Lajmet e fundit

Statistikat shtetërore nga mjet manipulimi në mjet për politika zhvillimore

tryeza

18 Prill 2017 - E martë 3:37

Shprendaj me te tjeret

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, sot u mbajt tryeza “Statistikat zyrtare të Kosovës, ligji dhe agjencia”. Deputeti Albin Kurti, si dhe profesori Besnik Bislimi përveç çështjeve ligjore u përqendruan edhe në cilësinë e këtyre statistikave, e veçanërisht për Agjencinë e Statistikave të Kosovës, e më konkretisht për problemet në këtë institucion. Ata theksuan problemet e manipulimit me të dhënave sipas nevojave të pushtetit dhe kërkesën për transformimin rrënjësor përgatitjes dhe përdorimit të tyre.

Tryezën e hapi deputetja Shqipe Pantina e cila foli për rëndësinë që ka Agjencia e Statistikave dhe për përmbajtjen e Projektligjit, i cili e ka kaluar në leximin e parë në Kuvend dhe po shqyrtohet tutje. Ajo theksoi qysh në fillim se ky Projektligj prek pavarësinë e këtij institucioni.
“Ajo që prek Projektligji në thelb është mbikëqyrja e ASK-së dhe mënyrën e menaxhimit të këtij institucioni. Nenet e tjera janë kryesisht teknike që nuk e prekin në thelb përmbajtjen, por në fakt e përmirësojnë Ligjin”, tha Pantina, duke treguar se ka një përplasje mes asaj që propozon Qeveria dhe asaj që propozon Agjencia. ASK-në kërkon që mbikëqyrja e saj të bëhet nga Kuvendi, ndërsa Qeveria me këtë Projektligj do që një gjë e tillë të bëhet nga një ministri që nuk precizohet, por që duket të jetë Ministria e Financave. Po ashtu ASK kërkon që drejtori i kësaj agjencie të këtë mandat shtatëvjeçar, kurse Qeveria do që ky mandat të jetë vetëm trevjeçar. Deputetja Pantina tha se nga hulumtimet në lidhje me mbikëqyrjen dhe menaxhimin e këtij institucioni në vendet e rajonit dhe BE-së, është parë se nuk ka një formulë fikse se si është e rregulluar. Por, ajo vuri në pah se në shumicën e vendeve kjo agjenci është ose pjesë e Qeverisë përmes Zyrës se Kryeministrit ose mbikëqyret në Kuvendi e shumë rrallë nga ndonjë ministri. Ndërkaq, mandati i drejtorit të saj kryesisht është përtej mandatit politik, pra zgjat me shumë se 4 vite.

Profesori Besnik Bislimi në fjalën e tij theksoi mungesën e statistikave dhe nevojën e reformimit të ASK-së, duke shtuar se synimi i këtyre reformave do të duhej të ishte ngritja e profesionalitetit të zyrtarëve të këtij institucioni në grumbullimin, analizën, interpretimin e paraqitjen e të dhënave, dhe këto të dhëna të mos mbahen si pronë e këtij institucioni por të jenë të hapura për ata që kanë interesim të qasjes në to.“Qeveria jonë i përdorë të dhënat statistikore për të përhapur një manipulim apo dezinformim të opinionit për të ia zgjatur jetën vetes”, tha profesori Besnik Bislimi, duke marrë shembull manipulimin e Qeverisë me shifrën e papunësisë duke iu referuar Entit të Statistikave të Kosovës.

Ndërkaq, deputeti Albin Kurti shpjegoi se edhe duke iu referuar etimoligjikisht fjalës “statistikë”, nuk mund të definohet ndryshe përveç se si diçka që i përket shtetit, gjë që tregon se shteti dhe statistikat janë thellë të lidhura. E, në rastin e vendit tonë, ai tha se qeveria gënjen edhe me statistika, duke vënë në pah edhe vërejtjet dhe hezitimet e Raportit të Progresit ndër vite për cilësinë e këtyre statistikave, çfarë pengon analizat e shëndosha. Ai pati vërejtje të shumta për punën e ASK-së, për të cilën tha se nxjerrë shumë statistika që në thelb janë të pasakta, por që i përshtaten Qeverisë, duke marrë shembullin e shifrave në lidhje me papunësinë. “Nuk i paraprinë metoda shkencore rezultatit sa rezultati politik metodës. Prandaj, duhet shikuar të tjera shifra, nga të tjera instanca, dhe atë duke u përqendruar të shifrat e punësimit më parë sesa mbi papunësinë, nëse duam ta mësojmë të vërtetën dhe të jemi të saktë”, theksoi ai.

Qëndrimet e tyre i paraqitën dhe të ftuarit ndër ta edhe Drejtori i Zyrës Ligjore të Kryeministrit, njëherazi sponzorizuesi i këtij Projektligji, Mentor Borovci dhe Drejtori i ASK-së, Isa Krasniqi. Borovci nënvizoi anët pozitive të këtij Ligji sipas tij, kurse Krasniqi foli mbi aktivitetin e institucionit që drejton dhe vështirësitë me të cilat janë përballur.

Qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sa i përket këtij Projektligji i paraqiti deputetja Shqipe Pantina, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisja Lokale dhe Media. Këtu u përmenden garantimi i pavarësisë profesionale të Agjencisë së Statistikave, ngritja e kapaciteteve të saj, ngritja buxhetit, rritja e cilësisë dhe besueshmërisë të raporteve statistikore që i prodhon Agjencia duke ofruar shpjegime dhe analiza për të dhënat që publikohen. Po ashtu u dha ideja e krijimit të një programi master për të përgatitur specialistë që dinë të mbledhin, analizojnë dhe interpretojnë të dhëna statistikore.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Komiteti për Politika financiare e tregtare