terror i paparë. Si dhe janë bastisur shtëpitë e aktivistëve, siç është rasti me arrestimin e 6 aktivistëve këtyre ditëve, të cilëve iu mveshen akuza për terrorizëm pa asnjë fakt të vetëm.

Përveç këtyre shkeljeve, mandati i kaluar i Maxhunit është përcjellur me skandale të shumta, që nxjerrin një përfundim se integriteti profesional i tij është barabartë me zero, dhe se qëndrimi i tij edhe për pesë vite në krye të Policisë, e ulë edhe më shumë besimin në këtë institucion dhe kredibilitetin e tij.

Sa ishte Maxhuni në krye të Policisë, janë vjedhur 25.3 kilogramë ari në dhomën e dëshmive në Pejë. Gjatë mandatit të tij janë poshtëruar policë nga xhandarmëria serbe në Merdarë, në veri të Mitrovicës Policia ka bashkëpunuar dhe ka qenë shpesh në shërbim të MUP-it serb, kurse ‘Rojet e Urës’ kanë vepruar lirshëm. Kurse, policë të Kosovës janë dënuar e përjashtuar nga puna për shkak se kanë arrestuar rojet e Vulinit.

Poashtu, në mandatin e tij ai përflitet për tenderë të dhënë në mënyrë të dyshimtë, herë duke iu dhënë mashtruesve të ndryshëm që janë të njohur edhe për policinë, e herë kompanive të afërta me Maxhunin, familjarët e tij ose miqtë nga klani Pronto.

Me gjithë këto skandale, është e qartë dhe e kuptueshme se Shpend Maxhuni përveçse nuk duhet ta ketë edhe një mandate në krye të Policisë, ai duhet të jap përgjegjësi për veprimet e tij, si pjesë e zinxhirit kriminal të klanit Pronto. Si ekzekutues i urdhërave të Kadri Veselit e Hashim Thaçit, tash edhe Isa Mustafës, edhe Shpend Maxhuni e ka vendin në burg.