E DREJTA E DREJTËSIA


Pjesë integrale dhe e domosdoshme e sistemit të drejtësisë është gjyqësori i pavarur, i paanshëm, me integritet dhe efikas. Për të arritur këtë, nivelet më të larta hierarkike të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen procesit të vetingut. Nëpërmjet këtij procesi synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këshillave, procesi i vetingut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial.


Do të fuqizohet mekanizmi i ndihmës cilësore juridike për qytetarët. Do të bëhen plotësime në Ligjin për Ndihmë Juridike Falas me qëllim që të drejtën për përfaqësim pranë gjykatave ta kenë edhe viktimat e dhunës në familje apo dhunës në baza gjinore si dhe dhunës seksuale, por po ashtu edhe në rastet civile të divorceve, amësisë, apo çështjet e trashëgimisë dhe ndarjes së pasurisë së përbashkët.


Qeveria jonë do të dëshmojë përkushtim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në këtë drejtim do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në departamentin special në kuadër të Gjykatës Themelore ne Prishtine dhe asaj të Apelit. Kjo do të mundësohet përmes mbështetjes financiare për sistemin e drejtësisë me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre.


Po ashtu do të punohet në drejtim të krijimit të Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës. Krijimi i këtyre Gjykatave të reja me sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve, me numër të nevojshëm gjyqtarësh të profesionalizuar në fushat përkatëse, do dëshmonte rezultate të prekshme në praktikë.


Qeveria do të hartojë projektligjin për realizimin e të drejtave civile, me anë të së cilit synohet shkurtimi i afateve procedurale për zgjidhjen e kontesteve civile, transformimi i sistemit të bashkëpunëtorëve profesionalë që vlerësojnë kontestet, e sanksionet penale ndaj gjyqtarëve për mosrespektim të afateve.



Krahas vlerësimit të nevojave në sistemin gjyqësor, duke pasur parasysh rëndësinë, Qeveria do të shtoj kapacitetet e Prokurorisë Speciale. Prokurorët e Prokurorisë Speciale do të jenë të ndarë në departamente dhe do të ketë trajnime dhe profilizime të tyre varësisht nga veprat që hetojnë.


Do të fuqizohet departamenti për krime lufte brenda prokurorisë speciale. Ky departament do të mbështetet me prokurorë të rinj dhe bashkëpunëtorë profesional dhe do të angazhohemi për rishikimin e kurrikulës së trajnimeve brenda Akademisë së Drejtësisë si dhe shtimin e trajnimeve të veçanta e të specializuara brenda Akademisë së Drejtësisë për hetimin dhe trajtimin e rasteve të krimeve të luftës duke pasur parasysh ndjeshmërinë e tyre.


Po ashtu, do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale edhe në departamentet për krim të organizuar, korrupsion dhe krime financiare në kuadër të Prokurorisë Speciale duke pasur parasysh përkushtimin tonë për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.


Numri i prokurorëve në Prokurorinë speciale dhe bashkëpunëtorëve profesional në raport me lëndët që trajtohen në këtë prokurori është shumë i vogël.


Duke pasur parasysh rëndësisë dhe specifikat e veçanta të Administratës së sistemi të drejtësisë, do të procedohet në Kuvend projektligji që rregullon statusin e administratës së sistemit të drejtësisë.

Kontribo