EULEKSPERIMENTI nisi dhe do të mbarojë i dështuar

30 Oct 2014

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar sot një aksion simbolik për të treguar se peshqit e mëdhenj të korrupsionit nuk ndodhen vetëm në Qeverinë e Kosovës, por edhe brenda EULEX-it. Peshqit e mëdhenj të korrupsionit qeveritar nuk do të mund të ekzistonin pa ndihmën e peshqve të mëdhenj ndërkombëtarë të korrupsionit. Këto dy specie peshqish grabitqarë janë në bashkëpunim, dhe i zgjasin jetën njëri-tjetrit. Sot në mënyrë simbolike peshqve ndërkombëtarë të korrupsionit Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka hedhur rrjetën dhe karremin që i josh ata më së shumti: paranë.

Tash kur po bëhen 6 vite punë të EULEX-it në Kosovë, në vendin tonë është rritur krimi i organizuar dhe korrupsioni. Këtë konstatim e nxjerrin edhe shumë raporte vendore dhe ndërkombëtare. Së fundmi është vërtetuar përtej çdo dyshimi qëndrimi që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shprehur 6 vite më parë: misionet ndërkombëtare që sundojnë mbi ligjin në Kosovë nuk mund të vendosin drejtësi, dhe as nuk mund të jenë zëvendësim për drejtësinë vendore. Dalja sheshit e aferave korruptive të EULEX-it flet qartë për faktin se lufta kundër peshqve të mëdhenj të korrupsionit nuk mund të bëhet nga ky mision që jo vetëm është mbi ligjin, por edhe nuk i jep llogari asnjë institucioni vendor, e as popullit të Kosovës. Sot është e qartë që ky mision është edhe vet i përfshirë në nivele shumë të larta korrupsioni.

Aferat e fundit e dëshmuan një bashkëpunim të pashoq mes krimit të organizuar në Kosovë dhe eksponentëve të këtij misioni. Rasti i Ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, është kulmimi  i këtij bashkëpunimi. Si mund të flitet për drejtësi në një vend kur i pari i drejtësisë vendore ka ndërhyrë në aranzhimin e takimeve në burg mes të akuzuarve për krim të organizuar dhe korrupsion. E në anën tjetër eksponentë të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë kanë pranuar shuma të mëdha parash për të mbyllur raste kriminale. Këto raste janë bërë publike pavarësisht përpjekjes së EULEX-it për t’i mbajtur ato të fshehta. Nisur nga kjo përpjekje për ta fshehur të vërtetën ne mundet vetëm që ta imagjinojmë se sa raste të tjera ende nuk kanë ndalë në dritë. Është krejt e qartë që aty ku nuk ka vullnet për të luftuar krimin dhe korrupsionin bashkëpunohet me të.

Është momenti që të theksojmë se nuk do të ketë asnjëherë drejtësi në Kosovë për asgjë sa kohë drejtësia drejtohet nga misione dhe gjykata që nuk japin llogari para popullit. Krijimi i Gjykatës Speciale Ndërkombëtare për krime të luftës është mashtrimi dhe padrejtësia e radhës që po i përgatitet vendit.

Drejtësia nuk mund të vendoset nga ekspertë dhe profesionistë që nuk kanë as vullnetin dhe as përgjegjësinë politike për të vendosur drejtësi. Drejtësia nis nga vullneti politik i forcave që kanë guximin dhe përkushtimin për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Sa më shumë t’i zgjatet jeta EULEX-it dhe misioneve të tjera që sundojnë mbi Kosovën, aq më shumë do të rritet padrejtësia mbi popullin tonë.

30 tetor 2014 Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera