Gjykata kushtetuese – E nxone, PDK

28 Aug 2014

Sot aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan një aksion simbolik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ky aksion erdhi pas Aktgjykimit arbitrar të gjashtë , prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pra Enver Hasani, Arta Rama, Ivan Cukaloviq, Altay Suroy, Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova, të cilët me vendimin e tyre kanë cenuar rendin demokratik në vend.

Pas këtij aksioni për mediet u deklarua Zgjim Hyseni, anëtar i Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, cili tha se: “Gjykata Kushtetuese përmes vendimit të fundit, duke interpretuar Kushtetutën e ka ndryshuar atë. Ky fakt në vetvete nuk përbën problem. Kushtetuta jonë edhe ashtu ka shumë pika ku duhet ndryshuar. Në shumë pika të saj ajo ka kufizime e barriera të cilat populli i Kosovës domosdo do t’i tejkalojë.

Problemi është që këto ndryshime nuk po bëhen për të zgjeruar fushën e të drejtave që u takojnë qytetarëve, dhe rritur mundësitë që këto të drejta të realizohen, por pikërisht e kundërta. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë vetë Kushtetutën mjet pushteti. Në vend se të ishte formalizimi juridiko-politik i vullnetit popullor, përmes vendimit të fundit, Kushtetuta po përdoret si instrument për ta shtypur këtë vullnet e për t’i dhënë formë legale sundimit jodemokratik. Ai sundim autoritar që braktis vullnet popullor, por ushtrohet përmes procedurave ligjore quhet tirani.

Ky aksion simbolik që kemi organizuar sot ka për qëllim protestën dhe kundërshtimin e këtij vendimi. Kjo kurorë varri tregon se çfarë i ka bërë Gjykata Kushtetuese demokracisë parlamentare në Kosovë: e ka varrosur. E ndërsa grafiti që shkruam në murin e saj, “E nxone- PDK” shpërfaq realitetin e këtyre gjyqtarëve.

Por, ka diçka që duhet t’i kujtojmë kësaj Gjykate sot. Në krye të çdo vendimi të Gjykatës jo më kot kemi shprehjen “në emër të popullit”. Ka një gjykatës që është edhe mbi ju”.

28 gusht 2014 Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera