Lajmet e fundit

Takim i Kryetarit Visar Ymeri me ekspertët e zhvillimit të partive dhe të politikës nga Evropa dhe Amerika Veriore

visari

01 Mars 2017 - E mërkurë 3:38

Shprendaj me te tjeret

Sot, në zyrat e Grupit Parlamentar në Kuvend, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, takoi ekipin e ekspertëve të vlerësimit të zhvillimit të partive dhe të politikës nga Evropa dhe Amerika Veriore. Ekip ky, i udhëhequr nga Sef Ashiagbor, këshilltar i lartë i NDI-së për partitë politike me seli në Washington DC, dhe i përbërë gjithashtu nga Daniel Mitov, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, dhe Francesca Binda, eksperte për parti politike dhe për zhvillim parlamentar me më shumë se 20 vite përvojë pune.

Të pranishmit shprehën interesimin e tyre mbi qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivitetet politike në përgjithësi, dhe në veçanti për zhvillimin e politikave publike në Kuvend.

Në këtë takim u bisedua me theks të veçantë edhe për qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me bisedimet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Kryetari Visar Ymeri i njoftoi të pranishmit për rrezikun që Kosova mund të përballet me rastin e themelimit të një niveli të tretë të pushtetit në Kosovë, siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Nga takimi pati dakordim që edhe në të ardhmen të ketë takime të ngjashme, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit më të ngushtë për të trajtuar çështje të ndryshme.

Lëvizja VETËVENDOSJE!,
Prishtinë, 01 mars 2017