05 02 2009

10 Shkurti

Të martën që vjen bëhen dy vjet kur u vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Mijëra njerëz po marshonin atë ditë në trajektoren e njëjtë të demonstratës paraprake: Rruga ‘Perandori Justinian’, rruga ‘Garibaldi’, rruga ‘Nëna Tereze’. Kësaj radhe forca të mëdha policore e ndaluan marshimin me barrikadat e tyre. Para masës së bllokuar nga kordoni policor për gjysëm ore u mbajtën fjalime që kundërshtonin Planin e Ahtisaarit dhe kërkonin vetëvendosje për popullin e Kosovës. Nga policia u kërkua që ta lirojë rrugën për vazhdimin e marshit protestues ashtu siç ishte planifikuar. Mirëpo, edhe policia e UNMIK-ut kishte një plan të saj për të cilin siç duket nuk ishin të informuar pjesëtarët e ShPK-së që i kishin të vënë të parët në kordon. Tetë sekonda pas vazhdimit të marshimit fillon hudhja e gazit lotsjellës dhe gjuatja me plumba gome. Arbeni dhe Moni qëllohen në kokë dhe vriten, Hysni Hyseni qëllohet në sy dhe verbohet, Zenel Zeneli qëllohet në qafë dhe në afërsi të zemrës kurse Mustafë Nerjova qëllohet në kokë. Edhe 80 të tjerë u plagosën nga plumbat e kontigjentit rumun dhe polak të policisë së UNMIK-ut. Ata gjithsej i gjuajtën 232 plumba gome mbi trupat e demonstruesve të paarmatosur. I gjuajtën nga brezi e sipër dhe kryesisht në kokë, i gjuajtën përderia ishin duke u tërhequr demonstruesit, i gjuajtën me plumba gome që u kishte skaduar afati që prej 11 vjetësh, dhe i gjuajtën nga afërsia prej 20 deri në 30 metra. E bënë saktësisht të kundërtën e rregullave të tyre. Këtyre policëve nuk iu mjaftonte që ishin mbi ligjin dhe kishin imunitet nga ndjekja penale në Kosovë. Ata i thyen edhe rregullat e tyre të brendshme. Madje, edhe kryeprokurori i UNMIK-ut dhe shefi i Departamentit të Drejtësisë, Robert Dean, përveçqë ka pohuar se vrasësit janë nga radhët e njësitit rumun, në hetimin e tij pat konstatuar që vrasjet ishin vepra kriminale të evitueshme dhe të panevojshme. Fakti që numri i të vrarëve dhe plagosurve ishte pesëfish më i madh se sa i të arrestuarve tregon se policia aty ishte për të vrarë jo për të mbajtur rendin. Gjithsesi bëhej fjalë për një skenar të parapërgatitur nga politika i cili kishte për qëllim ta thyente përfundimisht Lëvizjen VETËVENDOSJE! por edhe të dekurajonte qytetarët për protesta të ardhshme. Lëvizja VETËVENDOSJE! vepron edhe sot e kësaj dite kurse demonstrata më masive ishte pikërisht ajo pas 10 shkurtit, me 3 mars 2007. Mirëpo, policët rumunë ikën nga Kosova pasi që i kishin marrur në pyetje si dëshmitarë dhe jo si të dyshimtë – Joachim Ruecker ka mundur t’ua heq imunitetin atyre por nuk e ka bërë këtë. Në Rumani këta policë u dekoruan dhe tash sërish edhe në kuadër të EULEX-it janë përfshirë dhe operojnë policët rumunë. Urdhëri për të vrarë u pat pasuar me leje për të ikur nga vendi i krimit kurse tash së fundi edhe me ftesën për t’u kthyer në vendin e krimit.

Me 10 shkurt 2007, Grupi Negociator i Kosovës nuk ishte në Prishtinë. Anëtarët e këtij Grupi ndodheshin në helikopter të KFOR-it në veri të Kosovës. Thuajse dëshironin të siguronin alibi për krimin që do të kryhej. Thuajse dëshironin që publikisht të dihej se ata tok së bashku nuk ishin atë ditë në Prishtinë. Në kohën kur në rrugën ‘Nëna Tereze’ nuk shihej gjë nga gazi lotsjellës, në kohën kur nga tymi ngulfatës shfaqeshin demonstrues që duke vrapuar bartnin demonstrues të tjerë të përgjakur nga plumbat, Grupi Negociator ndodhej midis reve prej nga e kundronte veriun e Kosovës. Thuajse regjimi ndërkombëtar dëshironte t’iu thoshte krerëve politikë të Kosovës se veriun munden vetëm ta sodisin por jo edhe ta shkelin tokën aty. Me t’u kthyer në Prishtinë ky Grup Negociator lëshon një komunikatë shtypi ku më akuzon e dënon mua dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! por nuk e thotë asnjë fjalë për intervenimin e dhunshëm policor. Qëndrimin e tyre e përforcoi ish shefi i zyrës britanike, David Blunt, në emër të zyrave të Quint-it, duke thënë që ishte i shqetësuar që protesta e VETËVENDOSJE!-s e ka rrezikuar sigurinë personale të policisë, gjersa Naim Maloku nga Komisioni i Kuvendit për Siguri pat gënjyer në televizion duke thënë se demonstruesit kanë përdorur koktel Molotovi. Kulmin, si zakonisht, ia pat dhënë Tina Kaidanov e cila në Graçanicë, siç ka transmetuar B92, deklaron se reagimi i SHPK-së dhe i UNMIK-ut gjatë demonstratave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk ka qenë i tepruar, por i vendosur dhe ka theksuar se kjo do të jetë shenjë e mjaftueshme se një gjë e tillë nuk do të përsëritet. Fillon fushata stigmatizuese ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga politikanë, gazetarë e analistë të ndryshëm që në deklarime e mbledhje publike, në takime e biseda private shajnë e mallkojnë VETËVENDOSJE!-n e posaçërisht mua. Pothuajse të gjithë flasin për dhunën e demonstruesve anipse demonstruesit ishin vrarë e plagosur dhe s’kishte pasur fare policë të lënduar. Pothuajse të gjithë më parë distancohen nga demonstrata paqësore e VETËVENDOSJE!-s sesa të gjykojnë demonstrimin e dhunës së policisë së UNMIK-ut. Madje edhe vetë Robert Dean askund nuk thotë se demonstrata ose demonstruesit ishin të dhunshëm. Por, mbase këta politikanë, analistë dhe veprimtarë të shoqërisë civile kishin interes edhe më të madh për ta mbrojtur aksionin policor sesa vetë Robert Dean i cili ishte në krye të njërës prej katër shtyllave të UNMIK-ut.

Paramendojeni po të kishte ndodhur 10 shkurti 2007 në ndonjë kryeqytet evropian, në Londër, Paris, Berlin, Romë apo Athinë. Paramendojeni se çka do të ndodhte atje me 11 shkurt mandej. Demonstrata është dëshmi e vitalitetit të qytetarëve. Në një vend ku s’ka demonstrata, s’ka demokraci. Sepse, aty ka nënshtrim për shkak të frikës ose nënshtrim për shkak të injorancës. Në një shoqëri ku figurat e shquara të saj nuk vendosen në anën e qytetarëve që protestojnë por në anën e regjimit që vret e persekuton, nuk janë punët mirë…

Plani i Ahtisaarit është shumë aktual edhe sot. Po ashtu edhe negociatat me Serbinë e koncesionet ndaj saj të cilat nuk i ndali shpallja e pavarësisë. Kuptimi i demonstratës së 10 shkurtit 2007 shtrihet jo vetëm në kohën që vjen menjëherë pas asaj demonstrate por edhe në të ardhmen e dyvjetorit të saj në prag të të cilit jemi. Dy vjet më parë sfidimi i regjimit e ka zbuluar fytyrën e vërtetë të tij. Një fytyrë që s’ka ndryshuar as sot e kësaj dite. Andaj, edhe beteja vazhdon…

Kontribo