Enver Hasani po përpiqet ta nxjerrë nga balta “qerren” e PDK-së

07 Oct 2014

Të martën, më 7 tetor, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi aksion simbolik përmes të cilit pasqyrohet kapja e Gjykatës Kushtetuese nga SHIK-u dhe PDK-ja. Në sheshin kryesor të Prishtinës u vendos një kalë që mbante emrin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e që tërhiqte “qerren” e PDK-së me në krye Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Qerrja e PDK-së mbante mbi vete asociacionin e komunave serbe, kapjen e shtetit nga strukturat e SHIK-ut, marrëveshjet me Serbinë, thellimin e varfërisë dhe papunësisë, shkatërrimin dhe privatizimin e ndërmarrjeve publike, shkatërrimin dhe privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, futnotën si dhe “rehatimin” e dajave.

Në këtë aksion u prononcua aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Frashër Krasniqi. Ai midis të tjerash tha se “pushtetet në Kosovë, në vend që të jenë të ndara nga njëra tjetra, janë shumë të varura prej njëra tjetrës. Pra, në vend që ta kemi një Gjykatë Kushtetuese me integritet dhe pavarësi nga pushteti i kaluar, e kemi një Gjykatë Kushtetuese komplet të varur nga PDK-ja dhe SHIK-u. Në vend që ta kemi një Kryetar të denjë të Gjykatës Kushtetuese, e kemi Enver Hasanin, i cili është njeri i varur nga kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe nga shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli. Enver Hasani përmes Gjykatës Kushtetuese është duke e tërhequr zvarrë “qerren” e PDK-së e cila ka ngelur në baltë dhe nuk po ec më, sepse nuk e ka shumicën. Enver Hasani po mundohet ta tërheqë zvarrë një qerre e cila bartë vetëm mjerim, negociata e marrëveshje me Serbinë, kompromise të dhimbshme e degradim ekonomik për popullin e Kosovës”, u shpreh Krasniqi.

Ai ndër të tjera shtoi se qytetarët e Kosovës vazhdimisht po vetëdijesohen se demokracia në Kosovë nuk mund të ndërtohet duke u bazuar në vendimet e këtyre personave kaq të korruptuar, të shantazhuar e të kontrolluar nga njerëzit e PDK-së dhe të SHIK-ut. “Demokracinë në Kosovë duhet ta gjejmë diku tjetër, e kurrsesi në Gjykatën Kushtetuese, e as në vullnetin e PDK-së dhe të Hashim Thaçit”, tha në fund aktivisti Frashër Krasniqi.

7 tetor 2014 Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera