Protestë kundër rifillimit të bisedimeve me Serbinë

21 Jun 2012

Sot, ne protestuam si qytetarë të një vendi të lirë, liria e të cilit po i vendoset në dyshim nga procesi i bisedimeve të imponuara Beograd – Prishtinë.


Gjatë protestës,  ne hodhëm domate të kalbura, së pari, mbi z. Robert Cooper, e pastaj mbi hyrjen e ndërtesës së Qeverisë.  Ne besojmë që në aspektin fizik dhe hapësinor, Qeveria nuk duhet të ketë fare oborr: le të punojnë në atë ndërtesë të lartë me pafund zyra që i kanë kurse oborri aty duhet t’i përkasë qytetarëve të cilët edhe ashtu kanë aq pak hapësirë publike. Në anën tjetër,  në aspektin politik, e gjithë Kosova duhet të jetë oborr i Qeverisë: në vend se të përgatiten për rifillimin e dialogut me Serbinë, tash për veriun e Kosovës, qeveritarët duhet t’i shërbejnë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, interes jetik i të cilëve është sovraniteti dhe integriteti territorial. Kosova duhet t‘i ketë kufijtë e mbrojtur e jo ndërtesa e rrethuar me grila e Qeverisë.


Sot, ne protestuam kundër qëndrimit paternalizues e shtrëngues të përfaqësuesit të BE-së, Robert Cooper, e në të njëjtën kohë kundër qëndrimit servil e të padenjë të qeveritarëve të Kosovës.


Protestuam sepse bisedimet, në të cilat po na shtyjnë përdhunshëm nuk janë bisedime mes Serbisë dhe Kosovës, po janë bisedime me Serbinë për Kosovën. Protestuam sepse ndërkombëtarët, që supozohet të jenë ndërmjetës në këto bisedime janë duke qeverisur në Kosovë, ndërsa në Serbi jo. Por, mbi të gjitha, ne protestojmë kundër bisedimeve sepse ato janë thelbësisht të padrejta për dhjetë arsye madhore.


Së pari, Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Nuk mund të bisedojmë me një vend që haptazi e pranon pretendimin territorial dhe është agresiv ndaj atdheut tonë.


Së dyti, Serbia nuk po e ndryshon kushtetutën e saj, ku shkruhet se Kosova është pjesë e Serbisë.


Së treti, Serbia kurrë nuk ka kërkuar as më të voglën falje për vrasjet e krimet ndaj shqiptarëve përgjatë shekullit XX. E këto bisedime po e shkelin respektin e qytetarëve për ata të vrarë.


Së katërti, Serbia nuk na i ka dorëzuar kriminelët serbë të luftës.


Së pesti, Serbia nuk i ka kthyer trupat e 1781 të pagjeturve, dhe refuzon të japë informacion për ta.


Së gjashti, Serbia nuk ka paguar asnjë zhdëmtim për dëmet materiale që ka shkaktuar gjatë luftës dhe okupimit.


Së shtati, Serbia ende sot i trajton shqiptarët në Luginën e Preshevës si qytetarë të dorës së dytë, e nuk ua njeh as të drejtat themelore.


Së teti, Serbia haptazi financon strukturat ilegale shtetërore në Kosovë, duke minuar çdo përpjekje për shtetformim dhe institucionalizim.


Së nënti, Serbia nuk e ka kthyer fondin pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, librat kadastralë dhe as artefaktet kulturore që i ka plaçkitur.


Së dhjeti, në Serbi, sot e kësaj dite enden të lirë e të pacenuar me dhjetëra mijëra kriminelë të luftërave të viteve ’90, gjë që tregon se atje s’ka ndodhur kurrfarë ndryshimi i kursit se lëre më diçka që do t’i përngjante denazifikimit.


Për këto arsye ne protestuam sot, e do të protestojmë kundër bisedimeve gjer në momentin kur këto arsye të mos jenë më.


Bisedimet e pabarabarta e të padrejta sjellin edhe më shumë pabarazi, edhe më shumë padrejtësi.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera