Aksioni “Flamuri kombëtar në Merdar”

26 Nov 2012

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan sot një aksion simbolik në Merdar. Aksioni kishte si qëllim vendosjen e flamurit kombëtar dhe një tabele ku shënohej “Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë”.


Ne zgjodhëm për ta vendosur flamurin kombëtar në Merdar në përkujtim të betejës së Hasan Prishtinës 100 vite më parë, i cili organizoi luftë mbrojtëse pikërisht në këtë zonë kundër forcave serbe që po sulmonin Shqipërinë.


Me të filluar vendosja e flamurit kombëtar në një shtyllë pranë pikës kufitare në Merdar, Policia e Kosovës intervenoi brutalisht për t’i penguar aktivistët. Gjatë këtij intervenimi të dhunshëm nuk u kursye as ekipi i Kosovapress-it, kameramani i të cilit u përplas për tokë dhe u mbajt i arrestuar nga policia për rreth 1 orë.


Me gjithë këtë intervenim, aktivistët ja arritën që të ngrenë flamurin kombëtar si dhe të vendosin tabelën “Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë”, të cilat u hoqën më pas nga Policia e Kosovës, me t’u larguar aktivistët tanë.


Është e çuditshme se si në të gjithë Kosovën, në të gjitha institucionet dhe sheshet e vendit është vendosur në mënyrë masive flamuri kombëtar, madje dhe Kryeministri e Presidentja janë duke marrë pjesë në aktivitete ku nderohet ai, e i vetmi vend ku u ndalua të vendosej flamuri kombëtar shqiptar është pikërisht kufiri përballë Serbisë.


Hashim Thaçi duhet ta dijë që nuk ka nevojë ta drejtojë flamurin kombëtar përballë Sali Berishës por përballë Serbisë.


26 Nëntor 2012


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera