Produkt i Serbisë – bojkotoje!

09 Sep 2014

Sot aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! realizuan një aksion simbolik në billbordat e qytetit ku është reklamuar Uji “Rosa”  i cili është produkt që vjen nga Serbia.

Ata shkruan në billborda “Produkt i Serbisë – bojkotoje”. Gjatë aksionit për media u deklarua aktivistja Tinka Kurti, e cila ndër të tjera tha se:

“Përpos që uji i prodhuar në Serbi “Rosa” ka vërshuar tregun e Kosovës, tash kemi parë që e ka mbuluar edhe qytetin me reklama. Ne jemi këtu për të bërë thirrje që të bojkotohet ky produkt sikur edhe produktet e tjera me barkodin 860.

Duhet pasur parasysh se përdorimi i produkteve nga Serbia e ndihmon më shumë shtetin dhe ekonominë serbe, duke dëmtuar atë tonën. Ne duam të kujtojmë se vërshimi i këtyre produkteve është vazhdimësi e dëmtimit të ekonomisë tonë nga Serbia.

Ndërkaq, bëhet fjalë për të njëjtën Serbi që ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk i ka kthyer trupat e të pagjeturve, nuk ka dëmshpërblyer për dëmet që ka bërë si dhe ende mirëmban strukturat ilegale në veri të vendit, na i vret qytetarët tanë në kufi, dhe përpiqet çdo ditë të prishë funksionalizimin e shtetit tonë.

Bojkoti duhet të zgjasë deri kur Serbia ta njohë shtetin tonë, t’i pranojë krimet e kryera, t’i paguajë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara dhe t’i largojë strukturat ilegale e kriminale nga vendi ynë.

Kurse, sa i përket ujit Rosa, duhet cekur se në mos asgjë, Kosova prodhon ujë. Kosova ka mbi 20 kompani të ujit që duhen mbështetur nga të gjithë ne, e në radhë të parë nga institucionet shtetërore”.

Ky aksion u organizua në vijim të fushatës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mbështetjen e prodhimeve vendore “Duaje Tënden” dhe bojkotimin e produkteve që vinë nga Serbia.

9 shtator 2014 Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera