Ministria e Shkatërrimit Ekonomik

23 Sep 2012

Sot, 23 shtator 2012,  aktivistët e VETËVENDOSJE!-s organizuan një aksion simbolik në ndërtesën Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Më poshtë keni të plotë prononcimin e aktivistit Nol Nushi, dhënë para mediave gjatë realizimit të aksionit:


Objekti përballë të cilit gjendemi mban emrin: “Ministria e Zhvillimit Ekonomik”. Puna që ka bërë dhe po bën kjo ministri është aq e dëmshme e shkatërruese që veç zhvillim nuk mund t’i thuhet.


“Zhvillim” quajnë zhvillimin e privatizimit. Numërojnë si ekonomi të vendit fitimet milionëshe të korporatave të huaja. Efikasiteti është parimi, mungesa totale e reflektimit dhe përgjegjësisë për pasojat e tij tek qytetarët është karakteristika e këtij modeli. Korrupsioni, zhvatja, grabitja, uzurpimi e trajtimi i egër për gjithçka publike është logjika qeverisëse e sistemit neoliberal. Hashim Thaçi e Besim Beqaj janë zbatuesit e tij.


Ministria me të cilën udhëheq Besim Beqaj po vazhdon rrugën e verbër të privatizimit. I nisur kohë më parë, duke emëruar në bordet udhëheqëse të ndërmarrjeve militantë partiakë në vend të profesionistëve, për të ulur vlerën e ndërmarrjeve, por njëkohësisht për ta gatitur arsyen e privatizimit. Korrupsioni i ushtruar nga po kjo qeveri vjen e bëhet shkaku i privatizimit që do ta bëjë po kjo qeveri. Emërimi i njerëzve të korruptuar nëpër borde udhëheqëse që punojnë për interesa private dhe privatizimi janë e njëjta gjë. E kundërta e korrupsionit nuk është privatizimi, por trajtimi me kujdes e përgjegjësi ndaj pronës publike. Na thonë se PTK-së po i bie vlera, ndërkohë që janë vendimet e tyre që i kanë ndaluar investimet në këtë ndërmarrje. Janë këta qeveritarë që thirren në liberalizmin e konkurrencën ndërkohë që me privatizimin e KEDS-it krijojnë monopol privat.


Besim Beqaj, zyrtari që udhëheq këtë proces, ka deklaruar se kundërshtimi i privatizimit që kishin shprehur qytetarët përmes protestave e peticionit po e dëmton imazhin e vendit. Përpara se të kujdesemi për imazhin, cili është thelbi i këtij imazhi që e ruan me aq xhelozi ministri i zhvilluar? Gjysma e popullsisë e papunë, vendi më i varfër në Evropë, të renditur në vendin e 112 me shkallën e korrupsionit. Beqaj nuk mërzitet për jetën çdo herë e më të vështirë, për rritjen e çmimeve e papunësinë që janë efekte direkte të politikave të tij, por halli i tij është imazhi, fshehja e fakteve para privatizuesve.


Pikërisht në këtë drejtim është orientuar edhe aksioni ynë sot, pra për të vendosur identitet midis fjalëve dhe realitetit. Puna që po bën kjo ministri është shkatërruese për Kosovën dhe qytetarët e saj. Andaj në tabelën hyrëse të saj shkruajtëm fjalën që i përgjigjet veprimtarisë së saj: “Ministria e Shkatërrimit Ekonomik”.


23 shtator 2012


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera