Policia konfiskon materialet logjistike për protestuesit

22 Jan 2012

Protesta e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka vazhduar edhe më tutje në afërsi të dy pikave kufitare, Merdar dhe Dheu i Bardhë, gjithnjë sipas planit, pra në mënyrë tejet paqësore.


Lëvizja VETËVENDOSJE! demanton kumtesën e Policisë për një person të arrestuar tek Dheu i Bardhë. Asnjë akt i dhunshëm nuk ka ngjarë në vendin ku po zhvillohet protesta, dhe asnjë person nuk është arrestuar aty deri më tani.


Sikurse tek Dheu i Bardhë, ashtu edhe në Merdar, udhëheqësit e Lëvizjes i kanë bërë vazhdimisht thirrje protestuesve që të jenë të qetë dhe të matur. Ata thanë se kushdo që nuk i përmbahet skenarit paqësor do të konsiderohet se nuk është pjesë e Lëvizjes tonë dhe se nuk janë të mirëseardhur të qëndrojnë në mesin e protestuesve.


Në ndërkohë, Lëvizja VETËVENDOSJE! konfirmon se rreth orës 18:00, tek Dheu i Bardhë, afër vendit ku po protestohet Policia e Kosovës ka konfiskuar materialet logjistike të cilat do ta bënin të mundshëm mbarëvajtjen e protestës.


Materialet e konfiskuara nga policia jane: 1 Tendë, 10 reflektorë, 2 fuqi të zbrazta për ngrohje, 1 fuçi me vaj për ngrohje dhe të gjitha mjetet e punës të cilat do të ndihmonin protestuesit në këto temperatura të ulëta. Bashkë me mjetet, Policia ka detyruar edhe aktivistët, Agron Kabashi, Agron Reka dhe Rexhep Sylejmani, që të shkojnë deri në stacionin policor në Gjilan.


Kërkojmë nga Policia e Kosovës që urgjentisht të na i kthejë këto mjete të cilat janë shumë të nevojshme për mbarëvajtjen e protestës dhe shëndetin e protestuesve dhe ta respektojë të drejtën tonë për protestë paqësore.




Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera