Lajmet e fundit

Monopoli që po zhvat mërgatën tonë

02 Maj 2017 - E martë 1:34

Shprendaj me te tjeret

Në konferencën e sotme për media deputetja Donika Kadaj adresoi krijimin e monopolit për çmimet e biletave të fluturimit, problem që po e dëmton shumë mërgatën shqiptare.
Çdo udhëtar nga mërgata jonë paguan padrejtësisht mijëra euro për udhëtime në shtëpi dhe anasjelltas e këto çmime dhjetëfishohen ne periudha të pushimeve verore dhe dimërore, kurse Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që do të duhej ta hetonte, asnjëherë nuk e ka ngritur as si shqetësim e as nuk e ka zgjidhur.

“Siç e dini çmimi i biletave për bashkatdhetarët tanë që vinë nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës është shumë më i lartë se sa udhëtimi nëpërmjet cilido aeroport në rajon. Dhe sot Aeroporti i Shkupit po zëvendëson përditë e më shumë atë të Prishtinës. Në shifra janë 600 mijë udhëtarë të cilët kane braktisur Prishtinën për Shkupin. Mërgata jonë, pra mbi 800.000 qytetarë ose 30% e popullatës se Kosovës, me punën e tyre përgjatë dekadave shpëtoi Kosovën në të gjitha kuptimet. Sot, në vend se t’i krijohen lehtësira për udhëtim, investim, pjesëmarrje në institucione, në fakt ky pushtet e rrjep fillimisht me çmime astronomike të biletave e ata që vijnë me automjete dihet si kalojnë në mungese të kartonit të gjelbër”, theksoi deputetja Kadaj.

Marrëveshjet e fshehta që janë krijuar nga kompanitë e biletave të udhëtimit me shtetet ku kryesisht i kemi bashkatdhetarët tanë, po dëmtojnë padrejtësisht buxhetin e tyre. Nga këto lloj marrëveshjesh ndërmjet operatorëve ekonomikë, kompanitë të tilla po përfitojnë në kundërshtim me ligjin dhe bashkë me to edhe pushtetarët që i mbrojnë tash e dy dekada.

Ajo shtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës në tetor të vitit 2010 dhe që nga ajo kohë ky autoritet herë funksional e më shumë jofunksional, ka qenë i pavullnetshëm për t’i luftuar monopolet apo më mirë të themi kartelet e kompanive të ndryshme në vend. Për këtë, ajo tha se ka dyshime të bazuara për abuzim me pozitën dominuese të disa ndërmarrjeve apo kompanive e që ky autoritet nuk i lufton në mënyrë të drejtë e me vullnet. Teksa bordi i këtij institucioni është zaptuar nga njerëz të kontrolluar nga grupet dhe klanet e pushtetit.

“Kësisoj, Institucioni i Autoritetit të Konkurrencës për kohë të gjatë, për arsye që LDK dhe PDK nuk arrinin të dërgonin njerëzit e dëgjueshëm në këtë bord mbeti jo funksional deri në vitin 2015. Por, edhe pas kompletimit të këtij bordi, ky i fundit i ngulfat inspektorët hetimorë për të hetuar monopolet e shumta në shtetin e Kosovës. Një autoritet i tillë kur nuk është funksional e dëmton rëndë konkurrencën e lirë në treg sepse tregu si i tillë nuk mund të vetërregullohet”, tha më tutje deputetja.

Kadaj theksoi po ashtu se Autoriteti i Konkurrencës është i fuqishëm ligjërisht për parandalimin e monopolit në treg dhe këtë mund ta bëjë por vetëm me njerëz të aftë profesionalisht dhe të guximshëm, kurse për udhëheqësit e tij ajo tha se janë zhvatës dhe partiakë.

Në fund, ajo bëri me dije se për këto shqetësime rreth emërimeve partiake ne këtë institucion palë të interesuara e kanë njoftuar Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, me datën 27 prill 2016, me ç’rast prezantoi edhe shkresën zyrtare përmes të cilës ishte njoftuar.

Deputetja Donika Kadajnjoftoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vijojë ta trajtojë këtë çështje deri sa të adresohet plotësisht çmimi i biletave të fluturimit dhe përgjegjësit për këto parregullsi të dalin para drejtësisë.