Kundër shtetit policor në Kosovë, kundër pazareve me Serbinë në Bruksel

22 Oct 2012

Protesta e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që u zhvillua të hënën, në datën 22 tetor, ishte një organizim politik i aktivistëve tanë, për të shprehur revoltën legjitime dhe kundërshtimin tonë ndaj dialogut me Serbinë. Protesta jonë mori shkas nga takimi kriminal i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me zëdhënësin e Milosheviçit, antishqiptarin e deklaruar, kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç. Motoja e kësaj proteste shprehej në parullën e madhe që aktivistët e mbanin ndër duar, e cila shkruante “Bashkim me Shqipërinë, jo pazare me Serbinë!”.


Ky sllogan i joni, duket se ka provokuar reagimin e ashpër të mjeteve brutale të qeverisë, të policisë dhe të forcave speciale, të cilat dëshmuan me dhunën e tyre se sa e rëndësishme është për këtë qeveri mbrojtja e pazareve me Serbinë.


Por këto pazare me Beogradin nuk mundet të bëhen të pranueshme në asnjë lloj rrethane. Serbia ende nuk na i ka kthyer 1750 të pagjeturit e luftës së fundit, nuk ka kërkuar falje për 12.000 civilë të vrarë, afër 20.000 gra të dhunuara, dhjetëra mijëra shtëpi të djegura, dokumentet e rrëmbyera dhe mbajtja e paligjshme e kontributeve pensionale të qindra mijëra punëtorëve të Kosovës. Buzëqeshjet mes Thaçit dhe Daçiçit nuk i zhbëjnë këto fakte, përkundrazi, janë pikërisht këto shtrëngime duarsh të Thaçit në emër të viktimave me xhelatin që vijon të mbetet xhelat, Daçiç, që e bëjnë situatën thellë e më thellë anormale.


Në të drejtën universale për protestë, ne u organizuam dhe shkuam që në mëngjes para portave të oborrit të qeverisë. Synimi ynë ishte që me trupat tanë të bllokonim hyrjet, vetëm për atë ditë, në mënyrë që të mos lejonim një pseudo-normalitet në një moment kaq anormal. Asnjë prej protestuesve nuk ishte i dhunshëm, dhe siç ndodh zakonisht në protestat tona, aktivistët ishin instruktuar të vetëpërmbaheshin.


Por protestës sonë simbolike policia iu përgjigj me një turrje brutale. Ata dhunuan që prej fillimit aktivistë e deputetë, madje dhe qytetarë që ndodheshin aty vetëm rastësisht. Policia i shtyu me gaz lotsjellës dhe me shkelma protestuesit, prej oborrit të qeverisë e gjer në sheshin Nëna Terezë. Aty, protestuesit u ulën, dhe përmes fjalimeve të ndryshme, aktivistët bënë të qartë se nuk kishte kurrfarë qëllimi të dhunshëm protesta, përpos se të shprehte indinjatën qytetare në rrethinat e qeverisë.


Pas disa provokimeve, policia ndërmori disa sulme ku pësuan lëndime të rënda qytetarë e aktivistë. Përmendim këtu 9 aktivistë të dëmtuar rëndë, një pjesë e tyre të rrahur jo vetëm në shesh, por edhe në stacion të policisë. Disa prej tyre morën mjekim në emergjencë, edhe pse policia ndërhyri dhe në ambientet e emergjencës, duke arrestuar aktivistët brutalisht në spital. Një qytetare gjermane, familjare e një aktivisti të Lëvizjes VETËVENDOSJE! pësoi një tronditje të rëndë gjatë sulmit të policisë, dhe është ende në gjendje të komës.


Përveç kësaj, dhuna policore e pushtetit të ndërtuar mbi vjedhjen e votave vijoi me gaz lotsjellës, me sprej piperi, me pendrekë madje dhe duke shkelur protestuesit e ulur në shesh me çizmet e tyre. Pas protestës policia si zakonisht justifikoi dhunën, por kësaj radhe edhe përmes një shpifje të papranueshme. Policia deklaroi që Lëvizja VETËVENDOSJE! synonte të hynte në ambientet e qeverisë me dhunë, por kjo nuk ka qenë e vërtetë. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk synonte të hynte në ndërtesën e qeverisë, as edhe në oborr, as me dhunë e as pa dhunë. Shpifjet e policisë nuk mund ta mbulojnë sadizmin që është dëshmuar nga qindra qytetarë, të dokumentuar në dhjetëra foto e video që tashmë qarkullojnë në medie e rrjete sociale.


E gjithë kjo dhunë, nuk arriti ta ndalte indinjatën qytetare. Protestuesit dhe aktivistët mbërritën ta lironin sheshin Nëna Terezë nga forcat speciale, dhe e arritën synimin e tyre për protestë paqësore pranë qeverisë. Por dhuna e shtetit policor, brutaliteti i pushtetit të pasigurt të Thaçit përbëjnë arsye për një tjetër protestë. Kështu, të martën, në datën 23 tetor, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka thirrur popullin në një demonstratë dy orëshe, kundër pazareve me Serbinë, kundër dhunës qeveritare e shtetit policor në Kosovë, dhe për të kërkuar lirimin e mbi 60 aktivistëve dhe qytetarëve e për të kërkuar ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve për këtë shfaqje të terrorit në rrugët e një qyteti që po përgatitet të festojë 100 vjetorin e pavarësisë kombëtare!


Prishtinë, 22 tetor 2012


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera