17 11 2016

Kuvendi do që të heshtet vdekja e Astrit Deharit

Pasi që ishin bërë dhjetë ditë nga vdekja e aktivistit Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, dhe institucionet e rendit dhe drejtësisë nuk dhanë kurrfarë sqarime për vdekjen përveçse deklarata kontradiktore e të pamatura, Lëvizja VETËVENDOSJE! mblodhi 40 nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare. Kërkesa në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e mbështetur nga AAK e NISMA, si dhe disa deputetë të mazhorancës, u dorëzua nga Visar Ymeri me datën 15 nëntor pranë Kryesisë së Kuvendit.

Kërkesa ishte për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me zhvillimet e fundit hetimore në rastin e vdekjes së të praburgosuri Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, përmes të cilës synohej edhe nxjerrja e një rezolute që kërkon hetim të pavarur për rastin, marrë parasysh administrimin e keq që i është bërë rastit nga organet kompetente vendore.

Si pasojë e trysnisë nga pushteti, në mënyrë të koordinuar, me të filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit që kishte në rend të ditës shqyrtimin e kësaj kërkese, shefit të Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, vjen njoftimi nga administrata për tërheqje të nënshkrimit nga deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj.

Më pas, kur u zëvëndësua nënshkrimi i deputetit Zogaj, Kryesia e Kuvendit neglizhoi mbajtjen e mbledhjes së rradhës së Kryesisë së Kuvendit të kërkuar nga ne, duke mundësuar që të ushtrohet trysni edhe ndaj deputetëve të tjerë për tërheqje nënshkrimi. Si pasojë e kësaj, deputeti Danush Ademi nga Grupi 6+ dhe deputeti Veton Berisha nga LDK tërhoqën po ashtu nënshkrimet e tyre.

Arsyetimet në të tri rastet ishin përafërisisht të ngjashme, duke thënë që e shohin të udhës të pritet raport nga organet e hetuesisë dhe të merret vesh me shumë për rastin. Por, ky ishte vetëm arsyetimi formal e publik, pasi që në bisedat private me deputetët e opozitës, ata kanë pranuar trysninë që është ushtruar ndaj tyre nga partitë e koalicionit qeverisës – PDK e LDK.

Gjatë ditës së sotme, u mbajt mbledhja tjetër e Kryesisë së Kuvendit, duke e pasur parasysh tërheqjen e dy nënshkrimeve, ku ne bojkutuam mbledhjen, kurse AAK e lëshoi mbledhjen.

Pas kësaj, filloi edhe seanca e rregullt e Kuvendit, ku fillimisht mori fjalën Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri,  i cili deklaroi edhe një herë se vdekja e Astrit Deharit është përgjegjësi e institucioneve të Qeverisë së Ksoovës, duke shtuar se qytetarët e Kosovës sot e kanë humbur besimin e drejtësisë nga këto institucione.  Gjatë kësaj kohe, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpalosën një pano me mbishkrimin “DREJTËSI!” para foltores së Kuvendit.

Më pas, Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, propozoi në përputhje me Nenin 49 të Rregullores së Kuvendit, që kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të shqyrtohet si çështje urgjente, për çfarë pati mbështetje nga dy partitë opozitare, AAK e NISMA, por jo edhe nga LDK e PDK. E në votimin që u mbajt në mungesë kuorumi, votuan 45 deputetë, prej të cilëve 25 votuan për, 16 ishin kundër dhe 4 nga ta abstenuan.Pas gjitha këtyre, përcjellë edhe me shkelje të shumta procedurale, Lëvizja VETËVENDOSJE! lëshoi seancën  e rregullt.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se Kuvendi nuk po tregon gatishmëri për të diskutuar për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, e rrjedhimisht po kërkon që të heshtet vdekja e tij, për të cilën është përgjegjës shteti i Kosovës. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë që kjo çështje të diskutohet, dhe në vazhdimësi do të angazhohemi që ky rast të zbardhet dhe drejtësia të vendoset.

Kontribo