10 02 2013

10 Shkurti dhe Drejtësia

Fjala e Glauk Konjufcës në Tryezën “Drejtësia e mohuar – Rasti i 10 shkurtit”

Në gjuhën shqipe fjala drejtësi është e mbarsur me një përmbajtje më se të denjë për kuptimin e saj fisnik. Drejtësi është ajo që është e drejtë. Ajo e vendos atë që është e drejtë, duke e ndëshkuar dhe duke e zmbrapsur atë që është e padrejtë. E drejta është e duhura dhe e domosdoshmja.

E drejtë është ajo që është drejt, ajo që rri drejt. Padrejtësia është e lakueshme, e kërrusur po sikur supet e mbledhura të hajnit përpara kryerjes së veprës. Drejtësia është dinjitet. Dinjitet do të thotë të qëndrosh drejt: trupin drejt dhe ballin lart.

Drejtësia, në këtë kuptim, merr trajtën e drejtimit. Drejtësia të drejton tek e vërteta. Drejtësia është drejtim vleror i shoqërisë. Drejtësia të tregon kah dhe të tregon si. Duke u ndëshkuar e keqja, tregohet drejtimi i të mirës. Ka lloj-lloj drejtimesh, por drejtimi i gabuar nuk është drejtim, sepse nuk është i drejtë. Drejtësia është drejtimi në kahun e drejtë, në kahun e duhur.

Duke qenë rruga më e shkurtër e mundshme, ajo që është e drejtë, ajo që është drejt, drejtësia është e drejtpërdrejtë. Drejtësia është shkencore. Në drejtësi nuk ka sinonime dhe metafora. Aty ka fakte, argument dhe vendime.

10 Shkurti në historinë e re të Kosovës dhe shqiptarëve është një ngjarje e cila shënjon mungesën absolute të drejtësisë. 10 Shkurti është një ngjarje dysore. Në njërën anë ka qenë populli, qytetarët, shoqëria, si mishërim i të drejtës, i të drejtave dhe i drejtësisë. Kurse, në anën tjetër, ishte pushteti si mishërim i të padrejtës, i shkeljes dhe i padrejtësisë.

Shtrohet pyetja – në ç’kuptim 10 Shkurti është mishërim i drejtësisë? E drejtë, siç dihet, është vetëvendosja. Jo më kot kjo e drejtë quhet e drejta për vetëvendosje. Populli më 10 shkurt po kërkonte vetëvendosje, po e kërkonte këtë të drejtë, ashtu që fati politik i vendit tonë të përcaktohej përmes vendimit të qytetarëve, dhe jo në pazar me Serbinë. Kjo është njëra prej të drejtave më të rëndësishme që ekzistojnë: e drejta kolektive për vetëvendosje. Plani i Ahtisaarit është shenjuesi i kundërt i kësaj të drejte. Prandaj ky plan është i padrejtë. Ky është konteksti politik i 10 Shkurtit.

10 Shkurti ishte po ashtu mishërim i të drejtës së qytetarëve për t’u mbledhur, për t’u bërë bashkë, për ta shprehur tok pakënaqësinë apo bindjet e tyre politike. Kjo e drejtë elementare dhe universale u shkel. Policia e UNMIK-ut kishte dalë në mes të sheshit Nëna Terezë, duke e bllokuar popullin që të ecte tutje. Kjo mund të kuptohet sidomos nga fakti se si ishte vendosur atë ditë policia në shesh. Dukej qartë se ata nuk kishin dalë për ta krijuar një perimetër përreth institucioneve dhe për mbrojtjen e tyre. Ata kishin dalë mu në mes të sheshit dhe ishin vendosur përballë protestuesi në mënyrë krejt frontale.  

Por atë ditë, pra më 10 shkurt të vitit 2007, pushteti i armatosur kishte zënë pritë për një qëllim edhe më ogurzi. Ai kishte dalë aty për të marrë jetë. Ai mori jetën e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt. Pse nuk u vranë edhe të tjerë, më shumë ka të bëjë me rastësinë. Se vrasjet ishin të qëllimshme e tregon mënyra e përdorimit të armëve dhe plumbave të gomës. Së pari demonstruesit qëllimisht ishin shënjestruar dhe goditur kryesisht në pjesët e epërme të trupit. Së dyti, shumë prej tyre u goditën prej një distance mjaft të ngushtë, e cila ishte vdekjeprurëse. Kurse një pjesë e plumbave që u përdorën ishin të dalë afati që prej 13 vitesh, gjë që ua shtonte atyre efektin vdekjeprurës.

Ajo që ndodhi pas ngjarjes nuk ishte tjetër veçse zgjatim i vragës së saj. Në vend që pushteti t’i arrestonte kriminelët që kryen krime, ai iu qep pas VETËVENDOSJE!-s dhe demonstruesve që kishin pësuar. U arrestuan disa aktivistë, në mesin e të cilëve edhe Albin Kurti, i cili u mbajt në burg për muaj të tërë. Me urdhër politik u bastisën si dhe u mbyllën zyrat e VETËVENDOSJE!-s nëpër komunat e ndryshme të Kosovës. Albin Kurtit iu organizua një gjyq i padrejtë dhe i motivuar politikisht. Policët rumunë, të cilët ishin pjesëmarrës në krimet e 10 Shkurtit, u kthyen në vendin e tyre dhe u dekoruan për punën e bërë. Kryepolici Stephen Curtis u kthye në vendin e tij po ashtu, kurse ministri i punëve të brendshme i Kosovës dha dorëheqje.

Unë sot dua ta risjell një hollësi e cila doli gjatë gjykimit politik të Albinit. Ndodh ndonjëherë që e vërteta nxjerr krye pikërisht në mes të gënjeshtrave më të përbindshme. Njëri prej policëve, tek dëshmonte kundër Albinit në gjyq, dha një element që paraqet indikatorin kryesor nga brenda se si 10 Shkurti kishte qenë një krim i paraplanifikuar i UNMIK-ut. Polici dëshmoi në gjyq se më 10 shkurt 2007, në mëngjes, policët e lartë të UNMIK-ut kishin zhvilluar një takim me policët e Kosovës të cilët do të vendoseshin në kordonët e parë përballë protestuesve. Atë ditë policët e UNMIK-ut u kishin thënë policëve tanë se sot VETËVENDOSJE!-a do të hynte brenda institucione dhe do t’i okuponte ato me dhunë. Prandaj kundërpërgjigja duhej të ishte e pamëshirshme dhe maksimale. Kjo, pra, tregon se demonstrata e 10 shkurtit u paragjykua qëllimisht, u inkriminua paraprakisht, ashtu që të krijohej arsyeja e domosdoshme për dhunë policore, dhe që kjo dhunë ta justifikonte ndaljen e veprimit të mveshur dhe të projektuar.

Familjeve Xheladini dhe Balaj iu shkel e drejta e gjykimit të lirë e të paanshëm në emër të imunitetit të trupave ndërkombëtare në Kosovë si dhe paprekshmërisë së tyre nga drejtësia dhe ligjet vendëse. E vetmja mundësi që atyre iu la ishte paraqitja e rastit në një institucion të UNMIK-ut, mundësi e shfrytëzuar kjo që përfundoi në mënyrë të turpshme: UNMIK-u u kërkoi familjeve të hiqnin dorë nga ndjekja penale e policëve të tij në këmbim të kompensimit material.

Me fjalë të tjera, 10 Shkurti filloi si krim dhe përfundoi si përdhosje. Por deri sot për 10 Shkurtin asnjëherë nuk pati drejtësi.

10 shkurt 2013

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo