10 02 2007

Procesi gjyqësor kundër Albin Kurtit (2007 – 2008)

Procesi kundër Albin Kurtit filloi me arrestimin e tij më 10 shkurt 2007, ditën që VETËVENDOSJE!-a organizoi demonstratë paqësore në Prishtinë, kundër Planit të Ahtisaarit dhe për vetëvendosje. Gjatë kësaj demonstrate policia rumune e UNMIK-ut vrau dy protestues, Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, dhe plagosi 80 të tjerë me plumba gome të skaduar, shkrepur nga afërsia drejt kokave të tyre. Më pas vetë OKB-ja dëshmoi se veprimi policor qe kriminal, i panevojshëm dhe i shmangshëm. Por në vend që të ndiqeshin penalisht oficerët përgjegjës, u arrestua Albini, u mbajt në burg për pesë muaj, dhe nën arrest shtëpiak pesë muaj e gjysmë, i akuzuar për “udhëheqjen e masës që ka kryer vepër penale”, “thirrje për rezistencë” dhe “pengim të personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre”.

Gjyqi politikisht i motivuar kundër Albinit filloi më 19 shtator 2007. Në këtë rast UNMIK-u përfaqësohej si prokuror, gjykatës, palë e dëmtuar dhe emrues i të ashtuquajturit avokat mbrojtës për Albinin. Rastin e Albinit e morën gjyqtarët ndërkombëtarë të emruar nga UNMIK-u, edhe pse në praktikë ata rëndom u morën vetëm me krimet e luftës dhe rastet e dhunës ndëretnike. Albini kurrë nuk i pranoi asnjërin prej avokatëve mbrojtës pikërisht ngaqë ishin të emruar nga UNMIK-u, sundimi antidemokratik dhe i padrejtë i të cilit vazhdon ta dëmtojë Kosovën. Më 7 shkurt 2008, në seancën e gjashtë gjyqësore, rasti u pezullua atëherë kur avokati i gjashtë mbrojtës i Albinit i emruar nga UNMIK-u nuk u paraqit në gjyq, dhe kur kryetari i Shoqatës së Avokatëve të Kosovës, Ramë Gashi, lëshoi një deklaratë në të cilën thuhej që asnjë avokat tjetër “mbrojtës” nuk do të emrohet për rastin në fjalë. Duke refuzuar pjesëmarrjen aktive në padrejtësinë e UNMIK-ut, avokatët e Kosovës shfaqënn guxim e profesionalizëm dhe treguan që pezullimi i një ligji të padrejtë është i mundshëm nëpërmjet padëgjueshmërisë morale parimore.

Rasti kundër Albinit vazhdimisht ia shkilte atij të drejtat, veçanërisht të drejtën për gjyq të paanshëm. Grupet e të drejtave të njeriut, si Amnesty International, Komiteti Norvegjez i Helsinkit dhe Resisters International, u shqetësuan që rasti ishte politikisht i motivuar dhe që procedimi i rastit anonte kah prokuroria; që mbajtja e gjatë në burg e Albinit ishte e padrejtë; që seancat ishin të mbyllura; që arsyet dhe implikimet e përcaktimi të tij si i burgosur i kategorisë “A” ishin të paqarta; që ai ishte privuar nga e drejta e mundësisë për ankesë a zhdëmtim në gjykatat vendora dhe ato ndërkombëtare.

Ishte shumë e qartë që për UNMIK-un në rastin e Albinit prioritet më i madh qe izolimi i tij sesa e vërteta apo drejtësia. Gjatë dhjetë muajve të mbajtjes në burg Albini u mor në pyetje vetëm një herë, për 30 minuta. Organizatave të të drejtave të njeriut iu pamundësua që ta vizitonin Albinin, kurse përfaqësuesve ndërkombëtarë që përpiqeshin ta bindnin atë të mos organizonte demonstrata tjera, u lejohej kjo gjë.

Gjatë seancës së parë gjyqësore, më 19 shtator 2007, Albinit iu mohua e drejta e shprehjes nga gjyqtari i UNMIK-ut Maurizio Salustro, që dy herë i bërtiti Albinit “mbylle gojën!”, pasi kishte kërkuar Albinit ta shpjegonte pse e kishte refuzuar panelin e gjyqtarëve. Kjo është një pjesë e fjalës që kishte përgatitur Albini:

“E drejta e tubimit, liria e shprehjes dhe ajo e lëvizjes na janë akorduar sipas Deklaratës Universale të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në nenin 20 dhe në Paktin Ndërkombëtar të të Drejtave Politike dhe Civile, neni 21. Shkelja e këtyre, dhe etë drejtave tjera, për hatër të interesave apo levërdisë politike është e papranueshme. Në demonstratën e 10 shkurtit këto të drejta na janë mohuar kolektivisht. Kurse në rastin tim më janë mohuar individualisht të drejta universale njerëzore.

Unë nuk ju pranoj juve, gjyqtarë të këtij trupi. Nuk e pranoj prokurorinë dhe avokatin që ma keni caktuar. Unë nuk e pranoj këtë gjyq. Ju nuk jeni të paanshëm dhe as të pavarur. Duke e pranuar rastin tim, ju jeni bashkëpjesëmarrës të këtij procesi diskriminues kundër meje, duke m’i shkelur të drejtat dhe liritë e mia fundamentale. Mbi këtë arsye, kërkoj që ky rast të shfuqizohet.”

Kontribo