12 05 2017

Qeveria nuk lejon hetim ndërkombëtar për rastin e Astrit Deharit

Zyra e Kryeministrit ka refuzuar hetimin e pavarur të rastit të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në kuadër të Qendrës Universitare në Lozanë të Zvicrës. Për këtë veprim i cili është në vazhdën e tentimeve të Qeverisë për të penguar hetimin e këtij rasti, në një konferencë për media folën deputeti Driton Çaushi dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi.

Deputeti Çaushi bëri një renditje kronologjike të të gjitha veprimeve të pushtetit me synimin për ta heshtur këtë rast, duke theksuar se rasti i refuzimit të hetimit ndërkombëtar nga një institut me kredibilitet aq të lartë flet më së miri për kapjen e drejtësisë në Kosovë.

“Me datën 20 dhjetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë e cila hapte mundësinë për një investigim të pavarur ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes së Astritit. Kjo pra u votua në Kuvend, dhe ajo që tani kemi marrë si lajm është se Zyra e Kryeministrisë, pra Qeveria e Kosovës, refuzon kërkesën e familjes për investigimin e këtij rasti nga një institucion zviceran me renome botërore, me një të kaluar të sukseshme të rasteve të zgjidhura të hetimeve të ndryshme”, bëri me dije Çaushi.

Ai kritikoi deklarimet e fundit të Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit Dehari, tha se nuk do të merret me të kaluarën. Por, shtoi po ashtu se askush s’do të mund të fshihet në të kaluarën për krimin e bërë në Burgun e Prizrenit.

Kurse, Sami Kurteshi sqaroi gjitha veprimet në lidhje me kërkesën për hetim ndërkombëtar. Ai tha se me 2 mars të këtij viti është bërë kërkesë nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e cila nuk mori përgjigje për më shumë se një muaj. Më pas tregoi se me 18 prill ka pasur një urgjencë nga avokati drejtuar Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila më pas bart përgjegjësinë tek Zyra e Kryeministrit. Tutje, avokati Gashi drejton me 21 prill kërkesën për hetim ndërkombëtar pranë Zyrës së Kryeministrit, sipas udhëzimeve nga Ministria e Drejtësisë, e që më pas refuzohet me 3 maj.

“Me 3 maj 2017, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, pranon një letër nga Drejtori i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe e njofton për përgjigjen që Ministria e Drejtësisë ka marrë për kërkesën me 14 prill. Me ketë përgjigje refuzohet nga Zyra e Kryeministrit hetimi ndërkombëtar i rastit të Astrit Deharit”, sqaroi Kurteshi, duke përmendur se si kjo Zyrë nuk i kthen drejtpërdrejt përgjigje avokatit Gashi pa asnjë arsyetim.

Ai po ashtu foli edhe për kredibilitetin dhe profesionalizmin e lartë të institutit, duke theksuar se ky institut është marrë edhe me rastin e vrasjes së kryeministrit libanez dhe raste të tjera të njohura.

Në fudn, u potencua se gjitha këto veprime flasin për tentimin e pushtetit për ta fshehur të vërtetën në lidhje me rastin, por pavarësisht gjithë kësaj, u tha edhe një herë se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të heq dorë asnjëherë nga zbardhja e të vërtetës për vdekjen e dyshimtë të Astritit.

Kontribo