Regjistrohu

Regjistrohu si aktivist/e

Shënime tjera

Kam lexuar dhe pranoj te drejtat dhe detyrimet e anetarit

Kodi i sigurisë:

Manifesti

 

Liria nuk jepet. Ajo është e drejtë e pandërmjetësuar dhe nevojë e domosdoshme. Liria është e panegociueshme. Zhvillim i papenguar i mundësive vetanake. Një popull është mundësitë e tij: Liria është vetëzhvillim; zgjedhje e lirshme e rrugëve për ndërtimin e fatit kolektiv. Vetëvendosje e popujve – Liri e individëve. E kundërta është mohim i thelbit të qenies njerëzore si qenie shoqërore. Joliria është tëhuajsim.

 

Vendi ynë për shekuj me radhë nuk ka qenë i lirë. Pas pushtimit osman, erdhi okupimi serb. Ky i fundit ka qenë jo aq konflikt ndërmjet popujve, sa prodhim i elitës intelektuale dhe politike serbe. Historia e kësaj elite në raport me Kosovën është historia e një korpusi projektesh për dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet ku ata jetonin dhe shfarosjen e tyre. Që nga projekti ‘Naçertanja’ i Garashaninit (1844), e deri te Memorandumi i Akademisë së Shkencave të Serbisë, i vitit 1986, ka një vazhdimësi në qëllime, mosndryshim në përmbajtje. Vetëm diçka ka ndërruar përgjatë kohës: aspektet teknike për realizimin e këtyre planeve hegjemoniste. Ato janë bërë më perfide.

 

Çdo herë pushtetet në Serbi kanë qenë nacionaliste dhe shoveniste, sepse Serbia mbante toka të okupuara dhe popuj të shtypur. Madje, ato përherë kanë konsideruar se Serbia është e vogël dhe duhet të bëhet e madhe. Kjo ka qenë paradigma e politikës së Serbisë dhe misioni i saj. Në veçanti, shqiptarët ishin në shënjestër. 24 programe të ndryshme janë hartuar e zbatuar për dëbimin e shqiptarëve, asimilimin e tyre dhe kolonizimin e trevave që ata i popullonin me serbë. Dëbimi ishte i heshtur në kohë paqeje kur kryhej përmes diskriminimit, persekutimit dhe represionit, ndërsa ishte masiv dhe i shpejtë në kohë luftërash kur kryhej përmes pastrimit etnik, masakrave dhe terrorit. Programet kryesore famëkëqija ishin: “Naçertanja” nga viti 1844 i Ilija Garashaninit, Projekti i parë i Vasa Çubrilloviqit “Shpërngulja e Arnautëve” nga viti 1937, Konventa jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll nga viti 1938, Projektet e Ivo Andriqit dhe Ivan Vukotiqit nga viti 1939, Projekti “Serbia homogjene” i Stevan Molevacit i vitit 1941, Projekti i dytë i Vasa Çubrilloviqit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e Re” nga viti 1944, Marrëveshja Xhentëlmene Tito-Kyprili për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi e vitit 1953, e deri te Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë të vitit 1986 dhe Programi Jugosllav për Kosovën i vitit 1988. Nikola Pashiqi, Petar e Aleksandar Karagjorgjeviqi, Milan Stojadinoviqi, Dragolub-Drazha Mihajloviqi, Aleksandar Rankoviqi e deri te Slobodan Milosheviqi veçse zbatonin këto projekte e programe.

 

Kur u bë e sigurt se Lufta e Dytë Botërore do të përfundojë në favor të aleatëve antifashistë, udhëheqja serbo-jugosllave shkeli dhe hodhi poshtë si të pavlefshme Rezolutën e Bujanit (Bunjajt), të 31 dhjetori 1943 – 1, 2 janar 1944, të cilën unanimisht, me pjesëmarrje të shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve e kishte nxjerrë Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar i Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit. Në Rezolutë, thënë shkurt, pas përfundimit të luftës kërkohej e drejta për vetëvendosje deri në shkëputje për shqiptarët e Kosovës të pushtuar nga Serbia që nga viti 1912. Pas Luftës së Dytë Botërore, popullit të Kosovës i mohohet padrejtësisht shprehja e vullnetit të lirë. Ky “vullnet” falsifikohet si dëshirë e popullit të Kosovës për t’iu bashkëngjitur federatës jugosllave. Përbrenda federatës, vendi ynë kishte një status të pabarabartë me 6 njësitë tjera federative. Kosova kishte më së paku liri. Ja përse, si rrjedhim, ishte më e pazhvilluara. Sepse, çka tjetër është një popull, nëse jo ushtrimi i lirshëm i mundësive për t’u vetëzhvilluar politikisht, ekonomikisht, kulturalisht?

 

Kufijtë aktualë të Kosovës janë përcaktuar në vitin 1947. Tri dekada pas, Kushtetuta e vitit ’74 i garanton vendit njëfarë gjysëmlirie. Që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ky ishte momenti, kur populli ynë ishte në pikën më të largët nga ndikimi i pushtetit të Beogradit. Prandaj, bashkëjetesa ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve gjatë asaj periudhe ishte më e mirë, sepse represioni ishte më i ulët. Gjithsesi, gjysëmliria është joliri. Për më tepër, atëbotë vendit tonë i ishte avancuar pozita kushtetuese, në mënyrë që, duke i ofruar këtë gjysëmliri, ta shndërronin atë nga një koloni klasike siç ishte, në një koloni të brendshme.

 

Kjo kohë ishte e shkurtër: pas vdekjes së diktatorit Tito, drejtpeshimi i forcave përbrenda federatës u çrregullua. Filloi dominimi serb. Rritja e robërisë në Kosovë qëndron në përpjestim me forcimin e ndikimit serb përbrenda federatës. Zhbërja edhe e asaj gjysëmlirie ndodhi pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet: autonomia e Kosovës suprimohet në vitin 1989. Ky është momenti kur Kosova ishte më së afërmi pushtetit serb. Jorastësisht, përgjatë 10 vjetëve pasuese represioni rritet deri në shpërthimin e luftës së armatosur ndërmjet aparatit shtetëror policor e ushtarak serb dhe popullit të Kosovës.

 

Shteti serb në luftën e fundit në Kosovë vrau mbi 12.000 njerëz. Mbi 95 % prej tyre civilë të pafajshëm. Të pambrojtur. Kryesisht fëmijë, gra dhe burra të moshuar. Më shumë se 3000 persona të rrëmbyer janë ende të pagjetur. Pjesa dërmuese e tyre gjenden në Serbi. Afër 20.000 femra të dhunuara. 740.000 persona të deportuar dhunshëm. 120.000 shtëpi të shkatërruara nga ushtria serbe. Ekonomia e rrënuar.

 

E gjithë kjo kronologji e hidhur e rrjedhës së ngjarjeve e ka një emër: mungesë e të drejtës së një populli për vetëvendosje.

 

Pas mbarimit të bombardimeve të NATO-s dhe suspendimit të sovranitetit faktik të Serbisë mbi Kosovën, në vend u instalua administrata e misionit të përkohshëm ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara, UNMIK-u. Administrimi i UNMIK-ut në Kosovë është regjim antidemokratik. Si mund të ndodh ndryshe me një sistem, thelbi i veprimeve të të cilit është negacioni i vullnetit të popullit? Përkohshmëria e papërcaktuar e UNMIK-ut është bërë e padurueshme. Pushteti i tij këtu është antiteza e vetëvendosjes. Prandaj lirinë s’e kemi as sot.

 

Në krejt këtë sfond, institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, në rastin më të mirë janë pjesë plotësuese e legjitimitetit të këtij pushteti. Ato duke qenë mekanizma të këtij ingranazhi, nuk janë përfaqësuese të drejta të interesave të popullit, sepse interes fundamental i popullit është realizimi i vullnetit të vet.

 

Realizimi i vetëvendosjes nënkupton ikjen e administratës së UNMIK-ut nga Kosova. Prezenca ndërkombëtare në vendin tonë (përpos përfaqësive diplomatike) të jetë e reduktueshme në ca mekanizma të domosdoshëm për monitorimin e të drejtave të pakicave.

 

Vetëvendosja është themeli i statusit të qytetarit. Ndërkaq, dokumenti bazik në të cilin gjen mbështetjen e plotë administrimi i Kosovës (Rezoluta 1244), secilin individ e trajton vetëm si banor, status të cilin mund ta gëzojë edhe refugjati. Vetëvendosja nënkupton si e tillë vetëshpalljen e Qytetarit. Për vetëvendosjen nuk ka zëvendësim. Ajo i siguron rrënjët e individit në proceset politiko-shoqërore. Vetëm liria mundëson që nga bashkësi etnike të bëhemi bashkësi politike. Që të jemi vetë përcaktues të identiteteve tona si qytetarë e jo të veçuar e të kategorizuar kolektivisht nga pushteti.

 

Për vendin tonë vetëvendosja e brendshme është e pavlefshme, nëse ajo nuk shoqërohet me vetëvendosjen e jashtme. Ne nuk kemi nevojë për sikurinstitucione, pasi që çfarësia e tyre nuk është në të njëjtën kohë e drejtë për të vendosur për vete. Çdo bllokim i nevojës së popullit për të qenë burim sovraniteti do të manifestohet si rritje e pakënaqësisë, si rrezik për ripërtërirje krizash të vazhdueshme, luftërash të reja.

 

Kosova është çështje e lirisë. Tragjeditë e saj, të cilat duke mos mundur të mbesin të izoluara, kanë pasur implikime negative edhe në rajon, janë pasoja të pashmangshme atëherë kur një popull privohet nga liria. Kjo ka ndodhur sa herë që për Kosovën kanë vendosur të tjerët, e jo ajo vetë. Dhe, meqë problemi i Kosovës asnjëherë nuk është zgjidhur kur për të kanë vendosur të tjerët, e veçanërisht Serbia, joliria e vendit tonë rregullisht ka nënkuptuar natyrën shoveniste dhe hegjemoniste të regjimit në Serbi. Kushtetuta e vitit ’74 nuk ishte zgjidhje, sepse ajo e linte të hapur mundësinë që Kosova, duke qenë më e dobët, të ishte gjithnjë e ekspozuar ndaj rrezikut për të qenë e shtypur. Ja përse kulminimi i regjimit shtypës të Serbisë me shfarosjen e mijëra shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk ishte diçka e rastësishme. Të rastësishme nuk ishin as luftërat e tjera në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë. Duke u nisur nga parimi se e keqja nuk do të hezitojë të ndodhë sa herë që asaj t’i lihet shtegu çelë, jetësimi i lirisë ndodh vetëm kur të gjitha këto mundësi mbyllen.

 

Sot e kësaj dite, kur ndryshimet qeveritare në Serbi edhe pas rënies së Milosheviqit janë kryesisht kozmetike dhe aspak kualitative, vetëvendosja për Kosovën hap rrugë për demokratizimin e pushtetit në Beograd. Kjo arrihet përmes vetëvendosjes: pushteti në Serbi mund të demokratizohet vetëm atëherë kur çështja e Kosovës të mos mbetet problem i ndërgjegjes së pushtetarëve atje. Pavarësimi i Kosovës nga Serbia përbën edhe emancipimin e Serbisë nga Kosova, sepse përbën një goditje të rëndë për projektet shoveniste, mendësinë koloniale dhe nacionalizimin agresiv në Serbi. Vetëvendosja si shkëputje definitive është edhe altruizëm. Kontribut i paçmueshëm për normalizimin e raporteve të acaruara qindvjeçare me fqinjët. Garanci për qetësimin e rajonit. Kjo është në interesin e BE-së, ngaqë gjirit të bashkësisë së familjeve evropiane mund t’i bashkohen vetëm vendet e demokratizuara në të cilat popujt vendosin vetë për fatin e tyre.

 

Çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet duke investuar në demokratizimin e pushtetit në Beograd. Problemi zgjidhet jo atëherë kur synohet ndryshimi i opinionit të brendshëm serb për Kosovën, por atëherë kur Kosova pushon së qeni objekt i këtij opinioni. Përpjekjet për ta parë këtë zgjidhje si pjesë të ndërrimit të elitave politike serbe në pushtet, janë të gjykuara të dështojnë. Kur opozita e atëhershme akuzonte Milosheviqin për politikat e tij ndaj Kosovës, për ta nuk ishte problem shkelja e të drejtave më themelore njerëzore që po u bëhej shqiptarëve, por keqmenaxhimi i luftës. Kjo opozitë e dikurshme, sot është në pushtet. Pse të presim nga ata që të jenë të drejtë ndaj vendit tonë? Prandaj, zgjidhja ka një emër: vetëvendosje!

 

Liria kolektive është kushti fundamental i lirisë individuale. Atëherë kur mungon liria kolektive, suksesi i lirisë individuale është vetëm një ndodhi aksidentale. Efektet progresive të lirisë së individit mund të bëhen dukuri vetëm nën ekzistimin total të lirisë së shoqërisë. Pikërisht ngaqë vendit tonë i mungon liria kolektive, trendi i standardit jetësor të popullit është në rënie. Në Kosovë janë 300.000 të uritur. Kur mungon liria, barazia dhe drejtësia, mungesa e bukës bëhet e pashmangshme. Pa liri, regresi është i garantuar. Jetësimi i të drejtës për vetëvendosje nuk është garantim i domosdoshëm i suksesit, por, gjithsesi – krijim i kushteve për zhvillimin e lirë të mundësive. Marrja mbi supe e përgjegjësisë që suksesin ta bëjë motiv gjakues, dështimin – mësim përmirësues. Vetëvendosje, sepse ky është minimumi i kompensimit moral për padrejtësinë shekullore, represionin e vazhdueshëm, shkeljen e pandërprerë të dinjitetit, qindra mijëra dhunime dhe dhjetëra mijëra vrasje, shkatërrime dhe dëme të përgjithshme.

 

Vetëvendosje, sepse asnjë populli nuk mund t’i vendosen kushte për lirinë e vet. Sepse çdo popull ka të drejtë të dekolonizohet; të jetë përcaktues absolut i kahjeve të zhvillimit të mundësive të veta; i resurseve vetanake ekonomike; i pasurive të veta nëntokësore. Të përcaktojë lirshëm identitetin e tij dhe të kultivojë i papenguar frymën autentike kulturore. Vetëvendosje, sepse kjo është diçka e natyrshme: është gjë e pritshme të vendosim në interes të vetes më shumë seç do ta bënte këtë gjë tjetërkush dhe gjithkush tjetër për ne.

 

Vetëvendosje! Pa kusht. Deri në shkëputje përfundimtare. Deri në çlirimin e plotë të vendit.

Regjistrimi i juaj ka perfunduar me suksses!