Thaçi e solli mollën e kuqe tek Ura e Ibrit

31 Dec 2013

Në mars të vitit 2012, Hashim Thaçi, duke shitur patriotizëm, pat deklaruar që Qeveria e Kosovës e di ku është Molla e Kuqe. Mjafton të marrë vendim Kuvendi, thoshte ai, dhe qeveria është e gatshme për çdo gjë.

Por, nëse para më shumë se njëqind vjetësh kufiri i shqiptarëve u luajt dhunshëm nga Serbia dhe vendet e tjera të rajonit, në kurriz të territoreve shqiptare, sot është pikërisht Hashim Thaçi ai që po e luan kufirin shqiptar ne kohë paqeje në favor të aspiratave shoveniste të Serbisë, sa për ta ruajtur pushtetin e tij kriminal.

Përmes negociatave të vazhdueshme me Serbinë dhe marrëveshjeve me këtë shtet armik, Hashim Thaçi na e solli Mollën e Kuqe tek Ura e Ibrit, me tendencë që këtë kufi ta zbres edhe më tutje në jug të vendit tonë. Në vend që Qeveria të depërtojë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes ligjit, rendit, ekonomisë dhe shtetit social, Thaçi, me një zell të jashtëzakonshëm, i hapi rrugë depërtimit të Serbisë brenda vendit tonë, përmes krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe, madje deri në Kuvendin e Kosovës, ku po përpiqet t’u sigurojë strukturave të Serbisë mandate të rezervuara.

Gjatë vitit 2013, me marrëveshjen e 19 prillit, Hashim Thaçi i krijoi bazat formale, megjithëse anti-kushtetuese, të një republike serbe brenda Kosovës. Në vitin 2014, Thaçi do të përpiqet me po të njëjtin zell që këtë republikë t’ia dhurojë Serbisë edhe në teren, gjë që tashmë e ka filluar.

Por në anën tjetër, viti 2014, popullit të Kosovës do t’i ofrojë edhe raste të reja për t’i kundërshtuar dhe ndaluar këto projekte, për të cilat tashmë nuk ka kurrëfarë dyshimi se do të jenë shkatërruese për shtetin dhe institucionet tona. Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta vazhdojë angazhimin e saj, institucional dhe jashtë-institucional deri në ndaljen e këtij procesi të dëmshëm dhe deri në fillimin e njëmendtë të shtrirjes së sovranitetit të shtetit tonë, në çdo cep të vendit.

31 dhjetor 2013 Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera